Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj ka publikuar mbrëmjen e kësaj të marte disa tendera që janë kategorizuar me “flamur të kuq”, pasi kanë risk për klientelizëm, duke qenë se janë skualifikuar të gjithë operatorët ekonomikë në garë, përveç fituesit.

“SPAK ka punen e tij por dhe tenderat me Flamur te Kuq e Risk per Klientelizem nuk ndalen!!! Disa nga dita e sotme”, shkruan Brahaj, referuar edhe arrestimeve të fundit nga Prokuroria e Posaçme për prokurorimet publike.

Tenderi i parë lidhet me “Mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Shehit Skënderbej”, me burim buxhetin e Bashkise se Tiranës dhe fond limit 119 milionë lekë të reja. Në këtë rast është bërë skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit, që është FUSHA SHPK.

Prokurorimi i dytë i kategorizuar me flamur të kuq është me objekt “Rikonstruksion i Spitalit Rajonal Dibër Rahim Xhika”, me institucion kontraktues Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër.

Ndërkohë, tenderi i tretë bën fjalë për “Blerje materiale mjekimi Stapler për QSU Nënë Tereza, për mbulimin e nevojave 24 mujore”, dhe për shkak të mungesës së konkurrencës është kategorizuar me flamur të kuq. Vlera e fondit limit është 136 milionë lek të reja.