Open Data Albania po përditëson të dhënat në lidhje me çmimet e blerjes dhe të shitjes së Energjisë Elektrike nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., (KESH), për periudhën  Janar- Maj  2023. Open Data ka publikuar më parë disa Artikuj mbi çmimin e shitjes dhe të blerjes së energjisë elektrike nga KESH sipas periudhave të ndryshme.

Kujtojmë se për vitin 2022, për shkak të krizës energjitike, KESH sha bleu energji elektrike në treg të hapur me një çmim mesatar rreth 305.47 Euro/MWh  apo rreth 33.81 Euro/MWh  më shumë se çmimi mesatar vjetor i energjisë elektrike sipas HUPX. Gjithashtu për shkak të krizës e energjisë dhe për qëllime likuiditeti, Qeveria i akordoi KESH  si mbështetje buxhetore 20 miliardë lekë në total për vitin 2022.

Ndërkohë që prej muajit Dhjetor 2022 ka patur një përmirësim të situatës hidrike në kaskadën e Lumit Drin, duke përmbushur kështu kërkesën e OSHEE dhe FTL për furnizim me energji elektrike për konsumin vendas. Si rezultat, edhe periudha Janar- Maj 2023 karakterizohet nga një rritje e sasisë së shitur të energjisë elektrike krahasuar me muajt e mëparshëm.

Nga një vrojtim i Rezultateve të Tenderit për Blerje Energjie Elektrike të publikuara në faqen zyrtare të shoqërisë KESH sh.a, për periudhën Janar – Maj 2023, KESH sh.a ka shitur rreth 420,036 MWh energji elektrike me një çmim mesatar të ponderuar rreth 80.62 Euro/MWh. Çmimi mesatar më i lartë i energjisë së shitur vihet re në muajin Janar 2023, prej 109 Euro/MWh, rreth 39.68 Euro/MWh më pak se çmimi mesatar mujor sipas HUPX.



Burimi: KESH sh.a
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nga vrojtimet, në procedurat e tenderit të zhvilluara vihet re se çmimi mesatar i ponderuar i shitjes së energjisë elektrike është shumë më i ulët se çmimi i bursës në HUPX, sikurse paraqitet në grafikun e mëposhtëm. KESH nuk ka optimizuar ekonomikisht situatën, pavarësisht mundësisë për të përfituar një vlerë më të lartë fitimi nga transaksionet.



Burimi: KESH sh.a
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Klientët kryesorë të KESH për muajt Janar – Shkurt 2023 ( për muajt Mars- Prill nuk ka patur shitje apo blerje të energjisë elektrike, ndërsa për muajin Maj nuk ka të dhëna të publikuara nga ERE) rezulton GSA shpk, e cila ka blerë në total nga KESH 60,017 MWh me çmim mesatar 147.23 Euro/MWh, ndjekur nga EFT AG shpk e cila ka blerë nga KESH rreth 47,290 MWh me çmim mesatar rreth 100.5 Euro/MWh



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjithashtu në muajin Prill 2023 KESH hapi dhe një procedurë afatgjatë tregtimi energjie, ku ftonte shoqëritë që operojnë në tregun e energjisë të ofrojnë sasinë e energjisë sipas dy loteve. Në lotin e parë sasia e kërkuar ishte 100 MWh për periudhën e lëvrimit 1 Qershor 2023- 31 Maj 2026 (kontratë 3-vjeçare). Ndërsa në lotin e dytë sasia e kërkuar ishte 100 MWh për periudhën e lëvrimit 1 Qershor 2023- 31 Maj 2028 (kontratë 5-vjeçare). Megjithatë ky proces u mbyll pa fitues.

Në grafikun e mëposhtëm  paraqitet ecuria e çmimeve mesatare mujore në Bursën Hungareze HUPX  e cila merret si referencë për  transaksionet e shoqërive që operojnë në tregun e energjisë në Shqipëri.  Çmimet më të larta janë vënë re në muajt Korrik, Gusht, Shtator 2022 me çmimet respektivisht  371.10 Euro/MWh, 495.29 Euro/MWh, 391.35 Euro/MWh.

Ndërkohë që prej muajit Janar 2023 çmimet në bursë kanë rënë ndjeshëm, nga 148.69 Euro/MWh  në 88.19 Euro/ MWh në muajin Maj 2023 apo rreth 57% më i ulët se muaji Maj 2022.



Burimi: KESH sh.a
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë marrë nga Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë dhe faqja zyrtare e Bursës Hungarezë HUPX. Bursa hungareze HUPX shërben si bursë referencë për rajonin e Ballkanit.

Artikuj të tjerë në lidhje me Sektorin e Energjisë, çmime shitje dhe blerje energjie, garancitë në fushën e energjisë elektrike i gjeni tek Open Data Albania, Tema Energjetike.

Shkarko excel: Çmimi i Blerjes dhe Shitjes së Energjisë Elektrike nga KESH, Janar- Maj 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania