Indeksi i Sovranitetit Europian është ndërtuar për të matur kontributin e vendeve anëtare të BE-së në ndërtimin e sovranitetit evropian. Kjo arrihet përmes matjes së nivelit të implementimit të politikave të përbashkëta evropiane, arritjes së objektivave në nivel europian nga vendet anëtare, por edhe iniciativat e pavaruara të shteteve anëtare në forcimin e koordinimit europian në këto fusha. Ky indeks realizohet nga një ThinkTank ndërkombëtar, Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), që merret me studime dhe  promovon debatin në lidhje me çështje të Politikës së Jashtme Evropiane dhe Sigurisë së përbashkët. Indeksi ofron një vlerësim  të përgjithshëm për secilin vend anëtar, si dhe vlerësim specifik në 6 fusha : Klima, Mbrojtja, Ekonomia, Shëndeti, Migrimi dhe Teknologjia. Kjo bën të mundur identifikimin e pikave të forta dhe të dobëta të unionit europian lidhur me këto fusha si dhe krahasimin midis vendeve anëtare.

Të dhënat për prodhimin e Indeksit sigurohen nga raportet e studiuesve të asociuar për secilin nga 27 vendet, si dhe nga të dhënat zyrtare të secilit vend si statistikat zyrtare, sondazhe që masin perceprimet publike apo rankime të tjera.

Indeksi i Sovranitetit Europian merr vlerat nga 0 në 10, ku vlerat nga 0 në 4 janë  indikator se si vendi ka dështuar në arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën përkatëse; vlerën 4 deri 5 do të thotë që ky indikator ka shënuar arritje të dobëta: vlerat 5 deri 6 tregojnë arritje disi të kënaqshme; vlera 6 deri 8 tregojnë arritje të mira ; dhe vlerat 8 deri 10 tregojnë rezultate të shkëlqyeshme në fushën përkatëse.

Për të dal në një vlerësim të caktuar, Indeksi i Sovranitetit Evropian aplikon një mesarare të ponderuar, ku arritja e objektivave të përbashkëta merr parasysh edhe kapacitetet e secilit vend.

Në vlerësimin e përgjithshëm, Indeksi tregon së sovraniteti evropian për vitin 2022 ka shënuar arritjet më të medha në fushën e Shëndetit, përkatësisht 6.7 nga 10 pikë gjithsej. Pasuar nga fusha e Ekonomisë, e cila vlerësohet me 6.2 nga 10 pikë. Mbrojtja ka marr vlerësimin 5.9 nga 10 pikë gjithsej. Disi kënaqshëm vlerësohen gjithashtu, fusha e klimës me 5.4 pikë dhe fusha e Migrimit me 5.2 pikë nga 10. Më dobët nga të gjitha në arritjen e objektivave të përbashkëta e rrjedhimisht në kontributin për Sovranitetin Evropian, vlerësohet fusha e teknologjisë, ku vendet e BE-sëbashkarisht shënuan vetëm 4.8 pikë nga 10 të mundshmet.



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse i referohemi renditjes së vendeve anëtare sipas kontributit respektiv në arritjen e sovranitetit europian, përmes zbatimit të politkave dhe objektivave të përbashkëta në fushat e mësipërme, Gjermania qëndron në krye, me një Indeks Sovraniti 6.9 nga 10 pikë të mundshme. Me 6.8 pikë vlerësohet Holanda dhe pasohet nga Franca me 6.6, Suedia 6.5, Belgjika 6.2 dhe Luksemburgu 6.0. Të gjitha vendet e tjera kanë vlerësim për Indeksin e Sovranitetit Europian më të ulët se 6, çfarë do të thotë që indeksi për këto vende cilësohet në nivele të ulëta përkatësisht, në klasifikimin disi i kënaqshëm ose më keq. Vendet me vlerësimin më të dobët (klasifikim situatë shumë e keqe apo dështimi) janë Bullgaria dhe Hungaria, me përkatësisht nga 3.9 pikë.



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Holanda qëndron në krye për sa i përket komponentit të ekonomisë, me 8.0 nga 10 pikë. Ndiqet nga Danimarka 7.6, Suedia 7.3 dhe Irlanda 7.2. Më dobët përsa i përket zbatimit dhe promovimit të politikave të përbashkëta ekonomike vlerësohen Bullgaria 3.4 dhe Hungaria 3.5.

Indeksi i komponentit të Ekonomisë vlerëson kontributin e shteteve anëtare në sovranitetin ekonomik europian, duke u fokusuar tek tregtia dhe investimet. Ky indeks eksploron shkallën në të cilën shtetet anëtare janë të cënueshme, apo elastike ndaj ndërvarësive ekonomike nga aktorët e tjerë (jo-BE).



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Franca është shteti që ka nivelin e pavarësisë më të lartë përsa i përket komponentit të mbrojtjes, duke shënuar 8.7 nga 10. Pason me diferencë Gjermania 6.8, Italia 6.5 dhe Holanda 6.4. Mbrojtja është komponenti tek i cili vlerësohen si në situatë shumë të keqe ose dështojnë më shumë shtete, krahasuar me komponentët e tjerë. Përkatësisht, shtetet që vlerësohen në situatë dështimi në këtë komponent, janë: Malta me indeks 2.1, Irlanda 2.1, Hungaria 2.9, Sllovakia 3.1, Bullgaria 3.2, Kroacia 3.2, Letonia 3.4, Austria 3.4, Qipro 3.5, Luksemburgu 3.7 dhe Suedia 3.7. Përkatësisht, janë 11 shtete të lartpërmendura që vlerësohen në situatë dështimi dhe 9 të tjera që vlerësohen në situatë të dobët përsa i përket pavarësisë në mbrojtje. Indeksi i komponentit për Mbrojtjen tregon aftësinë që kanë shtetet europiane për të garantuar paqen dhe sigurinë brenda kufijve të tyre si dhe aftësinë për të promovuar sigurinë e përbashkët.



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në komponentin e Teknologjisë, vendet e Bashkimit Europian vlerësohen më dobët sesa në komponentët e tjerë. Finlanda është vendi që ka vlerësimin më të lartë krahasuar me vendet e tjera të BE-së, me 7.4 pikë nga 10. Ndiqet nga Luksemburgu me indeks 7.1, Suedia 6.8 dhe Irlanda 6.6. Franca me indeks 5.4 dhe Gjermania me 5.3 në këtë komponent renditen në vendin e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë.

Në situatë shumë të keqe ose dështimi lidhur me këtë komponent vlerësohen Rumania 3.2, Hungaria 3.3, Sllovakia 3.4, Bullgaria 3.5.

Indeksi i Sovranitetit lidhur me Teknologjinë vlerëson aftësitë e secilit vend për të prodhuar teknologji të avancuara e kritike, në përputhje me vlerat dhe interesat e Bashkimit Europian si të tërë. Pra, tregon sesa të pavarura janë këto shtete nga importi i teknologjive thelbësore nga vendet të tjera jashtë Unionit.  



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i përket indeksit për Klimën, Suedia është shteti që vlerësohet më mirë me 7.8 pikë, e ndjekur nga Danimarka 7.5, Finlanda 6.6 dhe Portugalia 6.5. Vlerësim në situatë dështimi kanë vendet si Rumania me 3.5 pikë dhe Hungaria me 3.9.

Indeksi i Sovranitetit të Klimës vlerëson aftësinë e secilit vend anëtar, për të arritur objektivat e përbashkëta të BE-së në këtë fushë, si neutraliteti klimaterik deri në vitin 2050 dhe kontributi në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit (parandalimi i rritjes së temperaturës mesatare globale më shumë se 1.5°C krahasuar me nivelin para industrial).  



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjermania është vendi me situatën më të mirë sa i përket shëndetit me vlerësim 8.6 pikë. Pasohet nga Holanda me indeks 8.1, Danimarka 7.9 dhe Luksemburgu 7.7. Dobët vlerësohen Rumania me 4.0 pikë e Bullgaria me 4.1.



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Suedia ka vlerësimin më të mirë mes vendeve, me 6.3 pikë, në komponentin Migrim. Pasohet nga Gjermania dhe Malta me 6.2 pikë respektivisht dhe Estonia me 6.0. Situate negative shënon Polonia me 4.3 pikë, Hungaria 4.4 dhe Republika Çeke 4.5.

Indeksi i Sovranitetit lidhur me Migrimin mat kapacitetin e secilit vend për të implementuar politikat e BE-së mbi përshtajen dhe përmirësimin e situatës demografike (problemi i plakjes), si dhe plotësimin e nevojave të tregut të punës.



Burimi: Këshilli i Europës për Marrëdhëniet me Jashtë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Indeksi i Sovranitetit nxjerr disa të dhëna interesante duke treguar shumë aspekte të aftësive apo vullnetit të secilit vend për të kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta politike të BE-së, për të përballuar situata të papritura me anë të veprimit të përbashkët, por edhe për  rritjen e pavarësisë së BE-së nga ndikimi i aktorëve të tjerë global.

Shkarko excel: Indeksi i Sovranitetit Europian, Renditja e vendeve të BE në Ekonomi, Mbrojtje, Shëndetësi, Teknologji dhe Klimë 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha