Open Data Albania po analizon të dhënat mbi Produktin e Brendshëm Bruto sipas qarqeve për periudhën 2016-2019. Metoda e llogaritjes së PBB sipas qarqeve është nëpërmjet çmimeve korrente. Vlera e Shtuar Bruto (PBB) përfaqëson vlerën totale në para, të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë ekonomike rezidente brenda territorit ekonomik të një vendi apo lokaliteti. Burimi i informacioni është marrë nga Instituti i Statistikave. Vlera e PBB për vitin 2019 arrin afërsisht 1.7 trilion Lekë. Ashtu si dhe në tre vitet paraardhëse 2016, 2017 dhe 2018, edhe gjatë vitit 2019 Tirana mban vendin e pare si qarku me kontributin më të madh në PBB, ndjekur nga Fieri, Durrësi dhe Elbasani. Ndërkohë qarku i Kukësit të shënojë vlerën më të ulët të PBB krahasuar me qarqet e tjera përgjatë gjithë periudhës 2016-2019. INSTAT vijon me metodologji vlerësim shpërndarje të PBB, të vjetruar dhe jo eficente pasi në rastin e Njësive Ekonomike Prodhuese që veprojnë në disa qarqe apo lokalitete, INSTAT llogarit të gjithë PBB –në në qarkun ku është regjistruar selia kryesore dhe kështu nuk vlerësohet prodhimi në një njësi ku është edhe burimi i prodhimit. Si shembull nëse Dibra ka prodhim minerar për shkak të minierave, ky prodhim dhe vlerë i kalojnë qarkut të Tiranës apo Durrësit, në rast se shoqëria që realizon këtë aktivitet ka selinë qendrore në Tiranë apo Durrës. Ky agregim statistikor jo fort real krijon perceptime të gabuar për shpërndarjen e prodhimit të vërtetë sipas zonave duke mos evidentuar rëndësinë ekonomike të disa zonave. INSTAT nuk ka bërë asnjë përpjekje për të identifikuar më me saktësi ku faktikisht prodhohet. Ky indikator bëhet problematik sa i takon sektorit të Prodhimit Energjetik dhe Industrisë Minerare.
Po të fokusohemi në ndryshimin vit pas viti në vlerë të PBB, vihet re një trend pothuajse konstant ndër vite. Vlera e PBB gjithsej në vend gjatë vitit 2019 ka shënuar një rritje prej 55 miliard Lekë ose 3.4% krahasuar me vitin 2018 ku PBB shënoi një rritje më të madhe me afro 86 miliard Lekë ose rritje prej 5.6%. Qarku që ka shënuar rritjen më të madhe të PBB në % në vitin 2019, rezulton Durrësi, ndjekur nga Fieri dhe Gjirokastra. Qarqet Dibër, Kukës dhe Berat shënojnë një rënie në PBB e regjistruar në vitin 2019.
Sa i takon treguesi të PBB për frymë në vend sipas qarqeve, renditja është Tiranë, Fier dhe Gjirokastër. Vihet re një forcim i Gjirokastrës lidhur me këtë tregues që prej vitit 2018 duke zënë vendin e Durrësit. Ndërkohë Kukësi dhe Elbasani janë dy qarqet me PBB për frymë më të ulët në vend krahasuar me qarqet e tjera.
Tirana vazhdon të mbetet qarku me PBB për frymë më të lartë megjithëse lëvizjet e brendshme migratore nga një qark drejt Tiranës pa kryer procedurat e transferimit të vendbanimit, e mbivlerëson këtë tregues duke nënvlerësuar qarqet e tjera.
Shkarko excel: Vlera e Shtuar Bruto sipas qarqeve kryesore dhe degëve të ekonomisë, 2016-2019Comment and Analysis: Open Data Albania