Në këtë artikull do të analizojmë kostot që APLIKOHEN përtej pagës neto (pagë që arkëtohet nga i Punësuari) për një vend pune me pagë mesatare në Shqipëri dhe Rajon.

Vendet aplikojnë detyrime për Kontribute Shëndetësore; Kontribute për Sigurim Shoqërorë si mbrojtje për Pension Pleqërie dhe Pagesë Paaftësie dhe Papunësie. Përtej Kontributeve dhe Sigurimeve individët paguajnë edhe Tatim mbi të Ardhurën nga Paga.

Kontributet ndahen mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Tatimi paguhet, pra mbahet nga paga e punonjësit.

Për të dy rastet si detyrime të punëdhënësit si të punëmarrësit, detyrimin për të bërë derdhje pranë Tatim Taksave e ka punëdhënësi. Kontributet e Detyrueshme dhe Tatimi janë kosto të cilat duhen planifikuar për të mbajtur një person në një vend pune. Pra janë Kosto për punësimin. Në Shqipëri këto Kosto për paga mesatare shkojnë deri 40.9% e Total Paga e Deklaruar. Për 30 mijë lekët e para nuk paguhet tatimi prej 13% por paguhen 27.9% Sigurime të Detyrueshme.


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kontributet e detyrueshme MBESHTESIN dy skema të rëndësishme publike Skemën e Mbrojtjes Sociale Pensione, dhe Skemën e Kujdesit Shëndetësor Shëndetësinë. Pra, përmes kontributeve që paguajnë ata që punojnë sot, paguhet pensioni për të moshuarit që kanë punuar dikur. Duke qenë se skema nuk mbulon plotësisht shpenzimet, Buxheti i Shtetit subvencionon çdo vit.

Të dhënat janë për Janar 2022 dhe janë tërhequr nga databaza PWC Worldwide Tax Summaries, të ballafaquara gjithashtu me legjislacionin përkatës mbi politikat fiskale të vendeve.

Analiza Krahasimore po bëhet vetëm për Pagën (rrogën) Mesatare në secilin vend. Kjo për lehtësi pasi vendet aplikojnë tatime dhe kontribute detyrueshme, në normë të ndryshme për fasha pagash të caktuara.


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në Serbi, për Pensionet dhe Paaftësinë deduktohet 25% e pagës bruto, 14% që paguhet nga punëdhënësi dhe 11% nga punëmarrësi, ndërkohë që shërbimi shëndetësor prej 10.3% ndahet në mënyrë të barabartë mes tyre. Qytetarët serb paguajnë edhe 0.75% të pagës si kontribut për fondin e papunësisë. Në total të detyrueshme mbi Pagën Mesatare janë 46.5%.


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërkohë, në Kosovë, pagesa e pensioneve ndahet në mënyrë të barabartë, 5% secili, mes punëdhënësit e punëmarrësit. Sigurimi Shëndetësor paguhet në masën 7% nga punëdhënësi i kompanive me xhiro vjetore mbi 50 mijë Euro dhe vetëm 2 Euro për punëdhënësit me xhiro vjetore nën këtë nivel. Përjashtohen nga pagesa e kontributit shëndetësor kategoritë në nevojë, invalidët dhe veteranët e luftës etj.

Në Maqedoninë e Veriut punëdhënësve u kërkohet të deduktojnë nga paga bruto 18.8% të pagës për pagesë Pensioni dhe Paaftësie, 7.5 % për Sigurimet Shëndetësore, 1.2% për sigurimin në punë dhe 0.5% për pensionin e detyrueshëm suplementar.

Në Shqipëri, kontributet përbëhen nga Sigurimet Shoqërore, të cilat paguhen në masën 15% nga punëdhënësi dhe 9.5% nga punëmarrësi, ndërsa Sigurimet Shëndetësore ndahen në mënyrë të barabartë, në masën 1.7%, mes të dyve total 3.4%. Tatimi mbi pagën është zero deri në 30 mijë lekët e para. Më pas aplikohet  me 13% për pagat mesatare.

Në të kundërt, në Malin e Zi barrën më të lartë në kontribute e mban punëmarrësi, i cili paguan 15% të pagës për Pensionet dhe Paaftësinë, përkundër 5.5 % që duhet të paguajë punëdhënësi. Sigurimi për Papunësinë ndahet në masën 1% mes palëve.

Ndërkohë, Bosnje Hercegovina paraqet një veçanti në ndarjen e kontributeve, pasi komunitetet boshnjake dhe serbe aplikojnë nivele të ndryshme taksimi.

Federata e Bosnje-Hercegovinës i mban punëdhënësit 17% kontribute nga paga për fondin e Pensioneve dhe Paaftësisë, 12.5% për Sigurimet Shëndetësore dhe 1.5% për Sigurimet e Papunësisë. Për të njëjtat, punëmarrësi paguan respektivisht 6%, 4% dhe 0.5% të pagës bruto.

Në Republikën Srbska është vetëm punëdhënësi që derdh 18.5% për fondin e Pensioneve dhe Paaftësisë, 12 % për Sigurimet Shëndetësore dhe 2.3% për Sigurimet e Papunësisë dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

Një tjetër taksë që deduktohet nga paga është ajo mbi të ardhurat personale, e cila në Serbi tatohet 10%, hiq rastet kur paga tejkalon 6 herë pagën minimale, ku tatimi aplikohet 15%.

Në Maqedoni, pagat deri në 17 530 Euro tatohen në masën 10%, dhe mbi këtë nivel, në masën 18%.

Në Kosovë, të ardhurat deri në masë 960 Euro nuk tatohen, por tatohet 4% paga 960 – 3000 Euro në vit; 6% për paga 3 000 deri 54 000 Euro në vit dhe 10% pagat që e kalojnë këtë nivel.

Në Shqipëri, për fashën e pagës 30 000 lekë kjo taksë nuk aplikohet, ajo zbatohet 13% për pagat 30.000 deri150 000 lekë dhe 23% plus 15 600 lekë për pagat që e kalojnë këtë nivel.

Në Malin e Zi taksohen 9% pagat mes 701Euro – 1000 Euro, si dhe të ardhurat nga sipërmarrja 8401 Euro – 12.000 Euro. Taksohen 15% pagat mbi 1000 Euro dhe të ardhurat nga sipërmarrja mbi 12 000 Euro.

Vendi i vetëm që zbaton taksën e sheshtë fikse 10%, pa diferencime, është Bosnje-Hercegovina.

Të dhënat e zbuluara deri në këtë pikë na lejojnë të deduktojmë se çfarë përqindje të pagës bruto e zënë taksat, renditur për secilin vend si në vijim:

Në Bosnje-Hercegovinë përqindja që zënë pagesa të detyrueshme (kontribute sigurimesh dhe tatim) e aplikuara mbi pagën mesatare bruto varion nga 42.8% në Republikën Srbska në 51.5% në Federatën e Bosnje-Hercegovinës

Në Shqipëri taksat marrin 40.9 të pagës mesatare bruto.

Në Serbi taksat e aplikuara mbi pagën mesatare bruto janë në nivelin 46.05 %.

Në Maqedoninë e Veriut taksat zënë 37.5% të pagës mesatare bruto.

Në Mal të Zi Të Detyrueshme mbi Pagën përbëjnë 21.5% të pagës mesatare bruto;

Në Kosovë taksat mbi pagën mesatare variojnë nga 10- 17% të pagës bruto.

Kjo e fundit gëzon edhe nivelin më të ulët të kostove kontribute dhe tatime të detyrueshme, të aplikuara mbi pagën, së bashku me Malin e Zi.

Shkarko excel: Kosto mbi Pagën, Kontribute dhe Tatime të detyrueshme mbi Pagën Mesatare në Shqipëri dhe Rajon janar 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Rezarta Caushaj