Open Data Albania ka renditur Kryebashkiak të Zgjedhur për mandat drejtues 2015-2019, sipas vlerave për të ardhura të deklaruara për vitin 2016.
Analiza përkon vetëm me të ardhura të gjeneruara gjatë 12 muajve të vitit 2016 dhe të deklaruara pranë Inspektoratit përkatës. Në krye të listës me të ardhura më të larta është kreu i bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili ndërsa në fund të listës është kreu i bashkisë së Fushë Arrëzit Fran Tuçi. Ndërsa dy bashkëshortet me të ardhurat më të larta janë bashkëshortja e kreut të bashkisë së Vorës dhe e kreut të bashkisë së Tiranës.
Renditja e Kryebashkiakëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo bashkëjetues, kryesohet nga zonja Hava Ismaili. Gjatë vitit 2016 ajo ka përfituar të ardhura në vlerën totale rreth nëntë pikë nëntë milionë lekë, të cilat janë të ardhura si administratore e shoqërisë Agro Blend dhe të ardhura nga shitje online. E dyta në listë është Zonja Ajola Xoxa, bashkëjetuese e kryebashkiakut Erion Veliaj, e cila deklaron të ardhura neto të vitit në vlerën shtatë pikë nëntë milionë lekë. Zonja Xoxa ka këto ardhura nga aktiviteti i saj si konsulent ligjor, person fizik i regjistruar me NIPT, si dhe nga konsulenca për projekte financuar nga UNICEF.
Kryebashkiakët Qazim Sejdini dhe Fiqiri Ismaili, kryesojnë listën për të ardhura të familjes gjatë vitit 2016. Këto dy familje kanë gjeneruar rreth njëmbëdhjetë pikë tetë milionë lekë secila gjatë vitit 2016. Peshën më të madhe të të ardhurave këto dy familje e kanë prej kompanive familjare respektive Ujori shpk dhe Agro Blend shpk.
Tek të ardhura, kategori të tjera janë ato nga interesa bankare, paga, qiradhënie e të tjera. Në këtë kategori të ardhurash nuk janë vendosur disa hyrje në llogari të cilat vinë si pasuri të gjeneruara prej kontratave të sipërmarrjeve, investimeve apo shitblerjeve. Këto hyrje pasurie nuk na japin një kontekst të qartë se cila pjesë është fitim i viti dhe cila pjesë është thjesht një konvertim i pasurisë nga një formë në tjetrën (kryesisht nga pasuri e patundshme në para)