Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Sektorin Publik, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.

Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.

Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.

Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.

Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Sektori Publik, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:

Sektori publik shqiptar ofron paga të ulëta, standarde të paqarta profesionale dhe të llogaridhënies dhe është i prekur nga korrupsioni dhe ndërhyrjet politike. Shqipëria ka zbatuar një agjendë ambicioze të reformës së administratës publike që nga viti 2015. Me anë të reformave janë përmirësuar disa aspekte të procesit të rekrutimit (si standardizimi i përshkrimeve të vendeve të punës, rekrutimi online i shërbimit civil dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të favorshme për nëpunësit civilë të shkarkuar) dhe mekanizmat e transparencës (rritja e numrit të institucioneve që publikojnë programe të transparencës, regjistri elektronik kërkesave dhe përgjigjeve, publikimi i dokumenteve kryesore buxhetore), por ato nuk e kanë adresuar në mënyrë efektive nevojën për një sektor publik profesional dhe të përgjegjshëm.

Shumë agjenci dhe drejtues drejtorish si Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Agjencia Shtetërore e Shpronësimit, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të cilët duhet të jenë pjesë e shërbimit civil, nuk përfshihen në legjislacionin e shërbimit civil dhe për rrjedhojë janë të emëruar politikë. Mekanizmat e brendshëm të llogaridhënies për të nxitur integritetin dhe për të parandaluar konfliktet e interesit nuk janë efektivë, ndërsa përdorimi i burimeve publike gjatë fushatave politike është dokumentuar pothuajse në çdo raund zgjedhor. Mungesa e transparencës mbetet një pengesë kryesore për llogaridhënien e sektorit publik. Disa raporte nga OShC-të shqiptare paraqesin nevojën për një zbulim më të madh proaktiv të informacionit dhe një zbatim më të fortë të Ligjit për të Drejtën e Informimit nëpërmjet një regjimi më rigoroz të sanksioneve nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave.



Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip



Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip

REKOMANDIMET E ORGANIT

  1. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutiv duhet të rishikojnë kuadrin ligjor të prokurimit publik për të adresuar parregullsitë nëpërmjet:
    • Forcimi i shërbimeve të prokurimit të digjitalizuara për të garantuar që nuk ekziston ofertë fiktive duke siguruar integrimin me Regjistrin Kombëtar të Bizneseve për kontrolle të vazhdueshme, duke përfshirë monitorimin e treguesve të riskut, dhe publikimin e të gjitha kontratave dhe koncesioneve rregullisht në një format të hapur dhe garantimin e publikimit të raporteve të kontrollit të tërthortë.
    • Prezantimit të shërbimeve të digjitalizuara të prokurimit, një bazë të dhënash të konfliktit të interesit të të gjithë ofertuesve ku kërkohet dhe kontrollohet zbulimi i detyrueshëm i interesave për të parandaluar konfliktet e interesit.
    • Krijimit të një organi të pavarur rishikues për të mbikëqyrur procedurat e prokurimit dhe për të zbatuar sanksionet parandaluese kundër sjelljes së pahijshme të furnitorëve dhe zyrtarëve publikë.
  2. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutiv duhet të ndryshojnë Ligjin për Nëpunësin Civil, Ligjin për Pagat dhe Kodin e Punës dhe aktet nënligjore dhe rregulloret përkatëse për të rritur profesionalizmin dhe kompetencën në sektorin publik nëpërmjet:
    • Përfshirjes së drejtorëve punonjës të shërbimit civil për të shmangur të emëruarit politikë.
    • Përcaktimit dhe zbatimit të qartë të standardeve meritokratike për punësimin e punonjësve të sektorit publik, veçanërisht të personave që nuk janë nëpunës civilë dhe me kontrata të përkohshme. Kjo përfshin ndryshimin e dispozitave për të forcuar kriteret e standardizuara për të gjitha pozicionet brenda dhe jashtë shërbimit civil.
    • Krijimit të proceseve transparente të punësimit duke e bërë të detyrueshëm publikimin e vendeve të lira të punës, kritereve të përzgjedhjes, afateve dhe rezultateve të procesit të aplikimit për vendet e lira të nëpunësve civilë ashtu edhe për ato jashtë shërbimit civil dhe publikimin e vendeve vakante për pozicionet e sektorit publik me kontratë të përkohshme.
    • Sigurimit të përzgjedhjeve të bazuara në merita duke e bërë të detyrueshme zhvillimin dhe publikimin e kritereve të qarta të bazuara në merita për të gjitha pozicionet (edhe për ato jashtë shërbimit civil), duke përfshirë vendet e lira të punës me kontratë ë përkohshme, duke përshkruar në detaje procesin e përzgjedhjes, duke kryer testime dhe vlerësime të standardizuara, duke zbatuar mekanizmat e reagimit për kandidatët për të marrë komente dhe për të apeluar vendimet, duke kryer rishikime të rregullta dhe përmirësime të procesit të përzgjedhjes, duke kryer rishikime të brendshme të qëndrueshme dhe duke siguruar mbrojtje ligjore të sinjalizuesve që raportojnë rastet e shkeljeve.
    • Trajnimit të detyruar dhe formimit të rregullt të punonjësve për transparencën e rekrutimit, proceset e përzgjedhjes së bazuar në merita, rreziqet që lidhen me shkeljet e politikave në fuqi, rëndësinë e integritetit dhe profesionalizmit dhe në fushat prioritare që kanë të bëjnë me pozicionin e tyre të punës.
    • Paraqitjes së vlerësimeve të fuqishme të performancës.
    • Zbatimit të politikave kundër nepotizmit duke vendosur dhe zbatuar dënime të qarta për shkeljet e politikave të tilla, duke krijuar mekanizma të brendshëm raportues dhe duke siguruar mbrojtjen ligjore të sinjalizuesve që raportojnë rastet e nepotizmit ose sjellje të tjera joetike dhe duke kryer auditime dhe kontrolle të rregullta.
  3. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutivi duhet të sigurojnë mbrojtje më të forta ligjore për punonjësit e punësuar me kontratë të përkohshme të rregulluar nga Kodi i Punës. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutivi duhet të shqyrtojnë hartimin e një kuadri ligjor të ndryshëm që rregullon marrëdhëniet e punonjësve të sektorit publik që nuk janë nëpunës civilë. Ky kuadër mund të ofrojë garanci që ndodhen ndërmjet dispozitave të Kodit të Punës dhe Ligjit për nëpunësin civil, të cilat duhet të përfshijnë, për shembull kontrata afatgjata dhe masa mbrojtëse shtesë si mbrojtja e sinjalizuesve, mekanizmat e arbitrazhit për mosmarrëveshjet e punësimit dhe masat mbrojtëse kundër shkarkimit arbitrar.
  4. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutiv duhet të rishikojnë legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit në sektorin publik për të garantuar qartësi dhe zbatim më të mirë. Duke përfshirë:
    • Paraqitjen e udhëzimeve të qarta për përdorimin e pronës shtetërore.
    • Vendosjen e sanksioneve të qarta në rast të përdorimit të burimeve publike gjatë fushatave politike.
    • Përcaktimin e kufizimeve të qarta pas punësimit, natyrës së këtyre kufizimeve dhe sanksioneve si rrjedhojë e shkeljes së tyre.
    • Përmbushjen etike të kontratës me masa të qarta sanksionesh në rast shkeljesh.
    • Përcaktimi në hollësi i kufizimeve, sanksioneve për shkelje dhe procedurave për rastet e “rotacioneve të shpeshta”.
    • Zbatimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për të nxitur integritetin dhe për të parandaluar konfliktin.
  5. ILDKPKI-ja duhet të forcojë shqyrtimin e deklaratave të pasurisë në sektorin publik, duke zbatuar një qasje më të fuqishme dhe sistematike për verifikimin e saktësisë dhe plotësinë e këtyre deklaratave. Kjo përfshin si në vijim:
    • Kryerjen e vlerësimeve proaktive dhe hetimeve të plota për të zbuluar çdo shkelje ose mospërputhje të mundshme.
    • Publikimin e deklaratave të pasurisë dhe deklaratave të konfliktit të interesit siç kërkohet nga ligji për të rritur transparencën dhe llogaridhënien.
    • Pajisjen e ILDKPKI-së me burime të mjaftueshme dhe autoritet ligjor për të kryer kontrolle verifikimi efikase dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë mundësinë për të kryer auditime në vend dhe kontrolle të tërthorta me bazat e tjera të të dhënave dhe regjistrat e pasurive.
    • Forcimin e kapaciteteve të ILDKPKI-së për përmbarim duke i dhënë asaj mundësinë për të vendosur dhe mbledhur gjoba në mënyrë efektive dhe për të referuar çështjet për ndjekje penale kur zbulohen shkelje të mëdha.
  6. Kuvendi i Shqipërisë duhet të rishikojë kuadrin ligjor për mbrojtjen e sinjalizuesve. Sinjalizimet brenda sektorit publik duhet të nxiten në mënyrë aktive. Megjithatë, siguria nuk duhet të jetë vetëm në njësitë e brendshme të sinjalizimit. Ligji duhet të ndryshohet duke përcaktuar qartë se çfarë përbën zbulim të mbrojtur, të krijojë kanale raportimi të sigurta dhe konfidenciale dhe të ndalojë në mënyrën e duhur hakmarrjen. Për më tepër, organet mbikëqyrëse si ILDKPKI-ja duhet të fuqizohen për të zbatuar ligjin në mënyrë efektive duke siguruar burime të mjaftueshme (njerëzore, financiare, teknologjike); zhvillimi i kapaciteteve të specializuara të stafit të ILDKPKI-së për teknikat hetimore, procedurat ligjore, protokollet e mbrojtjes, konfidencialitetin dhe sigurinë si dhe shërbimet mbështetëse dhe shmangien e hakmarrjes; bashkëpunimi i vazhdueshëm me autoritetet e tjera ligjzbatuese dhe luftën kundër korrupsionit; sigurimi i përgjigjes në kohë ndaj raporteve; dhe një qark të rregullt reagimesh. Sinjalizuesit duhet të kenë lirinë që të angazhohen me anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë, institucionet e pavarura mbikëqyrëse dhe median. Gjatë gjithë këtij procesi, atyre duhet t’u sigurohet mbrojtje e plotë ligjore.
  7. Kuvendi i Shqipërisë dhe organi ekzekutiv duhet të rishikojnë legjislacionin në mënyrë që funksioni i Departamentit të Administratës Publike dhe i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të shtrihet përtej shërbimit civil që të përfshijë të gjithë sektorin publik. Duke zgjeruar funksionet e tyre, si qeverisja ashtu edhe mbikëqyrja do të ishin tërësore, duke përfshirë tërësinë e sektorit publik dhe jo vetëm shërbimin civil. Për të përmbushur në mënyrë efektive këtë funksion të zgjeruar, është e rëndësishme që ata të marrin burime dhe mbështetje shtesë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre të reja, gjithëpërfshirëse.
  8. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje duhet të fillojë menjëherë publikimin e rregullt të raporteve të hollësishme lidhur me ankesat e qytetarëve. Këto raporte duhet të përfshijnë statistika për numrin e ankesave të marra, klasifikimin e çështjeve, veprimet e ndërmarra lidhur me këtë të fundit dhe rezultatet përfundimtare.
Shkarko excel: Sektori Publik, Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit 2023
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”