Open Data Albania ka analizuar ecurinë e treguesit të konsumit privat në ekonominë shqiptare për periudhën 2009-2015, dhe dinamikën e tij ne tremujorin e parë të vitit 2015.
Produkti i brendshëm bruto (PBB) i një ekonomie mund të matet në disa mënyra. Njëra prej tyre është metoda e shpenzimeve. Vlerësimi i PBB-së me metodën e shpenzimeve përfshin lidhjen ndërmjet 4 sektorëve të ekonomisë: Familjeve, Ndërmarrjeve, Qeverisë dhe Sektorit të Jashtëm. Duke qënë se PBB mat prodhimin e të gjithë ekonomisë së një vendi, ajo mund të matet gjithashtu duke mbledhur të gjithë shpenzimet e realizuara nga të katër këta sektorë.
Konsumi privat, ose e quajtur ndryshe edhe konsumi final i familjeve, përbëhet nga shpenzimet totale të mallrave dhe shërbimeve nga ana e familjeve rezidente për të plotësuar kërkesat e tyre individuale.
Duke filluar nga viti 2009, ndryshimi vjetor i konsumit privat paraqitet sipas ketij grafiku:
Burimi: INSTAT, Prodhimi i Brendshem Bruto sipas metodes se shpenzimeve
*2015 përfshin të dhënat e tremujorit të parë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, konsumi privat ishte 243.2 miliardë lek (krahasuar me 246.2 miliardë në tremujorin e parë të 2014), duke regjistruar një rënie vjetore me 1.2%.
Kjo ka reflektuar zhvendosjen e burimeve financiare drejt pagimit të faturave të prapambetura të energjisë elektrike, por edhe prirjen e konsumatorëve për të kursyer. Rënia e konsumit u reflektua në masën më të madhe në tkurrjen e shpenzimeve konsumatore për mallrat e qëndrueshëm. Nga ana tjetër, shpenzimet për mallra për përdorim afatshkurtër dhe për shërbime janë rritur[1].
Niveli i konsumit privat ka pasur uljen më të madhe në tremujorin e tretë të 2013 (ulje vjetore me 2.3%), dhe rritjen më të madhe në tremujorin e katërt të 2010 (rritje vjetore me 8.5%). Mesatarisht, rritja vjetore e konsumit privat ka qënë 1.6% në 5 vitet e fundit.
[1] Burimi: Raporti i Politikes Monetare, Banka e Shqipërisë
Shkarko excel: Konsumi Privat i Ekonomise ne Vitet 2009-2015Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: R.E.