Bashkia e Tiranës do të dorëzojë tek koncesionari privat për 8 vjet e 6 muaj, 5 institucione arsimore, me qëllim përmirësimin e një pjese të infrastrukturës arsimore. Sipas ‘’Open Data Albania’’ në kuadër të partneritetit publik-privat, ky koncesion do të jetë i formës PBOTM (Projektim, Financim, Ndërtim, Mobilim, Mirëmbajte, Mbikëqyrje dhe Kolaudim) për pesë objekte arsimore në zonën nr.1 të Bashkisë së Tiranës. Kostoja e vlerësuar e projektit, njëkohësisht fond limit për këtë tenderim është 1.940.859.276 lekë pa TVSH (rreth 15 milionë euro). Burimi i financimit do të jetë Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Në dokumentet e dosjes, theksohet se kompania koncesionare që do të krijohet pas lidhjes së kontratës së koncesionit do të shlyhet tërësisht (likuidohet) për totalin e shumës së investuar (shpenzuar) në një periudhë kohore prej 7 vitesh nga data e dorëzimit të objekteve, duke i përllogaritur edhe një rimbursim për marzh fitimi në masën 6.28 % në vit. Pas përfundimit të ndërtimit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit do t’i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore deri në përfundim të plotë të shumës së investuar. Subjektet e paraqitur në këtë garë janë “SENKA” shpk, “FILIPPETI s.p.a”, “Bruçi” shpk dhe bashkimi “AGI KONS” shpk & “MET ENGENEERING” shpk & “ZENIT&CO” shpk, që rezultoi edhe fitues.
 
Shkollat në Tiranë
Në Bashkinë e Tiranës gjenden gjithsej 191 shkolla publike, nga të cilat 17 janë shkolla të mesme të veçanta, 13 janë të mesme të bashkuara, 40 janë cikli i ulët dhe 121 janë 9-vjeçare. Në total, zhvillojnë mësimin 13.963 nxënës në shkollat e mesme të veçanta, 4.557 nxënës në shkollat e mesme të bashkuara, 56.950 në ciklin 9-vjeçar dhe 795 nxënës në ciklin e ulët. Duke qenë se numri i nxënësve është më i lartë se kapaciteti maksimal i këtyre shkollave, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë të regjistruar më shumë nxënës se kapaciteti maksimal i tyre, çka i detyron ta zhvillojnë mësimin në klasa të mbipopulluara ose gjatë turnit të dytë. Sipas Bashkisë së Tiranës, nga llogaritjet e bëra për këtë studim fizibiliteti rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal, nga të cilat 10 janë të mesme të veçanta, 2 janë të mesme të bashkuara dhe 49 janë 9-vjeçare. Ndërkohë, 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne nga të cilat 3 të mesme te veçanta, 3 të mesme të bashkuara, një cikël i ulët dhe 50 janë 9-vjeçare. Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14.292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14.919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë.
 
Njoftimi i fituesit
Bashkia e Tiranës lajmëroi se oferta e paraqitur, më datë 8 janar 2018 nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “AGI KONS” shpk & “MET ENGENEERING” shpk & “ZENIT&CO” shpk, për marrjen me koncesion/PPP te objektit “Për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës“ Për Projektimin, Financimin, Ndërtimin, Mobilimin, Mirëmbajtjen, Mbikëqyrjen dhe Kolaudimin e pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1” është pranuar. Afati i negocimit të kontratës do të jetë 2 muaj. Oferta ekonomike për projektimin, ndërtimin, mobilimin dhe mbikëqyrjen është 1,6 miliard lekë pa TVSH, ndërsa oferta ekonomike për mirëmbajtjen deri në fund të kontratës rreth 340 milionë lekë pa TVSH.