Open Data Albania po hulumton mbi realizimin e shpenzimeve të Fondit i Rindërtimit viti 2020 dhe mënyrën e ekzekutimit të këtij fondi. Fondi i Rindërtimit është një fond i krijuar në Buxhetin e Shtetit 2020, për përballimin e efekteve financiare të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Me Ligj Nr. 88/2019 ‘Për Buxhetin e Vitit 2020’, Fondi i Rindërtimit u planifikua 20 miliardë Lekë. Ky ligj është ndryshuar disa herë gjatë vitit 2020. Ndryshimit më të fundit Dhjetor 2020, Fondi i Rindërtimit rezultonte 32 miliardë lekë, pra rreth 5.5% e shpenzimeve totale të Buxhetit të Shtetit. Ky fond i cili shpenzohet kryesisht për investime, ka një peshë sa një e treta (33%) e fondit për Shpenzime Kapitale nga Buxhetit i shtetit.

Për të hulumtuar mbi konsolidimin dhe planifikimin më të detajuar të këtij Fondi do të evidentojmë të plotë aktet nënligjore mbi shpërndarjen e Fondit, Akte të tipit Vendime të Këshillit të Ministrave viti 2020. Këto VKM kanë alokuar vlerën prej 29.55 miliard Lekë (njëzete nëntë miliard e pesëqind e pesëdhjetë e tre milion e tetëdhjetë e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre Lekë). Përmes VKM të miratuara bëhet e mundur edhe evidentimi i llojit të investimit, institucioni që shpenzon dhe zona apo bashkia ku destinohet investimi.

Nëse në fund të vitit, institucionet përkatëse kanë fonde të pashpenzuara, ato trashëgohen në vitin pasardhës tek Fondi i Rindërtimit në Buxhetin e Shtetit dhe përdoren për të njëjtin qëllim.

Sipas buxhetit të konsoliduar, rezulton se gjatë vitit 2020 është realizuar vetëm 52% e shpenzimeve të Fondit të Rindërtimit, pra rreth 16.6 nga 32 miliardë lekë Planifikim

Gjatë vitit 2020, janë miratuar rreth 90 Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) për Fondi i Rindërtimit, ku 15 prej tyre janë ndryshime të VKM pararendëse që lidhen sidomos me ndryshimin e fondeve të alokuar për zbatim nga Fondi Shqiptar për Zhvillim. Nga detajimi sipas VKM-ve, origjinale është alokuar plotësisht Fondi në masën 100% apo 32 miliardë lekë. Duke ju referuar akteve VKM në ndryshim VKM të mëparshme, rezulton e miratuar vetëm 92% e fondit të planifikuar për rindërtim për vitin 2020, pra 29.5 nga 32 miliardë që ishin planifikuar.

Përfituese nga Fondi i Rindërtimit janë Bashkitë e prekura, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia e Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Bashkitë e prekura janë Tirana, Durrësi, Kurbini, Shijaku, Lezha, Kruja, Kavaja, Kamza, Vora, Rrogozhina dhe Mirdita.

Fondit të Rindërtimit 2020 sipas qëllimit të përdorimit kategorizohet në dy grupe të mëdha: Grupi i parë është infrastrukturë publike si: objekte arsimore, infrastruktura urbane si ura, institucione shtetërore, apo objekte trashëgimi  kulturore dhe historike. Grupi i dytë janë banesa individuale (pallat) dhe infrastruktura përkatëse, ku konstatohet që kategoria e dytë zë një peshë shumë më të lartë përkatësisht 71% të shpenzimeve të planifikuara,  rreth 21 miliardë lekë ose 169 milion euro.

Institucioni përgjegjës për zbatimin e pjesës më të madhe të fondit të rindërtimit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), konkretisht 9.9 miliardë lekë ose 34% e fondit të shpërndarë FSHZH është prokurues për ndërtimin e objekteve të banimit në bashkitë e prekura, rindërtimi të objekteve arsimore dhe objekte të infrastrukturës publike, të cilat janë konsideruar shpenzime kapitale në Programe Zhvillimi. Pjesa më e madhe e fondeve të miratuar për FSHZH, konkretisht 55%, janë për rindërtimin e infrastrukturës publike dhe objekteve arsimore, Alokimi i këtyre fondeve është realizuar nëpërmjet pesë VKM-ve.

Për Bashkia Tiranë, është miratuar shuma 7.6 miliardë lekë ose rreth 26% e Fondit të Rindërtimit 2020 pra në Euro rreth 61 milion të cilat janë alokuar përmes 10 VKM-ve. Këto fonde janë alokuar për (i) inspektimin e dëmeve nga tërmeti; rindërtimin e banesave individuale dhe infrastrukturës së tyre funksionale, rindërtimin e objekteve arsimore; rikonstruksion të infrastrukturës publike etj. Pjesa më e madhe e fondeve janë miratuar për rindërtimin e banesave dhe infrastrukturës së tyre funksionale, konkretisht 72% e fondeve që ka përfituar Tirana ose 5.46 miliardë lekë apo rreth 44 milionë euro.

Institucion tjetër që ka përfituar rreth 17% të Fondit të Rindërtimit gjatë 2020, është Bashkia Durrës, në të cilën është miratuar kalimi i shumës rreth 5 miliardë lekë ose rreth 40.5 milion euro. Kalimi i këtyre fondeve është miratuar nëpërmjet 9 vendimeve të Këshillit të Ministrave. Të gjitha këto fonde kanë si qëllim përdorimi, rindërtimin e banesave individuale apo pallat në varësi të nivelit të dëmtimit: riforcim, rindërtim apo ndërtim nga e para.

Bashkia e tretë sipas shumës së përfituar nga Fondi i Rindërtimit 2020, është Bashkia Kurbin, për të cilën është miratuar kalimi i 5% të fondit, ose mbi 1.3 miliardë lekë. Rreth 1 miliardë lek ose 78% e këtyre fondeve janë miratuar për rindërtimin e banesave individuale apo pallat, përgatitjen e sheshit të ndërtimeve, ndërsa 22% e shumës është miratuar për rindërtimin e godinës së Bashkisë Kurbin pra rreth 296 milion lek ose 2.4 milion euro.

Bashki tjetër e prekur dhe që ka përfituar 4% të fondit të rindërtimit është Bashkia Shijak, për të cilën janë miratuar 1.26 miliardë lekë ose rreth 10 milion euro. Miratimi i tyre është bërën përmes  7 VKM-ve gjatë vitit 2020.

Bashkia Lezhë ka përfituar mbi 1 miliardë Lekë nga Fondi i Rindërtimit, 2020. Kalimi i kësaj shumë është miratuar nëpërmjet 12 VKM-ve. 90% e fondeve të miratuar për Bashkinë Lezhë ose 940 milionë lekë janë miratuar për riparim apo rindërtim banesash dhe infrastrukturës përkatëse, ndërsa pjesa tjetër ose 102 milionë Lekë shkojnë për infrastrukturë publike si objekte arsimore, pallati i kulturës etj.

Për Bashkinë Krujë nëpërmjet 6 VKM-ve, është miratuar kalimi i shumës prej 896 milionë lekë.

Për Bashkinë Kavajë, nëpërmjet 5 VKM-ve, është miratuar kalimi i shumës prej 793 milionë lekë.

Për Bashkinë Kamëz, nëpërmjet 5 VKM-ve, është miratuar kalimi i shumës prej 541 milionë lekë.

Për Bashkinë Vorë, nëpërmjet 3 VKM-ve, është miratuar kalimi i shumës prej 220 milionë lekë.

Nëpërmjet Vendim nr. 524, datë 1.7.2020 është miratuar kalimi i shumës prej 110 milionë lekë për Bashkinë Rrogozhinë dhe 29.8 milionë lekë për Bashkinë Mirditë. Institucione të tjera qendrore ku janë alokuar rreth 760 milionë lekë ose rreth 6.1 milion euro janë AKSHI 19.4 milionë lekë për ngritjen e Portalit Qeveritar për Rindërtimin; Instituti i Ndërtimit, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë 160 milionë lekë për inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve nga tërmeti në njësitë vendore;për Ministrinë e Kulturës me  rreth 237 milionë lekë për rindërtim e restaurim të pasurive kulturorë në njësitë vendore të prekur nga tërmeti. Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me 151 milionë lekë për rindërtim të urës së Tapizës. Për Ministrinë e Brendshme, Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara janë miratuar kalimi i shumës prej 55 milionë lekë për financim dhe kolaudimin e Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit.

Informacion më i detajuar mbi shpenzimet faktike të vitit 2020 sipas institucioneve mund të aksesohet tek portali Open Data Albania, rubrika Transaksione Thesari dhe tek AksesDrejtesi.al. Gjithashtu, për informacione dhe përditësime mund të ndiqni artikuj  të tjerë të publikuar tek NdiqParate.al.

Shkarko excel: Fondi i Rindërtimit 2020, planifikim, vendimmarrje qeveritare dhe realizim buxheti
Comment and Analysis: Open Data Albania