Open Data Albania po hulumton mbi strukturën e borxhit të brendshëm duke detajuar vlera sipas mbajtësve të tij në vitet 2010-2015. Stoku i borxhit të brendshëm përbëhet nga bonot e thesarit dhe obligacionet të cilat janë instrumente afatshkurtër dhe afatgjatë. Banka e Shqipërisë mban një pjesë të borxhit qeveritar si një formë për mbajtjen në kontroll të normës së tregtimit të bonove të thesarit nëpërmjet shitjes dhe blerjes së tyre.

Banka Qendrore do duhej të ndikonte në kërkesën dhe ofertën për këto instrumente borxhi. Bankat e nivelit të dytë investojnë në borxh të brendshëm një pjesë të depozitave që marrin nga klientët. Ky investim është konsideruar  një alternativë investimi me risk të ulët për bankat komerciale apo njohur ndryshe banka të nivelit të dytë.

Institucionet financiare jo banka dhe institucionet jo financiare përfaqësohen në Shqipëri kryesisht nga shoqëritë e sigurimit, fondet e pensionit dhe fondet e investimit. Këto institucione, fondet që marrin nga klientët e tyre i angazhojnë në letrat me vlerë të tregtueshme të qeverisë, si forma e vetme e investimit në letra me vlerë në Shqipëri, në mungesë të investimit në letra me vlerë të tregtueshme në bursë.

Individët kryesisht marrin pjesë në ankandet e realizuara për letrat me vlerë të borxhit të brendshëm, për sigurimin e kthimeve nga normat e ofruara nga bonot apo obligacionet, si një alternativë më e mirë investimi e drejtpërdrejtë në krahasim me depozitat bankare pranë bankave të nivelit të dytë.


Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe analiza: ODA


Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe analiza: ODA


Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe analiza: ODA

Banka e Shqipërisë në vite ka ulur peshën që mban me investimin e saj në totalin e borxhit qeveritar nga 15% të totalit në vitin 2010 në gati 10% të totalit në fund të tremujorit të dytë të 2015. Kjo vjen si shkak i mos investimit në borxhin shtesë të ri të emetuar përgjatë këtyre viteve. Vlera e investimit në borxh qeveritar për Bankën Qendrore mbetet afërsisht e njëjtë prej gati 62 miliard lekë, ku përjashtim janë vitet 2012 dhe 2015 me uljeve në kufijtë e 58 dhe 59 miliard lekë. Edhe për individët paraqitet e njëjta tendencë në vite.

Pesha ndaj totalit për borxh mbajtje të individëve mbetet në nivelet e 12% me përjashtim të vitit 2012 ku kjo peshë shkon në nivelin e gati 15% për tu ulur më pas në vitet në vazhdim. Kjo dëshmon për orientimin e kursimeve të individëve drejt investimit në borxh të brendshëm qeveritar, si një alternativë pe risk, dhe me kthime kryesisht më të larta se depozitat bankare. Rritja e volumit përgjatë viteve me vlera nga 49 miliard lekë në 70 miliard lekë tregon një fakt të tillë.

Për sa i përket Bankave të Nivelit të Dytë dhe investimit të tyre në borxh të brendshëm, sjellja e tyre është e ndryshme. Banka Kombëtare Tregtare ka rritje në këtë formë investimi njëkohësisht në vlerën dhe peshën më të lartë ndaj stokut të borxhit total deri në fundin e vitit 2014. Për vitin 2015, kjo bankë shënon një rënie me gati pesë miliard lekë.

Për sa i përket grupit të bankave të tjera të nivelit të dytë, vlera e stokut të borxhit të brendshëm vjen në rritje përgjatë viteve, ku rritjen më të madhe e gjejmë në vitin 2013 me gati 24 miliard lekë dhe në vitin 2014 me gati 21 miliard lekë.

Raiffeisen Bank është banka e nivelit të dytë që aktualisht investon më shumë në borxh të brendshëm kundrejt totalit. Ndërkohë në vitet e fundit kjo bankë ka ulur peshën e mbajtjes së drejtpërdrejt të borxhit  si pasojë e krijimit të Raiffeisen Prestige, një  fond i përbashkët investimi në letra me vlerë. Çka është shoqëruar me fenomenin e borxh mbajtjes nga institucione jo banka.


Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe analiza: ODA


Pesha që këto shoqëri investojnë fillon në 1% në vitin 2010 për të arritur në nivelin e gati 15% në vitin 2015, afërsisht sa BKT apo Raiffeisen Bank. Rritja më e madhe vjen në vitin 2013, një vit pas krijimit të Fondit Prestigj me gati 6% të stokut të borxhit. Rritja në vlerë është në nivelet nga 4 miliard në 2010 në rreth 85 miliard lekë në 2015. Një rritje e tillë është në nivele të larta edhe për sa i përket Fondit Prestigj duke arritur nivelin e 9.22% në vitin 2015.