Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Sistemin Gjyqësor, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.
Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.
Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.
Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.
Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Sistemi Gjyqësor, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:
Në vitin 2015, komisioni i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë për Reformën në Sistemin e Drejtësisë vlerësoi se “sistemi gjyqësor konsiderohet si një nga fushat me nivel të lartë korrupsioni.” Që atëherë, sistemi i drejtësisë shqiptare është prekur nga një reformë e thellë. Në vitin 2016 u miratua kuadri i ri ligjor, i cili përfshinte ngritjen e institucioneve të vetingut dhe të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Institucionet e vetingut përfshijnë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), i përbërë nga 12 komisionerë, të zgjedhur nga parlamenti në vitin 2017; Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA; dhomë e posaçme e Gjykatës Kushtetuese me mandat nëntë vjeçar deri në përfundimin e procesit të vetingut), i përbërë nga shtatë gjyqtarë, të zgjedhur nga parlamenti në vitin 2017; dhe Institucioni i Komisionerëve Publikë (IKP), i përbërë nga dy komisionerë, të zgjedhur nga parlamenti në vitin 2017.
Institucionet e vetingut mbështeten dhe monitorohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili përbëhet nga vëzhgues ndërkombëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja, ku përfshihen gjyqtarë dhe prokurorë me të paktën 15 vjet përvojë profesionale në vendet e tyre përkatëse. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit udhëhiqet nga Komisioni i BE-së.
Në fund të vitit 2018 u krijuan institucionet e reja qeverisëse, si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), pasuar nga krijimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) në vitin 2020. KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë me kohë të plotë, të cilët janë të angazhuar ekskluzivisht me qeverisjen e sistemit gjyqësor. Për më tepër, Gjykata e Lartë ishte subjekt i reformës në drejtësi.
Harta e re gjyqësore rishikoi kompetencat territoriale të gjykatave, duke mbyllur nëntë gjykata më të vogla të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe katër gjykata administrative dhe pesë gjykata të apelit për të rritur efikasitetin e tyre dhe për të menaxhuar përgjysmimin e numrit të gjyqtarëve, kryesisht si pasojë e procesit të vetingut.
Vendet vakante në gjyqësor janë një nga sfidat kryesore për këtë degë të pushtetit. Deri në fund të korrikut 2023, pas verifikimit të tre komponentëve të parashikuar me ligj (pasuria, integriteti dhe kapaciteti profesional), KPK-ja ka shkarkuar 138 gjyqtarë dhe 96 prokurorë (shpesh vetëm për një nga tre kriteret). Kjo ka pasur një ndikim serioz në efikasitetin e gjykatave dhe përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjet e prapambetura të grumbulluara. Në vitin 2022, numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë arriti në mbi 36,000 çështje, ndërsa në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, mbi 28,000 çështje. Ndër mangësitë e evidentuara në vendimet e KPK-së janë kapacitetet e pamjaftueshme profesionale të anëtarëve të saj dhe standardet e dyfishta të vendimeve të saj.
Sfidat e tjera lidhen me mbështetjen e nevojshme në aspektin e burimeve financiare dhe njerëzore, një sistem funksional për menaxhimin e çështjeve dhe bashkëpunim më i fortë me median dhe shoqërinë civile për të rritur transparencën në mënyrë që të forcohet besimi i publikut tek sistemi gjyqësor.
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
REKOMANDIMET E ORGANIT
- Organi ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të ndryshojnë Kushtetutën për të përfshirë garancitë për buxhetin e organit gjyqësor në tërësi, krahas garancive aktuale të parashikuara nga neni 138 i Kushtetutës për pagat dhe përfitimet e gjyqtarëve; duhet të ketë një dispozitë që përcakton se organi gjyqësor duhet t’i ketë të paktën 1% të buxhetit të shtetit.
- Organi ekzekutiv dhe legjislativ duhet të rrisin fondet për infrastrukturën fizike të organit gjyqësor në buxhetin e shtetit 2024 për investime në sistemet e menaxhimit të çështjeve, TIK, ndërtesa, sallat e gjyqit, sigurinë dhe automjetet.
- Organi ekzekutiv dhe legjislativ duhet të ndryshojnë ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” për të përfshirë si në vijim:
- që viti i tretë i studimeve në Shkollën e Magjistraturës të konsiderohet “vit i praktikës profesionale”, gjatë të cilit kandidatët gjykojnë çështje më pak të komplikuara;
- që procesi i verifikimit të pasurisë dhe kontrollit të historikut të kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës të kryhet vetëm në fillim të studimeve.
- Organi ekzekutiv dhe legjislativ duhet të ndryshojnë ligjin 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, për të shfuqizuar kërkesën e KLGJ-së për anonimizimin e informacionit lidhur me emërimin, transferimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve.
- KLGJ-ja duhet të marrë iniciativën për krijimin e Këshillit të Marrëdhënieve të Gjyqësorit me Median me përfaqësues nga të dy aktorët.
- KLGJ-ja duhet të ndryshojë Kodin e Etikës së Organit Gjyqësor, i cili duhet të përfshijë një dispozitë që përcakton se gjyqtarët nuk duhet të marrin rimbursime, kompensime dhe honorare në lidhje me udhëtimet e sponsorizuara në mënyrë private.
- KLGJ-ja duhet të miratojë një akt për përfshirjen e numrit të çështjeve kundër organit ekzekutiv dhe rezultatit të tyre, si dhe të dhënave të ndara sipas gjinisë, në statistikat e organit gjyqësor.
- Shkolla e Magjistraturës duhet të përfshijë tema mbi zbatimin e mekanizmave që marrin parasysh ndjeshmërinë gjinore në programin e edukimit në vazhdim.
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”