Qeveria injoron thirrjen e FMN-së që të ndalojë aplikimin e skemës së PPP-ve.Sektorët e energjisë, transportit, shëndetësisë, tatim-doganave, apo mjedisit, kontratat e kanë faturën mbi 661 miliardë lekë
Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e pak ditëve më parë për Shqipërinë ripërsëriti thirrjen ndaj qeverisë që të ndalojë aplikimin e skemës së PPP-ve (Partneritet Publik Privat), Rama duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Numërohen 223 kontrata konçensionare dhe të Partneritetit Publik Privat PPP, të cilat janë lidhur ndër vite me një vlerë prej 504.8 mld lekë. Ndërsa për vitin 2018 janë 8 kontrata të reja. Në total këto kontrata e kanë faturën 661.594.257.243 lekë. Open Data Albania ka hulumtuar mbi kontratat koncesionare apo të partneritetit Privat Publik (PPP), të cilat janë lidhur ndër vite.
Hulumtimi bazohet tek të dhëna për kontratat apo marrëveshjet koncesionare sipas një evidentimi të bërë në dokumentin “Relacioni për Projekt Buxhetin e Shtetit 2018”. Kontratat janë ndarë sipas sektorëve ekonomik. Sipas Open Data, kontratat koncesionare dhe PPP apo marrëveshjet janë mjaft dinamike. Vlerat e parashikuara janë të lidhura me efekte realizimi dhe mosrealizimi sikurse me efekte të ndryshimeve shtesave apo riformulimeve që ju bëhet kontratave. Gjithashtu, këto lloj kontratash kanë një shtrirje të gjatë në kohë dhe shpesh regjime apo referenca ekonomike të tregut, sjellin ndryshime të mundshme në parashikime dhe realizime të kontratës. Sektori i energjisë, referuar hulumtimit të Open Data, dominon kontratat në fjalë me 75 % të totalit të vlerës.
Në total, ky sektor numëron 185 kontrata nga 223 kontrata që janë në total, me një vlerë prej 379.4 miliardë lekësh. Të gjitha kontratat koncesionare të këtij sektori janë të llojit Ndërtim, Operim, dhe Transferim/Mirëmbajtje hidroncetrali. Kontrata me peshën më lartë ndaj totalit të vlerës së këtij sektori është kontrata koncesionare e Ndërtim, operim dhe transferim hidrocentrali Kaskada e Devollit,me një vlerë prej 130 miliardë lekësh. Sektori i dytë me peshë më të lartë vlerësuar nga hulumtimi i Open Data Albania për sa i përket vlerës së kontratave është Transporti, me 7 për qind të totalit të vlerës së kontratave, apo 37.5 miliardë lekë. Ky sektor numëron 14 kontrata koncesionare, të ndara sipas llojit në tre kontrata shërbimesh dhe 11 kontrata të Ndërtimit, Operimit dhe Transferimit. Kontrata me vlerën më të lartë në këtë sektor është “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi i Aeroportit “Nënë Tereza””, me një vlerë prej 9.3 miliardë lekë. Kontrata e dytë me vlerë më të lartë në këtë sektor është kontrata e “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese” me një vlerë prej 7 miliardë lekë.