Open Data Albania po hulumton mbi bilancin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës gjatë pesëvjeçarit 2016-2020. Po njësoj do të analizohet tregtia e jashtme sipas Vlerave për Kosovën me vende të rajonit si Shqipëria dhe ish republikat e Jugosllavisë. Burimi i informacionit është Instituti i Statistikave në Shqipëri dhe Agjencia Statistikore e Kosovës. Bilanci tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës në milion Lekë paraqitet pozitiv, çka tregon një vlerë më të lartë eksportesh kundrejt importeve ndaj Kosovës. Në vitin 2020, eksportet mes dy vendeve shënuan vlerën 26.2 miliard Lekë ndërsa importet vlerën 8.3 miliard Lekë. Si rezultat vlera e bilancit tregtar shënoi vlerën 17.9 miliard Lekë.
Po të shohim për pesëvjeçarin 2016-2020, rezulton që mes dy republikave në total vlera e eksporteve është 120.7 miliard Lekë, ndërsa ajo e importeve shënon 39.2 miliard Lekë. Në pesë vite, nga viti 2016 në vitin 2020, eksportet janë rritur në vlerë me 9.6 miliard Lekë, ndërsa importet janë rritur me 2.5 miliard Lekë.
Grup-mallrat kryesor në eksporte regjistruar gjatë pesëvjeçarit 2016-2020 janë tekstile, këpucë, ndërsa në importe janë materiale ndërtimi dhe metale. Eksportet në vlerë milion lekë më të larta për grupin e mallrave tekstile dhe këpucë gjatë këtij pesëvjeçari, janë regjistruar në vitin 2019. Importet lidhur me grup-mallrat materiale ndërtimi dhe metale, kanë shënuar vlerën maksimale në vitin 2018.
Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë midis vendeve të rajonit sa i përket eksporteve të realizuara gjatë periudhës 2016-2020. Ndërsa në importe Kosova zë vendin e tretë pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Nëse shohim shkëmbimet tregtare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit si Shqipërinë dhe Republikat e Ish Jugosllavisë, na rezulton që në këtë pesëvjeçar sa i takon importeve Serbia mbetet partneri kryesor i Kosovës. Në pesë vite Kosova i ka dhënë Serbisë 1.23 Miliard Euro për blerje mallrash. Në vend të dytë është Maqedonia e Veriut dhe më pas vjen Shqipëria.
Shkëmbimet Tregtare mes dy vendeve Shqipërisë dhe Kosovës karakterizohen nga vëllime modeste dhe Serbia është ende një partner ekonomik me rritje sa i takon importeve të secilës prej Republikave, Shqipërisë apo Kosovë.
Shkarko excel: Tregtia Republika e Shqipërisë me Republikën e Kosovës dhe Kosova kundrejt Rajonit 2016 – 2020Comment and Analysis: Open Data Albania