Open Data Albania ka bërë një hulumtim mbi popullatën e minoriteteve kombëtare dhe kulturore në Shqipëri. Të dhënat statistikore për minoritetet janë mbledhur nga disa burime, përgjithësisht publikime të Institutit të Statistikave, Drejtorisë së Statistikës, apo raportime të ndryshme ligjore të qeverisë shqiptare.

Hyrje: Shqipëria njeh aktualisht dy lloje minoritetesh, minoritete etnike kombëtare dhe minoritete kulturore dhe gjuhësore. Njohja e minoriteteve ka qenë një proces që ka evoluar me kalimin e kohës. Mbledhja e të dhënave për ekzistencën e tyre, metodologjia e mbledhjes së këtyre të dhënave apo vetë koncepti i të qenit minoritar ka qenë gjithashtu në evoluim.

Përkufizimi ligjor: Kombësia joshqiptare njihet si e tillë nga shteti shqiptar nëse është e regjistruar në regjistrat e gjendjes civile. Të dhënat për këtë regjistër janë grumbulluar fillimisht me census. Në censuse janë mbledhur veçanërisht të dhënat për minoritetin grek dhe më rrallë për minoritetin arumun. Në vitin 2011, censusi i përgjithshëm i popullatës dhe banesave mblodhi të dhëna për të gjitha minoritetet në Shqipëri, por metodologjia e mbledhjes së këtyre të dhënave, është e ndryshme dhe rrjedhimisht ato nuk janë të krahasueshme me të dhënat e mbledhura më parë.

Kombësia e përfituar nga lindja: Shqipëria pranoi të njohë si nënshtetas të vet popullsinë me kombësi greke me një deklaratë para Lidhjes së Kombeve në vitin 1921 ku njihej barazia e shtetasve shqiptarë para ligjit pavarësisht lindjes, kombësisë, gjuhës, rracës apo fesë. Neni 3 i Deklaratës së firmosur nga Fan Noli thotë se “banorët që jetojnë në Shqipëri që para luftës, sëbashku me gratë dhe fëmijët e tyre nën tetëmbëdhjetë vjeç, duhet të bëhen shtetas shqiptar brenda dy vitesh nga data e kësaj deklarate në rast se ata dëshirojnë të bëjnë një aplikim për këtë gjë.”[i]

Deklarata bën të qartë në mënyrë eksplicite se banorët që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë një kombësi të ndryshme nga kombësia shqiptare, kishin një afat dyvjeçar për t’u deklaruar nënshtetas shqiptar me kombësi tjetër. Legjislacioni shqiptar nuk e njeh të drejtën e ndryshimit të kombësisë së regjistruar fillimisht sipas deklaratës së Lidhjes së Kombeve me vullnet të lirë.

Ligji Nr. 10 129, datë 11.5.2009 Për Gjendjen Civile, neni 58 thotë:

1. Fëmija merr kombësinë e prindërve me kombësi të njëjtë, të dokumentuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kjo kombësi nuk mund të ndryshohet, përveç rasteve, kur, sipas ligjit, vërtetohet pasaktësia e kombësisë së prindërve, ose kur ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, për ndryshimin e atësisë apo të amësisë[ii].

Bazuar mbi parimin e pandryshueshmërisë së kombësisë janë grumbulluar të dhëna mbi minoritetet e ndryshme në censuset e mëparshme të kryera në Shqipëri. Në të gjitha këto raste, të dhënat e regjistrit kombëtar të gjendjes civile janë përdorur për të përpiluar statistikat mbi kombësinë.

Vetëdeklarimi: Ndryshe nga ky parim, në Censusin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, shqiptarët u vunë përballë pyetjes për “përkatësinë etnike dhe kulturore” dhe u lejuan të vetëdeklarohen sipas vullnetit të tyre të lirë dhe pa lidhje me statusin e tyre të shënuar në Regjistrin e Gjendjes Civile. Në këtë mënyrë, Shqipëria kapërceu detyrimet që i lindën nga Deklarata para Lidhjes së Kombeve të vitit 1921. Por informacioni i mbledhur nga Censusi 2011 nuk ka efekte ligjore.

Statistikat e disponueshme

Të dhënat e publikuara nga qeveria shqiptare i referohen burimeve zyrtare statistikore si dhe perceptimeve ose vlerësimeve të ndryshme. Për minoritetin grek ekzistojnë të dhëna më të detajuara ndërsa për minoritetet e tjera të dhënat janë më të rralla ose mungojnë tërësisht.

Shqipëria i ka deklaruar të dhënat mbi minoritetet në raporte të njëpasnjëshme të qeverisë në kuadër të Artikullit 25, paragrafi 1 i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare, si dhe i ka publikuar disa nga këto raporte në Fletoren Zyrtare[iii].

Minoritetet, vështrim i përgjithshëm

Shqipëria i raportoi minoritetet kombëtare sipas censuseve 44,570 vetë më 1960, 54,687 vetë më 1979 dhe 64,816 vetë në vitin 1989. Shumica dërrmuese e minoritetit të regjistruar gjatë kësaj kohe ka qenë minoriteti grek. Përqindja e minoriteteve kombëtare në popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë mes viteve 1960 dhe 1989 ka rënë gradualisht nga 2.7 për qind në 1.9 për qind. Minorancat kombëtare kanë njohur një normë rritjeje dy herë më të vogël se sa popullata e vendit në tërësi. Kështu, mes viteve 1960 dhe 1989, popullata minoritare u rrit me 45 për qind ndërsa popullata e Shqipërisë në tërësi u rrit me 97 për qind.


Burimi: Census 2011
*Të dhënat e vitit 2011 përfshijnë minoritetet Rome, Egjiptiane, etj, të cilat në censuset e mëparshme nuk qenë përfshirë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

 Është e vështirë të spekulohet për arsyet e rritjes më të ngadaltë të popullsisë minoritare gjatë kësaj periudhe. Hipoteza të mundshme janë: prirja për të regjistruar fëmijët me kombësi shqiptare në rastin e martesave mikse apo dallime në normën e jetëgjatësisë apo të lindshmërisë.


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në vitin 2011, minoritetet etnike dhe kombëtare rezultuan 52,700 vetë ose 1.9 për qind e popullsisë. Krahasimi mes vitit 1989 dhe 2011 nuk është i mundur pasi metoda e matjes është e ndryshme dhe koncepti “minoritet” më 2011 është zgjeruar për të përfshirë bashkësi që më 1989 nuk njiheshin si minoritete, përfshirë maqedonasit, arumunët, romët, egjiptjanët etj.


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Minoriteti grek

Shteti shqiptar ka raportuar se minoriteti grek qe 58,758 vetë më 1989, 1.8 për qind e popullsisë, e nxjerrë kjo sipas kombësisë së shënuar në Regjistrin Civil ndërsa sipas vetëdeklarimeve, më 2011, shqiptarët me kombësi greke rezultuan 24,242 vetë, 0.9 për qind e popullsisë.

Në vitin 1989, Grekët qenë të pranishëm në të gjithë territorin e vendit, por numri më i madh i tyre qe në Sarandë dhe Delvinë (36,531 vetë) si dhe në Gjirokastër, (19,921 vetë). Në Sarandë dhe Delvinë, ata përbënin më 1989 afërsisht 40 për qind të popullsisë ndërsa në Gjirokastër përbënin 30 për qind. Në zona të tjera të vendit, popullata greke qe e kufizuar në pak dhjetëra apo qindra vetë.


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Minoriteti rom

Shqipëria nuk i ka numëruar kurrë anëtarët e minoritetit rom me përjashtim të vetëdeklarimit të vitit 2011, por qeveria shqiptare në strategjinë për përmirësimin e kushteve të minoritetit rom, miratuar në vitin 2003, citon burime të ndryshme për të vlerësuar popullatën rome mes 60 mijë dhe 120 mijë vetë[i].

Por censusi i vitit 2011 identifikoi gjithsej 8,301 romë në të gjithë vendin.

Minoriteti arumun

Shqipëria ka raportuar shifra për popullatën arumune në vitet 1950, 1955 dhe 2011. Popullata e tyre qe 2,381 vetë më 1950 dhe u rrit në 8,266 vetë më 2011, me një normë rritjeje prej 247 për qind, e përafërt kjo me normën e përgjithshme të rritjes së popullsisë në vend.


Burimi: Census 2011
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Minorancat e tjera

Në Shqipëri, në vitin 2011 u raportuan të vetëdeklaruar me kombësi maqedonase 5,512 vetë, malazeze, 366 vetë dhe egjiptiane, 3,368 vetë. Për këto minoranca nuk disponohen të dhëna të mëparshme.


[1] Deklarata e plotë mund të lexohet në: http://ungarisches-institut.de/dokumente/pdf/19211002-1.pdf aksesuar më 31 janar 2013

[1] http://80.78.70.231/pls/kuv/f?p=201:Ligj:10129:11.05.2009 aksesuar më 25 janar 2013

[1] Raporti i parë gjendet në adresën: http://www.mfa.gov.al/dokumenta/raporti%20i%20pare%20(ang).pdf Aksesuar më 31 janar 2013.

[1] http://80.78.70.231/pls/kuv/f?p=201:Vendim%20i%20KM:633:18.09.2003 Aksesuar më 26 janar 2013

Shkarko excel: Minoritetet etnike në Shqipëri
Komente dhe Analiza : Open Data Albania