Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të re zbatimi. Vettingu veçse ka dhënë rezultatet e para të pastrimit të drejtësisë.
Gjyqtarët dhe prokurorët, që  u janë bindur politikës dhe që u kanë shërbyer grupeve dhe klaneve mafioze, pritet të jenë jashtë dyerve të institucionit të drejtësisë.
Kjo është pritshmëria e opinionit publik, i cili është i lodhur nga instalimi i njerëzve të paaftë, të dështuar dhe të korruptuar në gjykata dhe prokurori.
Me ato që kemi parë dhe dëgjuar tek gjyqtarët dhe prokurorët që janë paraqitur deri më tani para Komisionit të Vettingut, duket se surpizat do të jenë të mëdha,  në të ardhmen.
CNA.al vijon publikimin e pasurisë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët pa dallim dhe referuar denoncimeve apo njerëzit që i njohin nga afër, disa deklarata pasurie duken të pabesueshme.
Kujtojmë se vetëm pak kohë ish-gjyqtari  i Apelit Shkëlqim Miri ra në pranga për korrupsion si dhe në shtëpi iu gjetën 300 milion lekë në banesë, të cilat nuk i kishte deklaruar pranë Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë.
Gjatë kontrollit në banesë atij iu gjetën 300 milionë lekë të vjetra dhe një shumë tjetër eurosh që dyshohet të jenë marrë në këmbim për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.

Por sipas të dhënave të publikuara nga Open Spending Albania, vërehet  se ish- gjyqtari ka deklaruar një pagë dhe pasuri modeste.

Me deklarimin e pasurisë që ka bërë deri në vitin 2014, nuk justifikohet shuma e parave të gjetura në banesë.
A ka të tjerë në sistemin e drejtësisë si ky ish-gjyqtar? Komisioni i Vettingut do të na e vërtetojë ditët në vijim.
Këtë radhë, CNA.al do të sjell pasurinë e gjyqtarit të Apelit të Durrësit Valbon Çekrezi.
Gjyqtari në fjalë, rezulton i varfër, dhe i varur nga paga dhe kredia.
Ashtu si një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe Çekrezi rezulon se ka një kredi prej 50 000 euro, prej së cilës ka paguar vetëm 3 840 euro.
Deklarata e pasurisë dorëzuar me datën 30.03.2017
Llogari rrjedhëse e pagës  me balancë në datën 31.12.2016, në shumën 72 274 lekë.
Llogari euro për pagesën e kredisë me balancë 50.48 euro.
Të ardhura nga paga për vitin 2016 në shumën 1 432 811 lekë.
Vazhdon shlyerja e kredisë e marrë me datë 29.08.2008 në shumën 50 000 euro. Detyrimi i shlyer në shumën 3 840 euro, ndërsa detyrimi i pashlyer në shumën 34.823 euro.
Artikulli me të dhënat e Open Spending Albania eshte publikuar nga City News Albania.