Open Data Albania po hulumton mbi Shpenzimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2016. Hulumtimet bazohen në të dhënat mbi buxhetin e konsoliduar, në tabelen e treguesve fiskal faktik 2016.  Buxheti i konsoliduar është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me Ligjin Nr. 97/2017 Datën 5.10.2017. 
Shpenzimet Buxhetore përbëhen nga katër kategori kryesore: shpenzimet korrente; Fondi Rezervë dhe Kontigjenca; Shpenzimet Kapitale; Huadhëniet për Energji.
Sipas treguesve të Buxhetit të Konsoliduar, Shpenzimet Buxhetore u rrudhën në 2016-n në krahasim me planin. Sipas të dhënave për shpenzimet faktike, totali i Shpenzimeve Buxhetore në 2016-n ishin katërqind e tridhjetë e tre pikë shtatë (433.7) miliardë lekë nga katërqind e pesëdhjetë pikë dy  (450.2) miliardë lekë që ishin parashikuar në fillim të vitit. Realizimi në përqindje i Shpenzimeve Bushetore për 2016-n është 96%.  16.4 miliardë lekë më pak se plani u hodhën në ekonomi. Viti Buxhetor 2016 shënoi vitin e dytë me rënie për sa i përket shpenzimeve. 
Burimi: Ministria e Financave( të dhënat e marra nga treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar 2016) 
Komentet dhe Analiza: ODA
 
Burimi: Të dhënat e marra ndër vite nga Ministria e Financave 
Komentet dhe Analiza: ODA

Shpenzimet në buxhetin e shtetit përbëhen nga katër kategori: Shpenzime Korrente, Fondi Rezerve, Shpenzimet Kapitale (investimet) dhe Huaja për Energji.
Shpenzimet Buxhetore Faktike 2016
Kategoritë Shpenzimet Buxhetore Faktike 2016(në mln lekë)
Shpenzime Korrente 368,720
Fondi Rezerve,Kontigjenca
Shpenzime Kapitale 59,452
Net lending për energji 5,601
Shpenzimet korrente janë shpenzime që kryehen për të mira dhe shërbime të cilat konsumohen brenda vitit fiskal. Ky grup shpenzimesh ka peshën më të lartë në Shpenzimet Buxhetore. Ato përbëjnë 85 për qind të totalit të Shpenzimeve Buxhetore. Zërat kryesorë të Shpenzimeve Korrente janë: shpenzimet për Fondet Speciale, shpenzimet e personelit; shpenzimet e operative të mirëmbajtjes; shpenzimet për Buxhetin Vendor; shpenzimet për interesa; shpenzime të tjera sociale dhe shpenzimet për subvencionet. 


Shpenzimet korrente për Fondet Speciale janë zëri kryesor në këtë kategori. Në 2016 sipas të dhënave nga Buxheti i Konsoliduar ky zë është 152.5 miliardë lekë, apo 35.2 përqind e totalit të Shpenzimeve Buxhetore.  Ato ishin parashikuar në fillim të 2016-s, 155.2 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë më pak se parashikimi.

Tre janë komponentët kryesorë të shpenzimeve të Fondit Special: shpenzimet për sigurimet shoqërore (114.2 mld lekë), shpenzimet për sigurimet shëndetësore (34.7 mld lekë) dhe shpenzim për kompensimin e pronarëve (3.5 mld lekë).

Shpenzimet korrente për personelin janë zëri i dytë për sa i përket peshës në Shpenzimet Korrente. Sipas Buxhetit të Konsoliduar 2016, shpenzimet për personelin janë 67.5 miliardë lekë. Përqindja e realizimit të tyre është 100%, me diferenca të vogla.

Shpenzimet Operative Mirëmbajtje janë në nivelin e 44.3 miliardë lekë. Ato ishin parashikuar në fillim të vitit 43.4 mld lekë. Shpenzimet Operative për Mirëmbajtje është zëri që ka tejkaluar parashikimin me rreth 869 milionë lekë.

Shpenzimet korrente për Buxhetin Vendor patën mosrealizimin më të lartë përkundrejt planit.   Sipas Buxhetit Faktik u kryen 7.8 miliardë lek më pak shpenzime për Buxhetin Vendor. Shpenzimet për Buxhetin Vendor në 2016-n janë 43.5 miliardë lekë. Ato ishin parashikuar në fillim të vitit 51.4 mld lekë. Përbërësit kryesor të ktij zëri janë: Granti nga buxheti i shtetit per pushtetin vendor; Fond i pakushtezuar; Grant Specifik dhe Fondi per Zhvillimin e Rajoneve.

Shpenzimet korrente për interesat në 2016-n u ndikuan kryesisht nga ulja e borxhit dhe ndikimi i kursit të këmbimit. Shpenzimet faktike për 2016-n janë 36.2 miliardë lekë. Ato ishin parashikuar në fillim të vitit 42.6 miliardë lekë, 6.3 miliardë më shumë se fakti.
 
Burimi: Ministria e Financave 
Komentet dhe Analiza: ODA

Burimi: Ministria e Financave 
Komentet dhe Analiza: ODA

Shpenzimet korrente sipas zërave, fakt dhe plan 2016(në mln lekë)


Fakt 2016 Plani vjetor Akti normativ 2016
Personeli 67,540 67,579
Interesat 36,259 42,600
Shpenzime Operative Mirëmbajtje 44,329 43,460
Subvecionet 1,725 1,740
Shpenzime për fonde speciale 152,591 155,243
Shpenzime për Buxhetin Vendor 43,580 51,449
Shpenzime te tjera sociale 22,696 22,670

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe Analiza: ODA

Shpenzimet kapitale sipas Buxhetit të Konsoliduar 2016 

Shpenzimet kapitale janë shpenzime që do të sjellin përfitim në disa periudha fiskale (të konsideruara ndryshe investime). Sipas planit në fillim të vitit 2016 ishin parashikuar që do të kryshin 58.6 miliardë lekë shpenzime kapitale. Nga të dhënat në Buxhetin e Konsoliduar të 2016-s u kryen 59.4 miliardë lekë shpenzime kapitale.  
Burimi: Ministria e Financave( të dhënat e marra nga treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar 2016) 
Komentet dhe Analiza: ODA

Fondi Rezervë dhe Kontigjenca. Fondi Rezervë i Buxhetit përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparishkuara të institucioneve buxhetore. Ndërsa kontigjenca për të kompensuar risqet potenciale nga luhatjet e kursit të këmbit apo ndryshimet në normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit. Gjatë 2016-s fondi prej 3.8 miliardë lekë i parashikuar në buxhet nuk u prek.
Net lending për energji. Net lending (huadhënie neto) është një masë ekonomikë, ku qeveritë ose sigurojnë burime financiare për sektorë të caktuar të ekonomisë ose po përdorin burime nga sektorë të tjerë (huamarrje neto). Ky zë shpenzimi ishte parashikuar në fillim  të vitit fiskal 2016,  3 miliardë lekë. Shpenzimet faktike për zërin net lending për energji janë 2.25 miliardë lekë. Për këtë zë janë shpenzuar rreth 750 milionë lekë më pak se plani. Realizimi i këtyre shpenzimeve në përqindje është 75 për qind. 

Në këtë kategori shpenzimet përfshihen shpenzimet net lending për energji dhe shpenzimet net lending të tjera, për zërin e fundit nuk ishin parashikuar në fillim të 2016-s se do të kishte shpenzime. Shpenzimet faktike për zërin e dytë janë sipas Buxhetit të Konsoliduar 2016, rreth 3.3 miliardë lekë.

I gjithë grupi i shpenzimeve Net Lending për Energji është në 2016, 5.6 miliardë lekë.   
Kontribuoi: Ledina Loga