Open Data Albania në këtë artikull po zbardh Projektet/Investimet me financim më të lartë nga Buxheti i Shtetit 2025. Gjithashtu dhe një rankim i institucioneve sipas vlerës Portofol Investimesh Kapitale për vitin 2025. Të dhënat janë marrë nga lista e planifikimit trevjeçar të investimeve publike 2025-2027 të Projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2025”.
Qeveria Shqiptare ka parashikuar 151.4 miliard lekë shpenzime për Investime Publike 2025, rreth 18.4% të totalit të shpenzimeve buxhetore (nga 16.37% në 2024). Vlera e Investimeve për vitin 2025 përbën 5.78% të Produktit të Brendshëm Bruto (nga 4.95% në 2024).
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Projekti me Financim më të lartë nga Buxheti i Shtetit për vitin 2025 është Faza I – Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano, me mbështetje 14.745 miliard lekë. Ky projekt i cili ishte parashikuar me financim të huaj në shumën prej 43 miliard lekësh në ligjin për buxhetin e vitit 2024, u riklasifikua si investim me financim të brendshëm në Aktin Normativ Nr. 1/2024 (Relacion). Projekti i nisur këtë vit parashikohet të mbyllet në 2028, me vlerë totale 49.15 miliard lekë. Realizimi i projektit do të bëhet në dy faza. Autoriteti zbatues është Autoriteti Portual Durrës (APD). Tenderi për fazën e parë i shpalluar në korrik të këtij viti u anullua nga APD-ja duke gjykuar se asnjëra prej ofertave nuk i përmbushte kushtet e kërkuara. Procesi i tenderimit udhëhiqet nga kompania hollandeze “Royal Haskoning”, e cila është kontraktuar nga APD-ja me negocim të drejtpërdretjë për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano, me VKM Nr.427, datë 26.6.2024.
Kapacitete të Ofruara në Modernizimin e Forcave të Luftimit është projekti i dytë me 10.16 miliard lekë mbështetje të huaj. Burimi i financimit është i huaj, por mbetet i paspecifikuar. Investimi që nis këtë vit parashikohet të mbyllet në 2027 dhe vlera totale është planifikuar në 47.775 miliard lekë (nga 39.9 miliard lekë që parashikohej në planifikimin trevjeçar 2024-2026).
Në vend të tretë për vlerë financimi renditet Aksi Rrugor Elbasan – Lekaj, pjesë e Korridorit VIII. E ndarë në 6 projekte, mbështetja totale për vitin 2025 planifikohet në 5.4 miliard lekë. Aksi Elbasan – Lekaj është i ndarë në tre faza për ndërtimin e aksit rrugor Elbasan – Paperr dh tre faza për ndërtimin e aksit rrugor Paperr – Ura e Grykshit, secila në vlerën 900 milion lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni zbatues i cili ka shpalluar procedurat për 6 fazat në tetor 2024. Projekti pritet në nis këtë vit dhe të mbyllet në 2027, me vlerë totale prej 18 miliard lekësh.
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Investimi në Mbrojtje, Armatim i Lehtë Municion dhe Makineri Paisje rezulton investimi i katërt me mbështetje më të lartë nga Buxheti i Shtetit për vitin 2025. Në total për vitin 2025 qeveria shqiptare planifikon të shpenzojë 4.406 miliard lekë për municione dhe makineri-paisje. Investim i cili zbatohet nga Forca Tokesore (RU 1001) është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka nisur në 2022 dhe pritet të përfundoj në 2027, ndërsa pjesa e dytë e cila nis financimin në 2025 parashikohet që mund të kërkoj financim edhe pas vitit 2027. Vlera totale e mbështetjes planifikohet në vlerën 37.4 miliard lekë.
Zgjerimi i Rrugës Elbasan – Qafë – Thanë mbyll listën e pesë Investimeve Kapitale me mbështetje më të lartë buxhetore për vitin 2025. E ndarë në tetë mini-projekte (faza), mbështetja totale për vitin 2025 parashikohet në vlerën 3.4 miliard lekë. Projekti zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe pritet të përfundoj financimin në 2027 me vlerë totale 21.78 miliard lekë. Tenderi për fazën e parë është fituar nga Alb-Building shpk me vlerë kontrate 2.620 miliard lekë (me TVSH). Faza e II është fituar nga një grup me katër operator ekonomik me vlerë të kontraktuar 2.91 miliard lekë (shih tenderin). Faza e tretë është fituar po nga një bashkim operatorësh (vlerë kontrakuar me tvsh 2.54 miliard lekë). Tenderi për fazën e katër rezulton me kontraktor ekonomik A. N. K. Shpk (2.1 miliard lekë me tvsh). Katër fazat e tjera kanë nisur financimin këtë vit. Tenderat janë mbajtur në maj-qershor dhe rezultojnë të gjitha të përfunduara me kontrat të lidhur.
Dhjetë investimet me financim më të lartë për vitin 2025 përbëjnë 32.53% të vlerës totale të investimeve publike. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto kjo vlerë arrin në 1.9% të PBB-së 2025.
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontrata e Koncesionit /PPP per permiresimin, ndertimin, operimin dhe mirembajtjen e rruges se Arbrit parashikohet të ketë mbështetje në vlerën 3.36 miliard lekë për vitin 2025. Ndërtim Segmenti Rrugor Qukës – Qafë Plloçë vijon renditjen me mbështetje të planifikuar buxhetore 2.43 miliard lekë për vitin 2025. Ky projekt është investim me financim të huaj me vlerë totale 26 miliard lekë, financuar me Kredi nga Fondi Saudit per Zhvillim.
Në vijim, Projekte te programit me financim te huaj IPA zbatuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile planifikohen 2.01 miliard lekë në vitin 2025. Investimi i nëntë për vlerë mbështetje buxhetore rezulton Rehabiltimi i linjes hekurudhore Durres – Termali i pasagjereve Tirane dhe ndertimi i linje hekurudhore Tiranes – Rinas 2, prej 1.69 miliard lekësh.
Ndertim objektesh dhe punime per rikostruksione te godinave te KFT, Zall-Herr mbyll listën e 10 projekteve me financim më të lartë nga buxheti i shtetit për vitin 2025, me mbështetje buxhetore të parashikuar në vlerën 1.63 miliard lekë.
Të dhënat krahasimore për investimet me financim mbi 1 miliard lekë për vitin 2025, në raport me planin e mbështetjes në vitin aktual 2024, tregojnë që projekti Porti i ri Tregtar i Integruar i Durresit ne Porto Romano Faza I është investimi me prioritet më të lartë për Qeverinë me mbështetje +4.92 miliard lekë në raport me financimin e këtij viti. Zgjerimi i Rrugës Elbasan – Qafë – Thanë është investimi i dytë me financim të planifikuar për 2025 në vlerë 2.27 miliard lekë më të lartë se mbështetja në 2024. Në vend të tretë, Aksi Rrugor Elbasan – Lekaj do të ketë financim 1.8 miliard lekë më shumë se planifikimi në vitin aktual.
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është institucioni me portofolin më të madh për Investime në 2025. Konkretisht FSHZH për 127 projekte investimi parashikon të kontraktojë 22.54 miliard lekë (14.9% e vlerës Investime Publike Total 2025). Autoriteti Rrugor Shqiptar pozicionohet i dytë me 66 projekte të planifikuara vlerë financimi rreth 22 miliard lekë për vitin 2025. Në vend të tretë pozicionohet Autoriteti Portual Durrës me vlerë portofoli 2025 në vlerën 14.745 miliard lekë. APD-ja rezulton institucion prokurues vetëm për projektin e Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano.
Vijojnë listën Forcat e Luftimit me portofol investimesh publike 2025 në vlerën 10.2 miliard lekë, ndjekur nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) me portofol 6.17 miliard lekë dhe Forca Tokesore (RU 1001) me vlerë portofoli për investime kapitale rreth 6.16 miliard lekë.
Aparati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë planifikon mbështetje për 20 projekte (pa përfshirë projektet e OSHEE, OST dhe KESH) me vlerë totale financimi 5.8 miliard lekë për vitin 2025.
Burimi: Ministria e Financave, Projektbuxheti 2025: https://financa.gov.al/projektbuxheti-2025/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Tre institucionet që mbyllin dhjetshen me vlerë më të lartë portofoli investimesh publike për vitin 2025 janë Drejtoria e Pergjithshme e Hekurudhave (5.5 miliard lekë), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit AKSHI (3.9 miliard lekë) dhe Aparati i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (2.6 miliard lekë).
Buxheti i Shtetit 2025 ka planifikuar financimin e 69 investimeve për 41 Bashki për me mbështetje 5.11 miliard lekë. Listën e investimeve për bashkitë mund ta aksesoni në artikullin e publikuar tek OpenDataAlbania.
Në Excelin bashkëngjitur gjeni listën e plotë të projekteve, renditjen e tyre sipas secilit Institucion Buxhetor dhe vlerën e financim të parashikuar për vitin 2025.
Shkarko excel: Renditje Investime Publike 2025 sipas Projekteve dhe InstitucioneveKomente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli