Open Data Albania po hulumton mbi bilancin tregtar me Serbinë dhe rajonin gjatë pesëvjeçarit 2016-2020. Analiza fokusohet në paraqitjen e trendit dhe dinamikën e bilancit tregtar sipas çdo grupi mallrash të kategorizuar. Burimi i informacionit është Instituti i Statistikave. Bilanci tregtar midis Shqipërisë dhe Serbisë në milion Lekë rezulton me deficit, çka tregon një vlerë më të ulët eksportesh (dalje mallrash) kundrejt importeve (hyrje mallrash) me këtë vend. Në vitin 2020, eksportet mes dy vendeve shënuan vlerën 6.3 miliard Lekë ndërsa importet arritën vlerën prej 23 miliard Lekë. Si rezultat vlera e deficitit tregtar shënoi 16.7 miliard Lekë.

Po të shohim për pesëvjeçarin 2016-2020, rezulton që mes dy republikave në total vlera e eksporteve është 29.2 miliard Lekë, ndërsa ajo e importeve shënon 110.8 miliard Lekë. Në pesë vite nga viti 2016 në vitin 2020, ekportet janë rritur në vlerë me 1.6 miliard Lekë ose 33.6 %, ndërsa importet janë rritur me 4.9 miliard Lekë ose 27.1 %.

Grup-mallrat kryesor në eksporte regjistruar gjatë pesëvjeçarit 2016-2020 janë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike. Në import grupmall kryesor është  ushqim, pije, duhan.

Rënia për eksportet drejt Serbisë është shënuar në vitin  2019, vit i cili ka një rritje të konsiderueshme të deficitit tregtar me Serbinë. Po të shohim pozicionin që zënë marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Serbi, kundrejt vendeve të tjera të rajonit, eksportet drejt Serbisë zënë vendin e tretë pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa importet me këtë Republikë zënë vendin e parë në rajon, ndjekur nga Maqedonia dhe Kosova. Me pak fjalë mund të themi që Republika e Shqipërisë blen mallra në Republikën e Serbisë dhe në pesë vite ka rritur vëllimin e blerjeve nga tregjet Serbe më shumë se me çdo vend tjetër të Ish Jugosllavisë.

Për pesë vitet e fundit nga Serbia kemi importuar mallra në vlerë totale 110. 8 miliard Lekë dhe kemi eksportuar 29.2 miliard lekë. Serbia është vendi i gjashtë në renditjen në rang botëror për vendet origjinë e mallrave të importuar. Importet nga Republika e Serbisë kanë një peshë shumë të madhe në krijimin e deficitit tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë, veçanërisht për grup-mallrat ushqim, pije, duhan ku konsumi vendas bazohet më së shumti.

Shkarko excel: Tregtia me Serbinë dhe Rajonin 2016 – 2020
Comment and Analysis: Open Data Albania