85% e pensionistëve shqiptare marrin më pak se 123 euro në muaj. Nëse qeveria do të miratonte minimumin jetik prej 17 mijë lekësh në muaj, të gjitha këto pensione duhet të ishin rritur automatikisht si detyrim ligjor.

Kujtojmë deklaratën e ministres së Financave Delina Ibrahimaj, e cila shkaktoi shumë bujë, duke thënë se një person me te ardhura 130-140 euro nuk konsiderohet i varfër.

Në harkun kohor të viteve 2012-2021 numri i pensionistëve ka ardhur çdo vit në rritje. Gjithashtu vihet re se numri i pensionistëve urbanë (rezident në qytete) është në përpjesëtim të zhdrejtë me ato ruralë (banorë në fshat).

Nëse numri i pensionistëve urbanë rritet mesatarisht 4 % çdo vit, ai i pensionistëve rurale është në rënie me rreth 4% çdo vit.

Këto janë të dhënat e publikuara nga “Open Data Albania”, e cila bën me dije se në harkun kohor të dhjetë viteve një pensionisti i janë rritur të ardhurat me 3, 208 lekë.

Në qytet pensioni mesatar i pleqërisë është 14, 974 lekë, ndërsa në fshat llogaritet 6,659 lekë. Të ardhurat e një pensionisti përbëhen nga: pensioni (pleqërie, invaliditeti, familjar), kompensimi për energjinë elektrike, kompensimi për bukën, kompensimi për ngarkesë, kompensim për të ardhurat minimale të pensionistëve dhe kompensimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Linku i Artikullit: https://politiko.al/e-tjera/ne-10-vite-pensionet-rriten-vetem-me-rreth-3-mije-leke-cfare-ndodh-nese–i456543