Para pak ditësh 60 nxënës të shkollës së mesme Rifat Manjani në Shupenzë të Bulqizës, rrezikuan jetën pasi sistemi jofuksional i kaldajës lëshoi të gjithë tymin nga lënda djegëse në klasat ku po zhvillohej mësim.
10 prej nxënësve ndodhen në gjendje më të rënduar shëndetësore, ndërsa një mësuese dhe një nxënës janë trasportuar për në Tiranë, për të marrë një shërbim më të ndërlikuar mjekësor.
Nga kontrollet e derimëtanisht, grupet e inspektimit që po mbikëqyrin instalimin e sistemit të kaldajës, shprehen se kaldaja nuk ishte testuar asnjëherë më parë. Po të ishte testuar qoftë edhe një herë, do të ishte vënë re se tubat e vendosur keq dhe oxhaku i mbyllur, në vend që ta nxirrnin tymin jashtë, e shpërndanin nëpër klasa.
Tenderi i rikonstruktimit të shkollës “Rifat Manjani”
Bashkia Bulqizë hapi tenderin për rikostruksionin e shkollave në Shupenzë (më saktësisht dy shkollave: një shkollë e mesme dhe një shkollë 9-vjeçare) në gusht të vitit 2016, me një fond limit prej rreth 535 mijë eurosh.
Në garë morën pjesë 7 kompani, por gjashtë prej tyre u skualifikuan sepse nuk dorëzuan dokumentacionin e plotë. Kompania fituese, Ndregjoni shpk, pavarësisht se kishte paraqitur ofertën e dytë më të lartë, u shpall fituese, për shkak të skualifikimit të gjithë ofertuesve të tjerë.
Për supervizimin e punimeve u realizua një tender tjetër, i veçantë, me vlerë rreth 13 mijë euro, por duket se asnjëra prej dy kompanive nuk ka vënë re se sistemi i ngrohjes ishte montuar gabimisht.
Kompanitë kanë bërë punimet me ngut për ta “përfunduar” punën gjatë fushatës elektorale, kur dhe u bë inagurimi i rikonstruktimit të dy shkollave, pa menduar se punimet jo cilësore, me ngut dhe të pa mbikëqyrura do të vinin në rrezik jetën e 60 nxënësve.