Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit bazohet në 13 burime të dhënash, lidhur me sjellje korruptive në sektorin publik. Indeksi lidhet me perceptim sa i takon manifestimit të fenomeneve si vijon: Mirmarrje (rryshfet), Devijimin e Fondeve Publike, Përdorimin e funksionit publik për përfitime personale, Nepotizmin në shërbimin civil dhe Kapje e Shtetit.

Vlerësimi i indeksit bëhet në një shkallë nga 0 në 100, ku 0 tregon nivelin më të lartë të Perceptimit të Korrupsionit, ndërsa 100 nivelin më të ulët.

Raporti i fundit i publikuar nga Transaparency International TI, është i vitit 2022 (publikuar Janar 2023). Raport që vlerëson se vendet më pak të korruptuara në botë janë Danimarka me 90 pikë nga 100 maksimale, Zelanda e Re me 87 pikë, Finlanda me 87 dhe Norvegjia me 84 pikë. Përgjithësisht vendet Nordike mbizotërojnë për nivelin më të ulët të perceptimit të korrupsionit. Vendet me nivelin më të lartë të perceptimit të korrupsionit vazhdojnë të jenë Somalia (12 pikë), Sudani Jugor (13 pikë), Siria (13 pikë) dhe Venezuela (14 pikë).

Shqipëria renditet vendi i 101-të, me 36 pikë nga 100 të mundshme. Në krahasim me CPI 2021 kemi përmirësim në renditje me 9 pozicione dhe përmirësim në vlerësim me 1 pikë, nga 35 në 36 pikë. Shqipëria duket që luhatet në 4 vitet e fundit në vlerësimin 35-36 pikë.



Tabela: Renditje Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2022, Transparency International
Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vendi ka shënuar nivelin më të lartë të indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ndër vite në 2016, me 39 pikë nga 100 në total. Vlera më e ulët është shënuar në vitin 1999 (23 pikë), vit në të cilin Transparency International filloi të masë për herë të parë indeksin për Shqipërinë. Të gjitha vlerat e indeksit para vitit 2012, janë konvertuar në shkallë me 100 pikë, në kuadër të krahasimit të indeksit ndër vite. Përmirësimet më të mëdha të indeksit krahasuar me vitin paraardhës janë bërë në vitet 2008 (5 pikë përmirësim), 2007, 2015 dhe 2016 (nga 3 pikë përmirësim). Për 23 vite (1999-2022) Shqipëria ka arritur që të përmirësojë vlerësimin me anë të këtij indeksi vetëm me 13 pikë. Përmirësimi në Indeks 2013-2022 (dy mandate Qeveria Rama) shënon 5 pikë, ndërkohë që 2005-2013 (dy mandate Qeveria Berisha) shënon 7 pikë përmirësim dhe në 1999-2005 shënon 1 pikë përmirësim.



Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Numri i Vendeve që i janë nënshtruar këtij vlerësimi përmes Indeksit në vite të ndryshme varjon. Renditja më e ulët e Shqipërisë, është në vitin 2005, përkatësisht në vendin e 126-të. Pozicionimi i dytë më i dobët i Shqipërisë është në vitin 2013, kur gjendej në vendin e 115-të nga 176 vende në shqyrtim. Pozicionimet më të mira janë në vitin 2016, në vendin e 83-të nga 176 vende gjithsej dhe në vitin 2008, në vendin 85-të nga 180 vende gjithsej. Duket sikur qeveritë në Shqipëri përgjatë mandatit të parë bëjnë përmirësim në uljen e nivelit të korrupsionit në vend, por pas fillimit të mandatit të dytë fillon rritja e nivelit të perceptimit mbi korrupsionin. Kështu ka ndodhur me qeverinë Berisha në 2 vitet e fundit të mandatit të dytë, ku kemi rritje të perceptimit mbi korrupsionin dhe kështu me qeverinë Rama pas përfundimit të mandatit të parë.



Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në Rajon, për 2022, Bosnje&Hercegovina ka vlerësimin më të ulët të CPI, me 34 pikë, që nënkupton, është vendi me perceptimin më të lartë mbi korrupsionin, dhe renditet si vendi i 110-të nga 180-të vende në total. Shqipëria dhe Serbia pasojnë me nivelin më të lartë të perceptimit të korrupsionit, përkatësisht kanë vlerësim me 36 pikë dhe ndajnë renditjen në vendin e 101-të në botë. Maqedonia e Veriut vlerësohet me 40 pikë dhe renditje e 85-ta, dhe Kosova me 41 pikë dhe renditje e 84-ta në botë. Më mirë në Ballkanin Perëndimor vlerësohet Mali i Zi me 45 pikë dhe renditje i 65-ti në botë.

Shqipëria lë mbrapa në Europë për nivelin e korrupsionit vetëm Bosnje&Hercegovinën, Ukrainën dhe Rusinë, duke shënuar kështu norma më të larta të perceptimit të korrupsionit sesa vendet e tjera.



Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Krahasuar me një vit më parë, Kosova është vendi që ka bërë më shumë hapa para në lidhje me uljen niveli i Perceptimit të Korrupsionit në Rajon. Kosova shënon përmirësim me 2 pikë në vlerësim, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përmirësim me nga 1 pikë. Ndërkohë, vlerësimi për Serbinë është përkeqësuar me 2 pikë, për Bosnje&Hercegovinën dhe Malin e Zi ka përkeqësim me 1 pikë. I vetmi vend që duket në trend progres të vazhdueshëm ndër vite është Mali i Zi. Maqedonia e Veriut pas vitit 2014 ka shënuar ulje deri në vitin 2020, vit pas të cilit ka filluar ri ngritjen. Shqipëria ka qenë vendi i fundit ose ndër 2 vendet me nivelin më të lartë të perceptimit të korrupsionit përgjatë të gjitha viteve të marra në shqyrtim.



Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vendet Europiane me përmirësimin më të lartë të indeksit janë Irlanda, Greqia, Kroacia dhe Moldavia me 3 pikë respektivisht për secilën. Vende nga Evropa me përkeqësim të lartë të indeksit, krahasuar me vitin 2021 janë Mbretëria e Bashkuar me ulje me 5 pikë, Luksemburgu, përkeqësim me 4 pikë, ndjekur nga Austria dhe Armenia, me përkeqësim nga 3 pikë.



Tabela: Renditje Ndryshim Vjetor në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Transparency International 2021-2022
Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Transparency International vlerëson nivelin e perceptimit të Korrupsionit në Shqipëri më të lartë sesa në 100 vende të tjera të botës për vitin 2022.



Burimi: Transparency International
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Shqipëria ka vlerësim  të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2022, me 7 pikë më të ulët krahasuar me mesataren e të gjitha vendeve të botës (43 pikë), 2.7 pikë më të ulët sesa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor (38.7 pikë), dhe 27.6 pikë më të ulët sesa vendet e Bashkimit Europian (63.6 pikë).

Shkarko excel: Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International TI, ecuria 2000-2022, krahasim me Rajonin
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha