Open Data Albania po hulumton mbi Institucione të Qeverisjes Qendrore me vlera më të larta detyrimesh të prapambetura të akumuluara 2013 – 2020. Detyrimet e prapambetura u parashtruan si problem pas ndryshimit të mazhorancës në zgjedhjet elektorale të vitit 2013. Qeveria e mandatuar në këtë vit filloi zbardhjen, vlerësimin dhe shlyerjen e tyre. Në dhjetor 2013 detyrimet e prapambetura shënonin 72.75 miliardë lek konvertuar në euro rreth 519 milionë euro. Ky borxh i fshehur ishte relativisht i lartë pasi përkthehej në 5.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 50, datë 5.02.2014 ‘Për Miratimin e Strategjisë për Parandalimin dhe Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura dhe Plani i Veprimit’ u artikulua Objektivi qeveritar për shlyerje detyrimesh dhe mos krijim të Detyrimeve të tjera. Ky Objektiv nuk është përmbushur pasi rezulton që stoku i detyrimeve të tilla është pjesë e llogarive të financave publike vit pas viti.
Në vitin 2015 mbi 90% e detyrimeve ishin shlyer, në dhjetor 2015 ky stok shënonte 1.4 miliardë Lekë nga 72.75 Miliard të vitit 2013. Stoku i detyrimeve ka vijuar të rritet në vitet pasuese si rezultat i detyrimeve të krijuara rishtazi, përkatësisht nga 1.8 miliardë lekë në vitin 2016, rezultojnë në 5.7 miliardë lek në 2017, rritjen në 6.1 (gjashtë pikë një) miliardë lekë në 2018, ndërsa në vitin 2019 ky stok arrin vlerën më të lartë pas vitit 2013-tës, konkretisht 8.2 miliardë lekë. Në fund të vitit 2020 detyrimet e qeverisë qendrore rezultonin afro 7 miliardë lekë ose 56 milion euro.
Janë 16 institucione qendrore që rezultojnë me detyrime të pashlyera në fund të 2020, 5 prej tyre kanë akumuluar mbi 95% të detyrimeve. Ato janë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Institucioni që ka akumuluar vlerën më të lartë të borxhit të prapambetur është Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në vitin 2020, detyrimet kalonin vlerën 2 miliardë lek ose 16.7 milion euro, pra rreth 30% e borxhit të akumuluar është gjeneruar dhe duhet shlyer nga ky institucion. Këtu nuk janë njohur detyrime për shkak të vendimeve në Arbitrazh ndërkombëtar e me sa duket ekziston edhe një tjetër stok detyrimesh për të cila Qeveria nuk ka bërë njohje dhe përllogaritje. Kategoria e shpenzimeve ku ka më tepër detyrime të prapambetura janë Vendime Gjyqësore përkatësisht 58% te detyrimeve në këtë institucion ose 994 milion lek.
Institucioni i dytë me detyrimet më të larta në fund të vitit 2020 është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka akumuluar pothuaj 2 miliardë lek ose gati 28% të totalit të këtij borxhi. 76% e detyrimeve në këtë institucion ose 1.4 miliardë lek vijnë nga Vendime Gjyqësore.
Detyrimet e Ministrisë së Mbrojtjes përbëjnë thuajse 21% të detyrimeve të qeverisë qendrore, ose rreth 1.5 miliardë lek. Ministria e Mbrojtjes ka detyrime sa i takon pagesave për Sigurime Shoqërore (skema e pensioneve) dhe sigurime Shëndetësore të detyrueshme për staf të aparatit dhe vartësisë. Borxhi për Sigurime Shoqërore për Mbrojtjen është 173.6 milion lekë ndërsa për Sigurime Shendetësore është 21.5 milion lekë.
Ministria e Brendshme ka 10.5% të detyrimeve total Qeveri Qendrore ose 734 milionë lek. Ky institucion ka akumuluar borxhe për disa kategori shpenzimesh si: Vendime Gjyqësore, Investime, Sigurime Shoqërore, Shërbime, Të ardhura personale etj. Por pjesa më e madhe e detyrimeve ose mbi 90% janë detyrime të pashlyera për shpenzimet që rrjedhin nga Vendimet Gjyqësore ne vlerë 667 milion lek.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me rreth 480 milion lek detyrimeve të prapambetura të akumuluar deri në fund të vitit 2020, ka detyrime për Vendime Gjyqësore, për 44% e totalit te detyrimeve të saj.
Nëse i shikojmë institucionet për stokun e detyrimeve në raport me shpenzimet e planifikuara kapitale përkatëse, konstatojmë se ky raport për vitin 2020, rezulton më problematik tek: Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila i ka detyrimet e prapambetura sa 64% e shpenzimeve kapitale apo shpenzimeve që shkojnë për investime, më pas vjen Ministria e Mbrojtjes me stok detyrimesh në nivelin 39% të shpenzimeve kapitale, Ministria e Brendshme ka 35% të shpenzimeve kapitale detyrime të papaguar, Prokuroria e Përgjithshme ka 26%, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me rreth 19%, ndërsa pjesa tjetër e institucioneve shfaqen me një raport më të moderuar nën 10%.
ODA gjithashtu ku analizuar dhe detyrimet e prapambetura të qeverisë vendore sipas njësive që kanë akumuluar më tepër borxh të fshehur. Për të lexuar këto analiza mund të referoheni tek artikujt e tjerë të publikuar Artikuj ODA.
Shkarko excel: Borxhi i Prapambetur i Qeverisë Qëndrore, Analizë 2013-2020Komente dhe Analiza: Open Data Albania