Open Data Albania po hulumton mbi vdekje, lindje dhe shtesën e popullsisë sipas gjinisë dhe grup-moshës 2011 deri 2020. Burim informacioni janë publikime të INSTAT sipas raportimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Institucioni Gjendja Civile ka të plotë regjistrin e shtetasve rezident në vend dhe jashtë vendit.  Në këtë dhjetëvjeçar, çdo vit kanë lindur mesatarisht 32 216 persona. Viti 2014 ka numrin më të madh të lindjeve me 35 760. Viti 2020 shënon numrin më të ulët me 28 075 lindje. Prej vitit 2014 trendi i lindjeve vjen në rënie dhe pakësohet gradualisht. Raporti femra meshkuj në lindje është gjithmonë në favor të meshkujve. Shqiptarëve u lindin çdo vit 3 deri 5 pikë % më shumë bebe meshkuj se femra. Rritja me bazë vjetore për totalin e lindjeve sikurse edhe për gjinitë, ka shënuar rënie të vazhdueshme të theksuara pas 2015.

Në ndryshim me Lindjet, Vdekjet raportohen në rritje gjatë viteve të fundit, ku 2020 shënon numrin më të lartë për Totalin sikurse për secilin Grup Gjinor. Viti 2020 reflekton edhe situatën dhe humbjet për shkak të pandemisë Covid -19, drejtpërdrejt nga sëmundja apo edhe nga pasoja të saj dhe pasoja të një shërbimi shëndetësor të ndikuar nga rrethanat e krijuara në Pandemi. Në vitin 2020 numri total i vdekjeve shënoi 27 605 raste, ku 12 101 janë femra dhe 15 504 janë meshkuj. Humbjet janë më të mëdha në Meshkuj ku shënohen 56.2% e vdekjeve kundrejt 43.8% për grupin Femra. Numri mesatar i vdekjeve në vend gjatë 10 viteve është 21 936. Viti 2020 ka kapërcyer me 6 669 më shumë se mesatarja e dhjetëvjeçarit.

Shtesa e Popullsisë, Diferenca Lindje Vdekje, gjatë dhjetëvjeçarit tregon rënie. Në rastin e grupit gjinor meshkuj në vitin 2020 u shënuar rezultat negativ çka flet për pakësim. Nëse në fillim të dhjetëvjeçarit shtesa natyrore si diferencë mes lindje dhe vdekje shënonte 14 273, në vitin 2020 shtesa e popullsisë sipas të dhënave të regjistrit civil publikuar nga INSAT është vetëm 470. Për fat të keq Grupi Gjinor Meshkuj ka pakësim me 1 018 vdekje më shumë se lindje. Në vite dy grupet gjinore kanë qenë në një trend të ngjashëm sa i takon shtesës së popullsisë. Treguesit e vitit 2020 dëshmojnë se Meshkujt janë fatalizuar më shumë nga Pasojat e Covid-19. Ndërkohë femrat edhe pse kanë shënuar rënie në treguesin e shtimit natyror, lindjet vazhdojnë të mbetën më të larta se vdekjet.

Raporti Numër vdekjesh për 100 Lindje të regjistruara sipas gjinisë, 2011-2020, dëshmon problematikën me popullsinë e vendit, ku numri i vdekjeve zë vend të lartë kundrejt lindjeve e në rastin e 2020 për grupin gjinor Meshkuj tejkalon me 107 vdekje për çdo 100 Lindje.

Gjatë dhjetë vjeçarit, janë shënuar 219 364 vdekje. Grupmosha më e prekur ajo mbi 85 vjeç me 24% të totalit të vdekjeve. Për personat nën moshën 20 vjeç, grup-mosha 0-4 vjeç shënon numrin më të lartë të vdekjeve gjatë dhjetëvjeçarit shpjeguar me faktin se në këtë grup përfshihen dhe vdekjet e foshnjave gjatë lindjes. Të dhënat mbi numrin e të vdekurve sipas grupmoshave dhe gjinisë, tregojnë se numri më i madh i meshkujve të vdekur gjatë dhjetëvjeçarit 2011-2020, i përkasin grup-moshës 80-84 vjeç, ndërsa për femrat, i përkasin grup-moshës mbi 85.

Viti 2020 ka shënuar më shumë vdekje për secilin grup gjinor dhe rritje vdekshmërie në moshat e mëdha. Meshkujt mbi 55 vjeç kanë tregues vdekshmërie të vitit 2020 ndjeshëm më të lartë se 2019.

Rritja vdekshmërisë, pakësimi i lindjeve, disbalanca e grupeve gjinore janë problematika të mëdha të Demografisë, Zhvillimit Ekonomik dhe Social të një vendi. Shqipëria përveç tkurrjeve natyrore karakterizohet edhe nga tkurrje për shkak të emigracionit të përhershëm dhe sezonal.

Shkarko excel: Lindje dhe Vdekje sipas gjinisë dhe grup moshave 2011 – 2020
Comment and Analysis: Open Data Albania