Open Data Albania po hulumton mbi detyrimet e prapambetura të shtetit shqiptar gjatë 2017 – 2020. Këto detyrime nuk vijnë nga një veprim i mirëfilltë për kreditim borxhi, por janë pasojë e mos shlyerjes në afat të detyrimeve dhe dëmeve kontraktore të njohura. Kjo formë detyrimi krijon problematika për ekonominë, palët borxhmbajtëse mund të përballen me probleme financiare dhe mungesë likuiditeti duke shkaktuar efekt negativ zinxhir. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga raportet periodike mbi detyrimet e prapambetura në nivel qendror dhe vendor, raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Në 2013, detyrimet e prapambetura të akumuluara vetëm për Qeverisjen Qendrore e kalonin vlerën 72.6 miliardë lekë, pra 5.3% e PBB-së, ndërkohe që në nivel vendor nisen të identifikohen pas riorganizimit territorial në vitin 2015. Qeveria Rama hartoi një program strategji për shlyerje të këtij lloj borxhi. Megjithë përpjekjet, në finale Detyrimet e Prapambetura vijojnë dhe në vite kanë përsëri momente me rritje. Situata paraqitet edhe më kritike sa kohë që Qeveria ende nuk ka deklaruar qartë dhe teknikisht, mbi njohjen e disa detyrimeve të karakterit dëme dhe detyrime kontraktore të vlerësuara në Arbitrazh Ndërkombëtar.

Detyrimet e prapambetura konsiderohen borxh i fshehur pasi janë vlera të pa raportuara në totalin e borxhit publik. Nëse këto detyrime do të përfshiheshin, automatikisht borxhi publik do të rritej mesatarisht në vit me plus 1.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Në 2020 raporti i borxhi publik ndaj PBB-së me përfshirje të detyrimeve të prapambetura, do të rezultonte në 79.4% dhe jo 77.9% si dhe deklarohet.

Nga analiza e stokut të detyrimeve të prapambetura gjatë viteve 2017-2020, shikojmë se niveli i tyre ka pasur rënie nga 27 miliardë lekë në 2017, në 23.8 miliardë lekë ose 193 milion euro në vitin 2020. Në dhjetor 2020, detyrimet e prapambetura janë 12.5% më pak se në dhjetor 2017.

Detyrimet e prapambetura zënë një peshë të konsiderueshme tek total shpenzime të buxhetit të shtetit, përkatësisht 5.9% në vitin 2017, me 6.3% në vitin dhe në rënie deri në 4.1% në vitin 2020. Duke llogaritur këto detyrime për Frymë rezulton që në 2020 për shlyerje të borxheve të fshehura çdo qytetar ka një detyrim prej 8 372 lekë.

Stoku i detyrimeve në çdo fund vit, reflekton për paaftësi të shtetit për menaxhimin e disiplinës fiskale. Ndryshim më të madh gjatë këtyre viteve e kanë pësuar detyrimet që rrjedhin nga rimbursimi i TVSH-së, të cilat në vitin 2018 kishin një rritje me bazë vjetore me 36.9%. Një luhatshmëri të lartë shfaqin dhe detyrimet e prapambetura në nivelin Qendror, të cilat në 2018 kishin një rritje në bazë vjetore me 7.9%, në vitin 2019 ka një rritje të lartë prej 32.8% nga viti paraardhës, ndërsa në vitin 2020 shfaqen në rënie.

Shkarko excel: Borxhi i fshehur i Qeverisë, dinamika 2017-2020
Komente dhe Analiza: Open Data Albania