Open Data Albania po hulumton në lidhje me Fondin për Leje Lindjeje dhe Grantin për fëmijë të lindur (Bonusi i Bebes) për periudhën 2014-2021. Që prej dates 1 Janar 2015, masa e përfitimit të lejes së lindjes rregullohet me ligjin nr.104, datë 31.07.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7703, datë 11.05.1993 ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Leja e lindjes në vendin tonë është 365 ditë kalendarike kur nëna pret të lindë një fëmijë dhe 390 ditë kur lind më shumë se një fëmijë, ndërsa masa e përfitimit të tyre varet nga statusi i saj i punësimit.

Me miratimin e ligjit nr.104, datë 31.07.2014, masa e përfitimit të pagesës së lindjes llogaritet duke u bazuar në Pagën Neto dhe jo Pagën Bruto të vitit të mëparshëm, duke sjellë kështu një pakësim të nivelit të të ardhurave në muaj që merr nëna pas lindjes. Më parë, Open Data ka publikuar një Artikull në lidhje me masën e përfitimit të fondit të lejes së lindjes me ndryshimet e ligjit që japin efekte në 2015.

Konkretisht, nëse marrim në konsideratë pagën minimale (30 000 Lekë),  para ndryshimit të ligjit prindi me pagë të deklaruar 30 000  përfitonte 80% të pagës bruto të saj, pra konkretisht 24 000 Lekë për 6-mujorin e parë dhe  50% të pagës bruto pra 15 000 Lekë në muaj për 6-mujorin e dytë. 

Ndërsa pas ndryshimit të ligjit, i njëjti prind me të njëjtën pagë prej 30 mijë lekësh përfton 80% të pagës neto të saj pra 21 312 Lekë për 6-muajt e parë të paslindjes dhe 13 320 Lekë për 6-mujorin e dytë pas lindjes. Pra nëna e re merr 2 688 Lekë në muaj më pak në 6-mujorin e pare dhe 1 680 Lekë në muaj më pak në 6-mujorin e dytë.

Në grafikun e mëposhtëm paraqitet fondi leje lindjeje, ku viti 2020 shënon vlerën  rreth 3.89 miliardë Lekë apo 8.2% më shumë krahasuar me vitin 2019. Nëse i referohemi trendit ndër vite, në vitin 2015 vihet re një rënie dukshme me 46 milionë Lekë të fondit për leje të lindjes apo 1.8% më pak krahasuar me vitin 2014. Kjo për shkak të zbatimit të ligjit nr.104, datë 31.07.2014.


Burimi:Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Raporte Statistikore ndër vite
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse bëjmë një raport mes total vlerë leje lindje, me total numër lindjesh në një vit të caktuar, na rezulton pagesë mesatare të barrëlindjes ndër vite, ku vihet re një trend rritës. Për vitin 2020 pagesa mesatare për çdo lindje është 138,878 Lekë apo 10.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e pagesës mesatare është rënia e numrit të lindjeve, rritja e pagës mesatare për femrat, rritja e shkallës së pjesëmarrjes së femrave në forcën e punës si dhe rritjes së shkallës së punësimit të femrave ndër vite.


Burimi:Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Raporte Statistikore ndër vite
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në vitin 2019, Qeveria Shqiptare përfshiu një përfitim në para (bonusi për bebet e lindura) për të gjitha nënat që lindin fëmijë. Masa është 40 000 lekë për fëmijën e parë, 80 000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për fëmijën e tretë e kështu me rradhë.

Në vite vlera e ofruar për Bonus Bebi dhe vlera e përfituar nga Leje Barrë Lindje është duke u ofruar , çka ngre pikëpyetje nëse Bonusi i Bebes mbështet fëmijë të nënave kontribuuese dhe përfituese në vend kundrejt prindërve të fëmijëve me shtetësi shqiptare por rezident apo me dyshtetësi në vend të tjera.

Sipas të dhënave në Open Spending Albania, rezulton që për vitin 2021 janë likujduar nga Buxheti Shtetit 3.46 miliardë Lekë rreth 0.2% e PBB-së, ndërkohë për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB në Projekt Buxhet-in 2022.


Burimi: Open Spending Albania, Transaksione Thesari, 2019-2022
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Instituti i Statisitikave si dhe nga Open Spending Albania, platformë e AIS në të cilën mund të gjeni të dhëna mbi transaksionet e thesarit të kryera sipas Autoritetit, sipas kategorisë së shpenzimit dhe sipas periudhës.

Shkarko excel: Fondi për Leje Lindjeje dhe Bonusi i Bebes, 2014-2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania