Open Data Albania po hulumton mbi realizimin e të Ardhurave Buxhetore për vitin 2020. Realizimi i buxhetit vlerësohet duke krahasuar buxhetin e planifikuar në fillim të vitit me buxhetin faktik në fundviti. Te dhënat për buxhetin e planifikuar merren në ligjin e buxhetit të shtetit, i cili miratohet para fillimit të vitit të ri fiskal. Te dhënat faktike jepen në statistikat fiskale të konsoliduara, raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Buxheti i Shtetit për vitin 2020 u miratua me Ligjin nr 88/2019 ‘Buxheti i Shtetit për vitin 2020’. Gjatë vitit Ekzekutivi dhe Ligjvënësi kanë ndryshuar katër herë këtë Buxhet Plan. Konkretisht Buxheti ka ndryshuar në datën 21 Mars me Akt Normativ Nr. 6, me 15 Prill me akt normativ nr 15, me 28 Korrik me Akt Normativ Nr. 28 dhe vetëm dy javë përpara përfundimit të vitit me Aktin Normativ Nr. 34.

Për vitin 2020 kemi një realizim të buxhetit të shtetit prej 83.6%, realizimi më i dobët në dekadën e fundit. Në vitin 2020 janë mbledhur 425.9  miliard Lekë, rreth 83.7 miliard Lekë më pak të ardhura se planifikimi në fillim viti.

Të ardhurat buxhetore përbëhen nga tre grupe kryesore: të ardhura nga Ndihmat, të ardhura Tatimore dhe të ardhura Jo tatimore. Peshën më të madhe në strukturën e të ardhurave buxhetore e zënë të ardhurat tatimore të cilat zënë mbi 90% të Totalit.

Të ardhurat nga ndihmat janë grupi i parë i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Këtu përfshihen të ardhurat që merren nga ndihmat që jepen nga qeveritë e shteteve të tjera dhe donatorë të tjerë. Planifikimi për ketë zë ishte 23 (njëzet e tre) miliard Lekë por vetëm rreth 8.3 Miliard Lekë janë akorduar, duke shënuar një realizim prej 36% të planit fillestar.

Grupi i dytë i të ardhurave të buxhetit të shtetit janë të ardhurat tatimore që përfshijnë të ardhurat që merren nga mbledhja e të gjitha llojeve të taksave dhe tatimeve në zbatim në nivel qendror (Tatimet dhe Doganat), në nivel vendor dhe kontributet nga fondet speciale, si  Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore. Totali i të ardhurave të mbledhura është 398.65 miliardë Lekë. Ky grup është realizuar në masën rreth 85.7 %  e planit dhe sipas institucionit që mbledh tatimet kategorizohet në Të ardhura Nga Tatime dhe Dogana; Të ardhura nga Pushteti Vendor dhe të Ardhura nga Fondet Speciale.

Struktura e të ardhurave tatimore rendit me peshën më të lartë të ardhurat e grumbulluara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar TVSH një tatim ky me bazë shumë të gjerë dhe masën e tatimit 20% e vlerës që qarkullon. Sigurimet shoqërore renditen në vendin e dytë.

Vështirësi në realizim kanë pasur të gjitha autoritet përgjegjëse për mbledhjen e të ardhurave tatimore, por vështirësia më e lartë konstatohet në pushtetin vendor, ku janë realizuar vetëm 81.6% e të ardhurave që ishin planifikuar në fillim të vitit.

Të ardhurat e mbledhura nga Fondet Speciale kanë pasur një realizim rreth 93.9% të planit dhe specifikisht Fondi i Sigurimit Shoqëror që ka kontributin më të madh, ka pasur një realizim prej 94.3% të planit fillestar.

Grupi i tretë i të ardhurave të buxhetit të shtetit është ai i të ardhurave jo tatimore. Të ardhurat jo tatimore në total janë realizuar ne nivelin 87.8%. Të ardhurat e transferuara nga Banka e Shqipërisë rezultojnë me një performancë të kënaqshme me tejkalim realizimi përkatësisht prej 39.8% më shumë se plani.

Në aktet normative për Ndryshim të Buxhetit Fillestar, Zëri i të ardhurave buxhetore është prekur vetëm në dy nga katër akte normative, konkretisht në Mars, ku të ardhurat e planifikuara u tkurren me 20 miliardë Lekë, nga 509.67 miliardë Lekë që ishin miratuar në buxhetin fillestar zbritën në 489.67 miliardë Lekë. Gjithashtu në muajin Korrik, pati sërish një reduktim në të ardhurat buxhetore, por kësaj herë me tkurrje në një masë më të madhe, konkretisht plani i rishikuar konsistonte në 43 (dyzet e tre) miliardë Lekë më pak se vlera e miratuar në mars, duke rezultuar në 446.57 Lekë.

Shkarko excel: Realizimi i të Ardhurave Buxhetore 2020, Buxheti i Shtetit
Comment and Analysis: Open Data Albania