Kursi zyrtar i këmbimit Lek/Euro arriti minimumin historik prej 110.98 lekë në Prill 2023. Ngjashëm, dollari amerikan (USD) dhe paundi britanik (GBP) kanë arritur kurse minimale historike kundrejt lekut, duke u këmbyer përkatësisht me 100.46 lekë dhe 125.33 lekë. Forcimi i lekut kundrejt monedhave të huaja ka ndikim të rëndësishëm në ekonomi, si në fuqinë blerëse të konsumatorit, ashtu edhe në financat e qeverisë dhe të biznesit në përgjithësi. Open Data Albania po hulumton mbi ecurinë e kurseve zyrtare të këmbimit të monedhës kryesore euro, me qëllim evidentimin e efekteve potenciale.    

  • Kursi zyrtar dhe kursi mesatar mujor i këmbimit të monedhave të huaja

Shqipëria zbaton një regjim të lirë të kurseve të këmbimit, që nënkupton se vlera e monedhës kombëtare lek, kundrejt monedhave të huaja, përcaktohet nga kërkesë-oferta në tregun e brendshëm valutor.  Kursi zyrtar i këmbimit të dy monedhave kryesore EUR dhe USD përcaktohet në mënyrë ditore nga Banka e Shqipërisë, bazuar në kuotimet e dhjetë bankave pjesëmarrëse në tregun ndër bankar, ndërsa kursi i këmbimit të valutave të  tjera, si GBP, llogaritet me indeksim ndaj dollarit amerikan, si valuta referencë në tregun ndërkombëtar. Në vitin e fundit (Prill 2022-Prill 2023), leku është forcuar me 8-9 përqind kundrejt EUR dhe USD, që nënkupton se vlera e dy monedhave kryesore ka rënë ndjeshëm në tregun e brendshëm, ndikuar nga oferta e lartë për shitje të valutës brenda vendit, kundrejt kërkesës së shtuar për blerje të monedhës kombëtare lek. Mbivlerësimi i lekut është akoma më i ndjeshëm për periudhën 10-vjeçare 2013-2023, me rënien në vlerë prej 22-25 përqind të dy monedhave kryesore kundrejt lekut.



Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nga historiku i kurseve mesatare mujore në tregun e brendshëm valutor, mund të identifikohen tre periudha kryesore të ecurisë së monedhës euro kundrejt lekut:

  1. 2003-2008 forcim i shpejtë i lekut kundrejt euros në 2003 (rënia e kursit nga 140 në 125 lekë), pasuar me periudhë 5-vjeçare të qëndrueshme të kurseve të këmbimit (121-128 lekë/Euro). Viti 2003 përkon me fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe me zgjedhjet lokale në Shqipëri.
  2. 2009-2017 forcim i shpejtë i euros kundrejt lekut në 2009 (rritje e kursit nga 121 në 140 lekë), pasuar me periudhë 8-vjeçare të qëndrueshme të kurseve të këmbimit (134-141 lek/Euro). Viti 2009 shënon dy ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, anëtarësimi në NATO dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
  3. 2018-2023: forcim i shpejtë i lekut kundrejt euros në 2018 (kursi lek/euro bie nga 135 në 125), pasuar me periudhën 2-vjeçare të pandemisë, që shënoi qëndrueshmëri të kurseve të këmbimit. Në 2018, partitë e opozitës bojkotuan parlamentin në prag të zgjedhjeve lokale 2019, ndërsa Këshilli Evropian vendosi shtyrjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, duke i kërkuar Shqipërisë përmbushjen e kushteve paraprake. 2022-2023 shënon forcim të mëtejshëm të lekut jo vetëm kundrejt EUR (kursi lek/euro bie nga 125 në 112), por edhe ndaj valutave të tjera kryesore në tregun vendas. Rënia mujore më e lartë është arritur në Korrik 2022 (-2.5%), ndërsa kursi historik më i ulët i këmbimit në tregun e brendshëm u arrit në Prill 2023 (111 lekë/Euro), 3 javë përpara zgjedhjeve lokale. 


Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Disa prej faktorëve të brendshëm që mund të ndikojnë në forcimin e shpejtë të lekut, përtej faktorëve gjeopolitik dhe makroekonomik, janë:

  • shtimi i ekonomisë informale dhe hyrja e kapitaleve në monedhë të huaj të pa deklaruara
  • njoftimi paraprak nga ana e qeverisë për rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve buxhetore, siç është rritja e pagës mesatare në periudhën 2-vjeçare, apo
  • spekulime të mundshme nga aktorët pjesëmarrës në përcaktimin e kursit zyrtar të këmbimit.
  • Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor

Pa cenuar regjimin e lirë të kurseve të këmbimit, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me faktorët makroekonomik, apo për rritjen e rezervës valutore. Banka ka zhvilluar ankande të shpeshta për blerje valute në tregun e brendshëm në 2018 -2023, me objektiv rritjen e rezervës valutore, në vlerë totale 551 milionë Euro, përkatësisht 124 milionë euro në 2018, 155 milionë euro në 2019, 117 milionë euro në 2021, dhe 142 milionë euro në 2022. Sipas planifikimit, Banka e Shqipërisë do të blejë 160-220 milionë Euro në 2023. Kjo ndërhyrje, përtej objektivit për rritjen e rezervës valutore, ndikon në ecurinë e tregut të brendshëm me tërheqjen e valutës së tepërt dhe shtimin e sasisë së lekut në qarkullim. 



Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

  • Efektet pozitive të forcimit të monedhës kombëtare lek

Forcimi i lekut ndikon pozitivisht për huamarrësit në valutë të huaj Shteti si Huamarrës. Stoku i borxhit të jashtëm bruto arriti 9.8 miliardë euro në fund të 2022. Rënia mbi 8 përqind në vlerën e euros shoqërohet me uljen e detyrimeve, të shprehura në lekë, për stokun e borxhit të jashtëm, me një përfitim rreth 90 miliardë lekë. Peshën kryesore, 48% të borxhit të jashtëm e mban qeveria, përfituesi kryesor nga forcimi i lekut (rreth 44 miliardë lekë më pak detyrime për borxhin e jashtëm), pasi të ardhurat krijohen në lekë dhe pagesat kryhen në euro. Përfitim tjetër afatshkurtër për qeverinë është edhe raportimi në euro i treguesve të përmirësuar fiskal dhe makroekonomik, si psh treguesit e të ardhurave dhe produktit të brendshëm bruto për frymë, apo treguesi i borxhit të jashtëm ndaj produktit të brendshëm bruto. Përfitues janë edhe bizneset dhe familjet që kanë kredi në valutë dhe të ardhura në lekë. Kredia në valutë në banka arriti mbi 3 miliardë euro në Shkurt 2023, në peshë 48 përqind e totalit të kredisë prej 6.3 miliardë euro. Forcimi i lekut ul detyrimin për këstin mujor në lekë, të shlyerjes së kredisë në valutë nga Qeveria, me rreth 27 miliardë lekë në total. Përjashto raste kur palët kanë kreditim ku parashikojnë rishikim të përllogaritjes së këstit sipas Normës Bazë. Duke qenë se normat e interesit të kreditimit janë rritur ndjeshëm në 6-mujorin e fundit, efektet pozitive nga kursi i këmbimit netohen pjesërisht nga efektet negative të normave të interesit për bizneset/individët.



Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Forcimi i lekut ka efekt pozitiv në importet e mallrave dhe shërbimeve, të cilat bëhen më konkurruese në tregun e brendshëm, për shkak të rënies së çmimeve nga kursi i këmbimit. Për vitin 2022, bilanci tregtar i pagesave (importe minus eksporte) ishte 4.3 miliardë euro. Përfitimi në favor të importuesve mund të përllogaritet rreth 38 miliardë lekë në total, por ndikimi tek konsumatorët nuk pritet të jetë i ngjashëm, pasi tregtarët nuk i përcjellin menjëherë diferencat në çmim tek konsumatori final.

  • Efektet negative të forcimit të monedhës kombëtare lek

Forcimi i lekut dhe favorizimi i importeve rëndojnë kompanitë dhe prodhimin vendas, si në aspektin e përballimit të konkurrencës së shtuar nga importi, ashtu edhe për ruajtjen e tregut në eksport, sidomos në sektorët që e kanë të vështirë të rrisin çmimet për të kompensuar humbjen. Efekti afatmesëm do të jetë një rritje e konkurrencës së produkteve të importit, duke vështirësuar eksportin e prodhimeve vendase dhe përkeqësimin e bilancit të pagesave.  Forcimi i lekut mund të dobësojë sektorin turistik shqiptar, pasi turistët do të kenë 8 përqind më pak fuqi shpenzuese në Shqipëri, krahasuar me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, situata do të jetë më e favorshme për shqiptarët që udhëtojnë e pushojnë jashtë vendit.

Negativisht ndikohen edhe investimet e huaja direkte dhe të ardhurat nga remitancat. Në 2022, investimet e huaja direkte ishin 1.2 miliard euro dhe të ardhurat nga remitancat 840 milionë euro. Humbja nga kursi i këmbimit përllogaritet të jetë në rreth 10 miliardë lekë për investimet e huaja direkte dhe 7 miliardë lekë për familjet që jetojnë me remitancat. Efektet negative ndikojnë jo vetëm në buxhetet e bizneseve dhe të familjeve përfituese, por humbja nga kurset e këmbimit do të përcillet në taksat që paguhen, duke reduktuar të ardhurat e buxhetit të shtetit, si dhe në përkeqësimin e klimës së biznesit me kapital të huaj. Efektet janë negative gjithashtu për bizneset, organizatat dhe individët që operojnë në Shqipëri, por burimin e të ardhurave e kanë në valutë. Një individ që përfiton të ardhura në valutë në Shqipëri, ka humbje nga kursi i këmbimit mbi 8 përqind, përtej efekteve negative nga inflacioni, duke e ulur në total fuqinë blerëse më shumë se 15 përqind.

Forcimi i lekut ndikon negativisht vlerën e kursimeve dhe depozitave në monedhë të huaj. Stoku i depozitave në valutë arriti 6.5 miliardë euro, në peshë rreth 57 përqind e totalit të depozitave në sistem bankar. Nënçmimi i valutave zvogëlon kundravlerën në lekë të depozitave dhe kursimeve në valutë, për një vlerë të përllogaritur rreth 58 miliardë lekë. Individët depozitues nuk e ndjejnë në periudhë afatshkurtër efektin negativ, për shkak të euroizimit të ekonomisë së brendshme. Përsa kohë nuk tërhiqen depozitat nga sistemi bankar, efekti do të jetë pozitiv për bankat depozituese, të cilat njohin një detyrim në lekë më të ulët për depozitat në valutë, kundrejt humbjes që kanë nga kreditimi në valutë. Materializimi i humbjes për individët dhe bizneset ndodh në rast të këmbimit ose përdorimit të depozitave në valutë.



Burimi: BSH
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Së fundmi, forcimi i lekut ndikon negativisht edhe rezervat ndërkombëtare të Shqipërisë. Stoku i rezervës valutore është rreth 5.3 miliardë USD në Shkurt 2023, me një humbje të përllogaritur në lekë rreth 40 miliardë lekë nga kursi i këmbimit. Këto janë humbje të parealizuara, por përkeqësojnë treguesin e rezervave dhe kapitalit të Bankës së Shqipërisë, duke shtuar nevojën e blerjes së valutës në tregun e brendshëm.

Për më shumë detaje, mund të aksesoni dokumentin Excel bashkëlidhur.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: E. Golemi