Open Data Albania po hulumton mbi të ardhura dhe shpenzime të Fushatës Zgjedhore 2017, subjekti elektoral Partia Demokratike PD. Të dhënat janë sipas raporteve të auditimit ligjor, me ekspert të pavarur. Raporti final i auditimit sjell informacion më të plotë dhe të mirë organizuar për shpenzime dhe të ardhura. Auditimet ligjore realizohen nga Ekspert të Pavarur pjesë e regjistrit publik të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar  IEKA. Këto auditime bazohen në kërkesa të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë Ligji nr 10019, datë 29. 12. 2008 i ndryshuar dhe Ligjit “Për Partitë Politike”, Ligj nr 8580, datë 17. 02. 2000 i përditësuar.  Në këtë fushatë zgjedhore, subjektet zgjedhore kanë pasur detyrim të bëjnë deklarime dhe auditim të fondeve dhe shpenzimeve zgjedhore, për një periudhë kohore që fillon me datën e shpalljes së zgjedhjeve. Më parë afati fillonte 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit, datë e tillë është konsideruar data 5 dhjetor 2016.
Partia Demokratike ka bërë deklarim me të ardhura dhe shpenzime konkretisht të ardhura në vlerën 131 046 230 Lekë dhe shpenzime në vlerën  97 218 466 Lekë. Në secilin rast si për të ardhurat edhe për shpenzimet janë konsideruar jo vetëm ato të realizuara kundrejt vlerës monetare, por edhe ato në natyrë.  Të ardhura apo shpenzime në natyrë kanë të bëjnë me shërbime të ofruara pa pagesë por për të cilat është bërë pranim nga pala përfituese.
Të ardhurat e kësaj partie, bazuar në dokumentin e auditimit kontabël  janë në total 131 046 483 Lekë.  Këto të ardhura përbëhen nga: Fonde Publike të përfituara nga Buxheti i Shtetit dhe Donacione në natyrë apo kohë televizive pa pagesë.

PD deklaron se ka marrë nga buxheti i shtetit gjatë periudhës nën raportim pesë transaksione me vlerë totale 108 157 230 Lekë. PD nuk specifikon se në cilin rast janë fondet për fushatë që alokohen nga buxheti dhe në cilin rast janë fonde vjetore 2017 apo forma të tjera të fondit vjetor apo çdo lloji të financimit publik (buxheti i shtetit).

Burim tjetër të ardhurash për këtë parti janë donacione në natyrë si qira zyrash elektorale të papaguara, vlera 1 738 853 Lekë. Këto të ardhura janë vërtetuar vetëm përmes një vlerësimi të ekspertit vlerësues, i cili është emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ,  përpara përfundimit të fushatës. Në raportin e auditimit përshkruhet që PD nuk ka dorëzuar kontrata dhurimi, marveshje apo dokumentacion tjetër që bën të mundur përllogaritjen reale të dhurimit apo identifikim për donatorët në natyrë. Eksperti vlerësues ka marrë parasysh në vlerësim evidentimin fizik të zyrave dhe vlerësimin e tyre sipas çmim referencave për metër katrorë. Po në Natyrë (dhurime jo në mjet financiar por në shërbime dhe sende), Partia Demokratike deklaron se ka përfituar edhe transmetim spotesh publicitare pa pagesë. Në këtë rast për pranimin jo kundrejt pagesës është lëshuar faturë nga institucionet mediatike. Edhe në rastin e PD gjejmë fatura të paguara dhe fatura të klasifikuara si donacione në natyrë për kohë televizive.

Dhurime në Natyrë për PD, kohë televizive pa pagesë sipas medias, Fushatë 2017 (në Lekë)
Komentet dhe Analiza: ODA

Partia demokratike nuk ka dhurime në para nga donator për asnjë lloj vlere dhe po ashtu nuk ka siguruar ndonjë të ardhur të vetën (nga kuota, aktivitete tregtare etj) për ta vënë në dispozicion të fushatës.

Ndërkohë shpenzimet elektorale të Partisë Demokratike janë deklaruar në vlerën 97 218 466 Lekë. Këto shpenzime janë sipas zërave: shpenzime materiale promocionale; shërbim foni, stage, ndriçim etj; transmetime live, transmetim spote reklama etj; aktive me qira duke përfshirë edhe transportin për mallrat në qiramarrje; qira ambienti për zyra elektorale; konsulencë vendase dhe e huaj. Edhe tek shpenzimet janë llogaritur përveç atyre të bëra kundrejt pagesës edhe veprime të tjera për të cilat nuk është paguar por është konsideruar shpenzimi i shoqëruar me dhuratë në natyrë (pa pagesë).

Komentet dhe Analiza: ODA
Partia Demokratike ka deklaruar disa transaksione për pagesa konsulence me shoqëri jashtë vendit. Konkretisht janë bërë katër transaksione për tre shoqëri të ndryshme me vlerën totale prej 10 217 878 Lekë. Subjektet e kontaktuara për konsulencë janë Barner & Thornburg LLP; CLEAR PATH STRATEGIES LLC; MURPHY VOGEL ASKEW RIELLY dhe Oliver Ubeda. Me firmën Barner & Thornburg LLP është lidhur një kontratë me vlerën 150 000 dollarë amerikan, por në fakt kontrata është realizuar dhe paguar në vlerën 100 000 dollarë amerikan. Kontrata është ndërprerë sipas klauzolave të saj dhe pa penalitete. Po kështu për Olivera Ubeda është kryer një pagesë me datën 22 qershor, por për mos furnizim shërbimi kjo shumë është rikthyer.
Pagesa për Konsulencë Kompani të huaja


Në përfundim të fushatës PD deklaron se ka mbetur debitore dhe pa shlyer vlerën prej 3 561 300 Lekë kundrejt Top Channel sh.a.

Strukturën për Të Ardhura dhe Shpenzime për subjekte të tjera elektorale mund ta gjeni në rubrikën Shpenzime Elektorale 2017 portali Open Data Albania.