Në këtë hulumtim po hulumtojmë mbi transaksionet e Thesarit të Shtetit në Shqipëri dhe shpërndarjen e tyre gjatë 3 (tre) vjeçarit të fundit. Në shqyrtim janë marrë kompanitë ose operatorët ekonomikë privatë që kanë përfituar më shumë vlerë pagesash nga buxhetit të shtetit për këtë periudhë. Nga kjo analizë janë përjashtuar pagesat për institucionet shtetërore, shoqëritë publike, të zotëruara nga Ministri, Bashki ose autoritete të tjera. Gjithashtu nga rezultati janë përjashtuar edhe transaksione përmes Bankave të Nivelit të Dytë, transaksione të thesarit të cilat janë analizuar në një artikull të veçantë.  Në renditje janë edhe pagesa që kanë të bëjnë me rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, madje subjekti i parë në renditje është pikërisht përfitues për këtë kategori transaksionesh.

Renditja sipas vlerave më të larta është: Trans Adriatic Pipeline AG Abania ; Gjoka 87 ; Fusha ; Salillari ; G. P. G Company ; Gjikuria dhe Kastrati (shpk jo grupi) .


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kemi pasqyruar renditjen e 30 operatorëve ekonomikë me vlera më të larta të transaksioneve të thesarit për periudhën 2019 – 2021, dhe sipas viteve të veçanta. Po të shohim totalin e vlerës së transaksioneve të buxhetit të shtetit për të tre vitet, në vend të parë qëndron Trans Adriatic Pipeline AG Albania, shoqëria që zbaton projektin e gazjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP). Kjo kompani ka përfituar 15.4 miliard lekë nga thesari i shtetit për të tre vitet për rimbursim TVSH, duke qëndruar në krye të listës në renditjen e vitit 2020 dhe 2021. Përjashtim bën vetëm viti 2019, ku Trans Adriatic Pipeline AG Albania është renditur e dyta pas GJOKA 87.

GJOKA 87 renditet e dyta për sa i përket totalit të vlerës së përfituar nga thesari gjatë periudhës 2019-2020, me 9.48 miliard lekë të regjistruara. GJOKA 87 është një shoqëri koncesionare e themeluar për ndërtimin e rrugës së Arbrit, projekt koncesionar i fituar nga GJOKA KONSTRUCTION në 2017. Në 2019 është renditur e para sipas vlerës së pagesave të thesarit. Në 2020 dhe 2021 renditet e treta.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në vend të tretë renditet FUSHA, e cila ka marrë 6.67 miliard lekë nga thesari i shtetit për vitet 2019-2021. FUSHA është zotëruese e disa shoqerive koncesionare dhe një nga kontraktorët më të mëdhenj të kontratave publike. Kjo shoqëri ka lidhur kontrata me institucione të rëndësishme prokuruese kryesore, me njësitë e qeverisjes vendore si operator i vetëm dhe në bashkëpunim, me institucionet shëndetësore dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Në 2019 ajo ka marrë 2.76 miliard lekë nga buxheti i shtetit. Prej 2015 kjo kompani është kompania me më shumë vlerë tenderësh të fituara me Bashkitë si total.

SALILLARI është operatori ekonomik që renditet i katërti sipas vlerës së transaksioneve të thesarit, me 6.2 miliard lekë të përfituara parmes thesarit të shtetit. SALILLARI është gjithashtu zotërues i disa shoqërive koncesionare. SALILLARI ka ngjitur shkallët e renditjes në vlerën e transaksioneve të thesarit dhe në pozicion nga viti në vit. Në 2019 ishte renditur i tetëmbëdhjeti me një vlerë prej 849 milion lekë. Në 2020 renditet në vend të shtatë me me 1.67 miliard lekë dhe në 2021 ka arritur vendin e dytë me 3.69 miliard lekë, duke shënuar një rritje me 334% të vlerës nga 2019 në 2021.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

G. P. G. COMPANY mbyll Top 5 përfituesit më të mëdhenj të thesarit të shtetit për 2019-2021, me një vlerë të përfituar 5.86 miliard lekë. G. P. G. COMPANY është zotëruese e dy hidrocentraleve në Shqipëri. Në bazë të rritjes vjetore të transaksioneve (në përqindje kundrejt vitit paraardhës), kompanitë që kanë shënuar më shumë rritje gjatë periudhës 2019-2021 janë: Gjoka Konstruksion, vlera e pagesave të thesarit është rritur me 875% që nga 2019, Kevin Konstruksion ka pasur një rritje me 574% të pagesave të thesarit dhe SALILLARI që ka marrë 334% më shumë vlerë pagesash në krahasim me 2019.

Për sa i përket rënies, shoqëritë STRABAG AG  (renditje vendi 28) dhe D&E  (renditje vendit 18) janë ato që shënuar një rënie me përkatësisht 58% dhe 66% nga vlerat respektive të pagesave që kanë përfituar në vitin 2019.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse krahasojmë renditjen për vitet e veçanta, rezulton që kompanitë kanë lëvizje, ku disa prej tyre hyjnë në tridhjetëshen e parë dhe disa dalin. Në 2021 kanë dalë nga 30-shja e parë shoqëri si: shoqëria koncesinare AYEN AS ENERGJI, D&E, STRABAG AG, ALBA KONSTRUKSION. Ndërkohë kanë hyrë në 30-shen e përfituesve më të mëdhenj të thesarit në 2021 shoqëri që nuk kanë qenë në dy vitet e mëparshme, si: GJOKA KONSTRUKSION (1.8 miliard lekë në 2021), R & T (1.04 milard lekë), PE – VLA – KU (1.03 miliard lekë) dhe GTS-GAZRA TEKNIKE SHQIPTARE (1.025 miliard lekë) dhe LABORATORY NETWORKS (1.04 miliard lekë). Gjithashtu hyrje e re në 2021 është edhe Smartmatic Albania shpk, e cila është themeluar në shkurt të 2021 për ofrimin e shërbimeve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve zgjedhore/të votimit. Gjatë 2021, Smartmatic Albania shpk ka përfituar 1.06 miliard lekë nga Thesari i Shtetit.

Të dhëna mbi shoqëritë e biznesit të renditura më sipër; themelimin, zotërimin dhe menaxhimin e tyre janë të publikuara edhe në portalin Open Corporates Albania. Rubrika Transaksione Thesari, shërbim i ofruar nga Organizata AIS ka të dhëna për çdo pagesë të buxhetit të shtetit tek të tretët. Të dhënat janë të mirë-strukturuara dhe kërkimi mund të bëhet sipas Institucionit Buxhetor; Përfituesit; Kategorisë së Shpenzimit; Datave të Pagesave dhe me fjalë kyçe. Shërbimi i Thesarit Pagesa ofrohet pwr 2012 – 2013; 2014 ; 2015 – 2018 dhe 2019 – vijimësi.

Shkarko excel: Renditje Biznese Përfituese nga Thesari i Shtetit sipas vlerave, trevjeçari 2019-2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: A. Brahaj, A. Lala