Në këtë artikull po zbardhim rezultate dhe rekomandime për Prokurorinë, të bëra në Raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtarë të Integritetit.
Ky raport për Shqipërinë Nëntor 2023 është realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”.
Raporti synon të vlerësojë kuadrin institucional duke u përqendruar në nivelet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ky raport shënon vlerësimin e parë të këtij lloji të Shqipërisë që nga viti 2016.
Raporti vlerëson ecurinë e reformave të deritanishme për konsolidimin e institucioneve dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për të forcuar sistemin e integritetit kombëtar. Dokumenti i plotë në shqip mund të klikohet në webfaqen e IDM.
Ky Vlerësim u hartua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij janë përgjegjësi vetëm e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë janë vlerësime dhe rekomandime për shtyllën Prokuroria, vlerësimi bëhet sipas disa Rezultateve me 1 deri 100 pikë sa Kapaciteteve, Qeverisjes, Rolit dhe treguesve konkret:
Prokuroria e Republikës së Shqipërisë përbëhet nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm (GJP) dhe Prokuroria e Posaçme. Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm ishte prokuroria e vetme në Shqipëri deri sa u bë reforma në drejtësi në 2016, e cila krijoi Prokurorinë e Posaçme për të ndjekur penalisht rastet lidhur me Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe njësinë e pavarur të hetimit, Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat së bashku përbëjnë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sistemi i drejtësisë së Republikës së Shqipërisë është prekur nga një reformë e thellë. Kuadri i ri ligjor është miratuar në vitin 2016, ndërsa institucionet e reja qeverisëse, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), janë krijuar në vitin 2018, pas ngritjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) në 2020. KLP-ja përbëhet nga 11 anëtarë me kohë të plotë dhe emëron, vlerëson, rrit në detyrë dhe transferon të gjithë prokurorët e të gjitha hierarkive, vendos për masat disiplinore të caktuara ndaj të gjithë prokurorëve të të gjitha hierarkive, propozon kandidatët për prokuror të përgjithshëm në Kuvend, miraton rregullat e etikës për prokurorët dhe mbikëqyr zbatimin e tyre, propozon dhe administron buxhetin e vet dhe informon publikun dhe parlamentin për gjendjen e prokurorive.
Skema e re e organit gjyqësor rishikoi kompetencat territoriale të gjykatave, duke mbyllur 9 gjykata më të vogla të juridiksionit të përgjithshëm dhe pesë gjykata të apelit. Si rrjedhojë, në të njëjtën mënyrë janë ndikuar edhe prokuroritë. Prokurori publik përballet me sfida të rëndësishme për shkak të vendeve vakante si rezultat i procesit të vetingut, ku KPK-ja ka shkarkuar 96 prokurorë që në shtator të vitit 2023. Kjo ndikon në efikasitetin e prokurorisë. Sfidat shtesë përfshijnë nevojën për rritje të burimeve financiare dhe njerëzore, si dhe bashkëpunim të zgjeruar me median dhe shoqërinë civile për të rritur transparencën dhe besimin e publikut. Kushtetuta nuk parashikon garanci që buxheti i prokurorisë të parashikojë që kësaj të fundit t’i ndahet një përqindje e buxhetit të përgjithshëm për të kryer punën e saj me efikasitet.
Për më tepër, KLP-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë përcaktuar ngarkesën optimale të prokurorit, e cila kërkon një analizë gjithëpërfshirëse. Derisa të plotësohen vendet vakante të konsiderueshme, është e rëndësishme të bëhet një shpërndarje e balancuar e ngarkesës së punës ndërmjet prokurorëve për rritjen e efikasitetit.
Programi i trajnimit fillestar për prokurorët nuk përfshin diferencimin nga gjyqtarët dhe duhet të fokusohet në ligjin penal. Kushtetuta nuk parashikon garanci lidhur me buxhetin e prokurorisë, duke penguar përmbushjen efikase të punës.
Prokuroria është më reaktive sesa proaktive në transparencë, duke iu përgjigjur kërkesave për informacion sipas ligjit të së drejtës për informim.
Boshllëqet kritike të llogaridhënies përfshijnë mungesën e vlerësimeve të performancës për prokurorët për të udhëzuar ngritjet në detyrë dhe mungesën e dispozitave specifike që i pengojnë prokurorët të marrin rimbursime, kompensime dhe honorare në lidhje me udhëtimet e sponsorizuara në mënyrë private të përcaktuara në standarde dhe rregulla.
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
Burimi: Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit i Shqipëri 2023 Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip
- Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet t’i propozojnë Këshillit të Ministrave (i cili më pas i propozon parlamentit) ndryshime kushtetuese që garantojnë buxhetin e prokurorisë, duke shtuar një dispozitë që parashikon që prokurorisë t’i caktohet një përqindje e caktuar e buxhetit të përgjithshëm.
- Organi ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të ndryshojnë ligjin 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, me qëllim që të reduktohet nga tre në dy vjet afati kohor për emërimin e prokurorëve pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës. si dhe që procesi i verifikimit të pasurisë dhe të historikut të kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës të kryhet vetëm në fillim të studimeve.
- Organi ekzekutiv dhe legjislativ duhet të ndryshojnë ligjin 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që të ndryshojë programi fillestar i trajnimit për prokurorët. Programi i tyre i studimit duhet të jetë i posaçëm, d.m.th. duhet të fokusohet më shumë në ligjin penal, në vend që të thellohet në të drejtën civile, siç bëjnë gjyqtarët.
- KLP-ja duhet të miratojë dispozita specifike në Standarde dhe Rregulla që parandalojnë prokurorët të marrin rimbursime, kompensime dhe honorare në lidhje me udhëtimet e sponsorizuara në mënyrë private.
- KLP-ja duhet të miratojë rregulla të hollësishme në lidhje me transferimet e përkohshme për plotësimin e vendeve vakante në prokurori dhe të kryejë vlerësimet e performancës së prokurorëve. Ngritja në detyrë e prokurorëve duhet të bazohet në këto vlerësime të performancës.
- KLP-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme duhet të kryejnë një vlerësim për të përcaktuar ngarkesën e punës që një prokuror mund dhe duhet të përballojë brenda orarit të punës, e cila nënkupton përcaktimin e një standardi maksimal. Ky standard duhet të përcaktohet pas një studimi dhe një analize gjithëpërfshirëse të të gjithë faktorëve përcaktues që ndikojnë në ngarkesën e punës së prokurorit, duke filluar nga ndryshimet që janë bërë në Kodin e Procedurës Penale, të cilat rritin ndjeshëm ngarkesën e prokurorit, kohën e nevojshme për hetimin e një çështjeje, dhe pjesëmarrjen në seancat gjyqësore, duke pasur parasysh kushtet aktuale të punës. Më pas, numri i prokurorëve që i nevojiten sistemit nuk duhet të përcaktohet duke iu referuar vetëm vendeve vakante aktuale, apo duke bërë krahasime me vitet e mëparshme, por bazuar në ngarkesën aktuale të punës dhe ngarkesën e punës që mund të përballojë një prokuror. Derisa prokuroria të plotësojë vendet vakante, duhet të merren masa për një shpërndarje të balancuar të ngarkesës mes prokurorëve në të gjithë vendin (dhe jo vetëm mes prokurorëve të së njëjtës zyrë), duke qenë se ka dallime të theksuara në ngarkesën e punës, ndërkohë që pagat e tyre janë të njëjta.
Komente dhe Analiza: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM si pjesë e projektit të Transparency International TI, “EU4 Rule of Law: Citizen Engagement for Public Integrity (CEPI) in the Western Balkans and Turkey”