Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, është vënë së fundmi në qendër të vëmendjes, pasi akuzohet se ka vjedhur 11 mijë metra katror tokë në Dhërmi. Lidhur me akuzat e njëpasnjëshme, ‘Open Data’ ka zbardhur pasurinë e njërit prej ligjvënësve të ri socialistë. Alket Hyseni iu shtua Kuvendit në legjislaturën e fundit nga radhët e PS, ndërsa rezulton me një pasuri të konsiderueshme.
Ai zotëron disa apartamente dhe mijëra metra katrorë sipërfaqe toke. Hyseni ka mbajtur funksione të rëndësishme, ku nga viti 2003 deri më 2005 ka qenë në doganën e Kakavijës, më 2016 drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Në 2017 ndihmës në Kryeministri dhe nga qershori 2017 deputet. Ai është pronar me 100% i dy apartamenteve banimi me sipërfaqe 120 m2 secili, porositur më dt. 10.09.2008, blerë me të ardhura nga emigracioni, puna, biznesi e kursime familjare, vlera 93 600 euro (46 800 euro secili).
Po ashtu, ka një tjetër banesë me sipërfaqe 120.3 m2, porositur më dt. 31.05.2010, burimi me të ardhura nga puna, biznesi dhe sipas akt-marrëveshjes së shkëmbimit, vlera 4 691 700 lekë. Një tjetër apartament 120.3 m2, me vlerë 4 691 700 lekë si dhe tre garazhe me 30 m2 secili dhe i një garazhi me sipërfaqe 50 m2.
Gjithashtu, deputeti ka deklaruar se ka blerë nga puna në emigracion dhe burimet e familjes disa metra katrorë troje dhe tokë arë. Pak ditë më parë, ai reagoi pas akuzave të bëra nga opozita se i ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi familjes Bua.