Open Data Albania po hulumton mbi stokun e detyrimeve të prapambetura në njësitë e qeverisë vendore 2015 deri 2020. Viti 2015 është  vitit i Bashkive të reja, sipas riorganizimit të ri territorial administrativ. Detyrimet e prapambetura nuk përfshihen në vlerësimet e Borxhit Publik që raportohen nga Shteti. Detyrimet e Prapambetura janë detyrime financiare që rrjedhin nga kontratat dhe detyrime të tjera jashtë kontraktore të njohura dhe të pashlyera sipas afateve. Po aty janë edhe vendime gjyqësore të formës së prerë me palë Bashkinë, dhe me detyrime të përllogaritura në ngarkim të bashkisë, vendime për largime të padrejta nga puna apo shkaktim dëmi. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga raportet periodike të detyrimeve te prapambetura vendore, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në dhjetor 2020 detyrimet e prapambetura të Pushtetit vendorë zënë 30% të totalit Detyrime të Prapambetura të Shtetit (qëndror dhe lokal) dhe janë në vlerën 7 miliard lekë.

Nga analiza e gjendjes së detyrimeve të krijuara sipas kategorive të shpenzimeve, konstatohet se njësitë e qeverisjes vendore, pjesën më të madhe të detyrimeve i kanë në kategorinë Investime, përkatësisht 53% e detyrimeve ose 3.77 miliardë lekë. Pasohet nga kategoria Shpenzime të tjera në masën 17% të detyrimeve ose rreth 1.2 miliardë lekë. Shpenzimet e prapambetura për Vendimet gjyqësore janë 814 milionë lekë ose 12% e totalit. 10% e detyrimeve, pra rreth 718 milionë lekë janë në shpenzime për Shërbime që njësitë kanë kontraktuar dhe realizuar por që kanë mbetur pa shlyer deri në fund të vitit 2020.

Stoku i Detyrimeve për Qeverisjen Lokale ka qenë më i lartë në vitin 2015, ku ky stok shënonte 11.8 miliard lekë. Stoku ka shënuar trend rënës deri në vitin 2018. Viti 2019 si vit zgjedhor për Qeverisjen Lokale, ka shënuar përsëri një rritje të lehtë.

Duke bërë krahasim pesëvjeçari rezulton se në vitin 2020, ky stok është 40% më pak së në vitin 2015.  Spikasin tre Bashki me detyrime më të larta në 2020: Bashkia Tiranë, Bashkia Kavajë dhe Bashkia Vorë, pasi secila përbën 10% ose më shumë të totalit të detyrimeve vendore.

Në dhjetëshen e Bashkive sipas vlerave të larta të stokut të detyrimeve renditen edhe Vora, Pogradeci, Lezha, Roskoveci, Kamza, Vlora, Malësia e Madhe dhe Durrësi.

Për bashkinë Tiranë, totali i detyrimeve është lehtësisht i menaxhueshëm kundrejt të ardhurave dhe shpenzimeve të saj vjetore, problematika më e lartë me menaxhimin e financave dhe paaftësinë paguese qëndron tek Bashkitë e vogla si Kavaja, Vora, Roskoveci apo Malësia e Madhe.

Në vitin 2019 duke krahasuar stokun e detyrimeve me total shpenzime buxhetore të vitit indikatorët shkonin në nivele të larta që tregojnë situatë jo të mirë financiare. Kavaja, Konispoli, Rrogozhina, Ura Vajgurore, Poliçani, Kukësi dhe Selenica shënojnë edhe treguesit me negativ në këtë lloj vlerësimi.

Shkarko excel: Pushteti Vendor Detyrime të Prapambetura sipas Bashkive 2015 – 2020
Komente dhe Analiza: Open Data Albania