Open Data Albania po publikon emra Kryefamiljar të cilët Këshilli Bashkiak Lezhë i ka miratuar në janar prill 2021, si përfitues të grantit të rindërtimit për shkallën e dëmtimit DS4 dhe DS5. Për këto Nivel ndërtimi shuma e grant parashikon ndërtim nga e para e objekti banese dhe përllogaritet edhe sipas numrit të anëtareve të familjes.

Në këtë artikull zbardhen vetëm emrat për kryefamilajrë të Miratuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Lezhë nr 17 dhe nr 20 të muajit Shkurt 2021. Këshilli Bashkiak ka bërë edhe miratime të tjera për të cilat ende (data e publikimit të këtij artikulli 10 maj 2021) nuk është bërë zbardhja e listës dhe publikimi online. Për këto lista pa transparencë është bërë kërkesë për informim pranë Këshillit Bashkiak.

Sipas VKB-së nr. 17 datë 03.02.2021 është bërë miratimi i listës për 21 kryefamiljarë përfitues të grantit. Nga kjo Listë për 19 raste është miratuar niveli i dëmit DS4 dhe për dy raste nivel dëmi DS5.

Në këtë VKB nuk është përcaktuar nëse këta subjekte kanë zgjedhur që ndërtimin e banesës ta bëjnë vetë ose të bëhet nga autoriteti shtetëror i caktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Një listë tjetër me Përfitues që do të marrin fondin për të ndërtuar vetë, është miratuar në datën 16 shkurt 2021. Edhe këtu banesat janë me shkallë dëmtimi DS4 dhe DS5. Fondi për secilin është nga 2 236 552 Lekë vlera me e ulët për një Kryefamiljar tek 3 424 758 Lekë (Aneks 1 i VKB Nr.20 Datë 16.02.2021). Me VKB Nr 20/2021 e Bashkia Lezhë, janë miratuar grante për 125 Kryefamiljar që do të ndërtojnë nga e para shtëpitë e tyre me para të Fondit të Rindërtimit. Nga këto 125 Banesa 120 janë niveli i dëmtimit DS4 dhe 5 janë të nivelit të dëmtimit DS5.

Sipas strukturës së banimit përfitues të modelit 1+1 janë përcaktuar 27 familje ( 42 persona ne total); për modelin 2+1 janë 40 familje përfituese (141 persona) dhe për modelin 3+1 janë 58 familje përfituese (338 persona ne total).

Vlera totale e përfituar sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak nr 20 datë 16 shkurt 2021 përllogaritet në vlerën 363 557 188 lekë.

Vlera e grantit të rindërtimit për banesat e klasifikuara me nivel dëmtimi DS4 dhe DS5 për rindërtim nga e para përcaktohet si më poshtë (VKB NR.18 datë 04.02.2021 – Bashkia Lezhë):

  • Për familje deri në 2 anëtarë – përfitohet banesë individuale me strukturë 1+1 me vlerë Granti 2 236 552 lekë.
  • Për familje 2 deri në 4 anëtarë – përfitohet banesë individuale me strukturë 2+1 me vlerë Granti 2 613 358 lekë.
  • Për familje 5 e më shumë anëtarë – përfitohet banesë individuale me strukturë 3+1 me vlerë Granti 3 424 758 lekë.

Shuma e grantit të rindërtimit shpërndahet në dy këste : kësti i pare, në masën 60% të vlerës i cili depozitohet në llogarinë e Individit pranë Postës Shqiptare. Pjesa tjetër e shumës lëvrohet pas verifikimit nga strukturat përkatëse të mbikëqyrjes së kontratës që subjekti përfitues ka përfunduar ndërtimin e karabinasë së objektit, në përputhje më dokumentet e lejes së ndërtimit (Pika 3 e VKB Nr.18/2021).

Sipas Transaksione Thesari nga Bashkia Lezhe janë paguar në total 667 579 180 lekë ( kërkim me fjalën grant për institucion buxhetor Bashkia Lezhë janar 2020-prill 2021). Ndërsa pagesa të ekzekutuara për data zgjedhore 25 mars 2021 – 25 prill 2021 shkojnë ne një total prej 279 779 180 lekë.

Shkarko excel: Bashkia Lezhë, Kryefamiljar Përfitues të granteve Rindërtim Bashkia Janar – Prill 2021 VKB 17 dhe 20
Komente dhe Analiza: Open Data Albania