Open Data Albania po hulumton mbi ecurinë e bilancit fiskal në vendin tonë në vitet e fundit duke interpretuar dhe ndikimin në borxhin publik. Qëllimi i këtij artikulli është analizimi i dinamikave të deficitit buxhetor ndër vite dhe në veçanti ndikimi i pandemisë botërore dhe efektet financiare në financat publike. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si institucioni përgjegjës për politikën fiskale në vend. Bilanci fiskal ose bilanci i përgjithshëm i qeverisë mund të rezultojë me suficit në rast se të ardhurat buxhetore tejkalojnë shpenzimet, me deficit nëse shpenzimet tejkalojnë të ardhurat buxhetore ose zero nëse të ardhurat rezultojnë sa shpenzimet buxhetore në një vit fiskal Në analizë është konsideruar dekada e fundit nga viti 2011 duke përfshire dhe vlerat e pritshme per 2021 dhe parashikimin për 2022. Gjatë periudhës së shqyrtuar evidentohet që bilanci rezulton me deficit buxhetor, pra shpenzimet nuk mbulohen nga të ardhurat buxhetore.

Deficiti buxhetor paraqet një rezultante të disa komponentëve që përfshin bilancin ndërmjet të ardhura-shpenzimeve të: Buxhetit të Shtetit, Buxhetit Vendor, Buxheti të Fondit të Sigurimeve Shoqërore, Buxheti të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore dhe Buxheti të kompensimit të pronarëve. Kontributin më të madh në krijimin e deficit e zë bilanci i buxhetit të shtetit duke qenë se përbën 75% të buxhetit total.

Nga analizimi i deficitit buxhetor ndër vite rezulton se në periudhën 2011-2015 karakterizohet nga trend rritës nga 45.8 në 58.2 miliardë lekë, kryesisht i stimuluar nga rritja më e lartë e shpenzimeve se e të ardhurave buxhetore.  Vitet 2016-2018 vijojnë të rezultojnë me një bilanc të përgjithshëm negativ por të përmirësuar pasi shfaqet trend rënës përkatësisht nga 26.7 në 26.3 miliardë lekë, përmirësim i rezultuar kryesisht nga rritje më e larte e të ardhurave buxhetore. Viti 2019 vijon me rritje të ardhurave, por një rritje më e lartë e shpenzimeve nga ana tjetër është shoqëruar me përkeqësim të deficitit buxhetor, për tu pasuar nga vite si 2020 dhe 2021 ku shfaqet situata me e rënduar përsa i përket niveleve të larta të deficit buxhetor. Në vitin 2020 deficiti kalon shumën 110 miliardë lekë, stimuluar nga rritje e lartë e shpenzimeve buxhetore të nevojshme për menaxhim të pandemisë po ashtu dhe të rindërtimit. Gjithashtu, mbledhja e dobët e të ardhurave, rreth 35 miliardë lek më pak se viti paraardhës kanë ushqyer gjithashtu një hendek të lartë në të ardhura-shpenzime. Viti 2021 parashikohet me një deficit buxhetor në vlerë nominale më të lartë se 2020, përkatësisht mbi 120 miliardë lekë për shkak të nevojave për shpenzime shtesë, vlera faktike e cilave pritet rreth 74 miliardë lekë më shumë se viti 2020. Nga krahasimi nominal i deficitit të pritshëm në 2021 me 2011 vërehet trefishim i hendekut ose një rritje me 163% e deficitit buxhetor.


Burimi: MFE (2021), Tabelat fiskale, shoqëruese të Ligjit të Buxhetit Vjetor
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Matja e deficitit buxhetor në terma të Prodhimit të Brendshëm Bruto si një tregues më efektiv në menaxhimin e financave publike vjetore, dëshmon se krahas trendit rritës të deficitit në vlerë nominale gjatë 2011-2015, viti 2014 rezulton me deficit buxhetor më të lartë përkatësisht 5.2% e PBB-së. Viti 2020 dhe 2021 shfaqen në pozita të ngjashme me një deficit fiskal rreth 6.8% e PBB-së dhe parashikohet trendi rënës në vitin 2022 si përmirësim në rreth 5.4% të PBB-së.


Burimi: MFE (2021), Tabelat fiskale, shoqëruese të Ligjit të Buxhetit Vjetor, PBB 11 dhe 12 marre nga http://ëëë.financa.gov.al/ëp-content/uploads/2018/08/Buletini_Borxhit_2013-21-1.pdf
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2021), Tabelat fiskale, shoqëruese të Ligjit të Buxhetit Vjetor, PBB 11 dhe 12 marre nga http://ëëë.financa.gov.al/ëp-content/uploads/2018/08/Buletini_Borxhit_2013-21-1.pdf
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Rëndësia e menaxhimit të deficitit vjetor fiskal krahas përformancës vjetore, vlen të analizohet dhe për ndikimin ndër vite duke qenë se stimulon borxhin publik, i cili përfaqëson akumulimin e deficiteve fiskale ndër vite. Nga krahasimi i këtyre dy treguesve ndër vite të shprehur në terma të PBB-së, konstatohet se vitet ku evidentohen me përmirësim të deficitit buxhetor shoqërohen me trajektore rënëse të borxhit publik. Konkretisht në vitet 2015-2019 ku deficiti buxhetor/PBB luhatet nga 4% në 1.9%, borxhi publik/PBB karakterizohet nga trajektore rënëse që merr vlera faktike nga 72.7% në 66.2%. Kjo periudhë konsiston në një menaxhim më të mirë të financave publike si rezultat i masave të reja shtrënguese te aplikuar pas 2016. Futja e rregullave të reja fiskale në Ligjin e Menaxhimit të Sistemit Buxhetor në Shqipëri në vitin 2016, ndër të cilat ishte dhe klauzola detyruese ‘për të siguruar rënie të borxhit publik derisa të arrije vlerën 45% të PBB-së’, si rezultat i zbatimit të klauzolave ligjore ka çuar në rënie të borxhit publik. Rritja e deficitit vjetor në dy vjecarin e fundit ka stimuluar rritje të borxhit publik i cili parashikohet të vijojë në rritje në 2022 deri në vlerat 79% e PBB-së, duke cenuar rregullin fiskal.


Burimi: MFE (2021), Tabelat fiskale, shoqëruese të Ligjit të Buxhetit Vjetor,Vlera nominale e Borxhit 2020 nga AN4 21 dhe e 2022 nga LB 22
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2021), Tabelat fiskale, shoqëruese të Ligjit të Buxhetit Vjetor, Vlera nominale e Borxhit 2020 nga AN4 21 dhe e 2022 nga LB 22
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Pavarësisht situatës vulnerabile të financave publike në Shqipëri, si rezultat i goditjeve ekonomike dhe jo vetëm, në trevjeçarin e fundit, një tablo e ngjashme shfaqet dhe në financat publike të shteteve të tjera në mbarë botën, pasi pandemia ishte një risk eksplicit që prek të gjithë shtetet. Në nja analizë krahasuese të Shqipërisë me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, duke ndaluar tek treguesit e deficitit buxhetor dhe borxhit publik shprehur në terma të Prodhimit të Brendshëm Bruto, konstatohet se në vitin 2020, ku shfaqet fillimisht ndikimi i pandemisë botërore, deficitin buxhetor më të lartë e ka gjeneruar Mali i Zi, rezultat i arsyetuar me strukturën e ekonomisë së këtij shteti. Duke qenë së aktiviteti me peshë më të lartë rezulton në sektorin e turizmit, mbyllja e ekonomive ka rezultuar me reduktim të ndjeshëm të të ardhurave të këtij shteti duke çuar kështu në deficit rreth 11% të stimuluar më së shumti nga rënie e të ardhurave. Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë vendet që pasojnë në rajon për nivele të lartë të deficit fiskal përkatësisht 8.2% dhe 8.1%. Shqipëria pason në vendin e katërt për deficit të lartë rreth 6.9% e PBB-së. Edhe pse Shqipëria nuk shfaqet në vendet me performancë vjetore më të dobët të financave, rezulton e dyta për borxhin më të lartë publik, kjo për shkak se niveli i borxhit rezultonte ndër më të lartit në rajon dhe në vitin 2019. Rritjen më të lartë të borxhit e ka përjetuar Mal i Zi mbi 28% rritje krahasuar me vitin 2019, ku nga 76.5% tejkaloi 105% të PBB-së në 2020. Me rritje të konsiderueshme shfaqet dhe Maqedonia e Veriut duke tejkaluar më shume se 10% krahasuar me vitin 2019. Shqipëria rezulton e treta në rajon për rritjen e borxhit publik me plus 7%, nga 66.3% në vitin 2019 mbi 76.1% në 2020. Duke analizuar vlerat e 2020 Shqipëria është vendi i dytë në rajon për nivelin më të lartë të borxhit pas Malit të Zi.


Burimi: MFE (2021) Raporti i Zbatimit të Buxhetit faktik 2019 dhe 2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2021) Raporti i Zbatimit të Buxhetit faktik 2019 dhe 2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Vijimësia e pandemisë përkthehet në një ndikim të zgjatur në financat e shteteve, kështu dhe parashikimet për vitin 2022 shfaqen me deficit të lartë buxhetor si shkak i nevojave për financime shtesë në shumë sektorë, kryesisht shëndetësi, mbrojtje sociale dhe ekonomike, po kështu duke ndikuar në nivele ne rritje të borxhit publik.

Shkarko excel: Deficiti Buxhetor 2011 – 2022, Shqipëria në krahasim me Rajonin
Komente dhe Analiza : Open Data Albania