Buxheti i shtetit është instrumenti kryesor financiar dhe politik i një qeverie, që përcakton mënyrën se si mblidhen dhe shpërndahen burimet publike për të përmbushur nevojat dhe prioritetet e vendit. Ai reflekton politikat fiskale, ekonomike dhe sociale, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Buxheti i shtetit për vitin 2025 pasqyron përpjekjet e qeverisë për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe për të mbështetur rritjen ekonomike përmes investimeve. Në këtë kuadër, struktura e shpenzimeve publike për 2025 tregon një fokus të theksuar te shpenzimet korente, që përbëjnë 79.61% të totalit, ndërsa shpenzimet kapitale zënë 19.67%, duke përfshirë dhe Fondin e Rindërtimit. Ndërkohë, fondi i rezervës ose kontigjencës është planifikuar të jetë 0.72%.

Gjatë periudhës 2018–2025, është vënë re një ulje graduale e shpenzimeve korente nga 84.74% në 2019 në 79.61% në 2025, ndërsa shpenzimet kapitale janë rritur nga 15.25% në 2019 në 19.06% në 2025. Këto ndryshime reflektojnë përpjekjet për të orientuar burimet publike drejt investimeve afatgjata dhe për të përballuar nevojat e rindërtimit.


*Shpenzimet Kapitale përfshijnë edhe Fondin e Rindërtimit

Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


*Për vitin 2024 dhe 2025 të dhënat janë të planifikuara
Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një komponent i rëndësishëm i buxhetit të vitit 2025 është Fondi i Rindërtimit, i cili është planifikuar të jetë 5 miliardë lekë, ose 0.21% e PBB-së. Viti 2025 shënon vitin e gjashtë radhazi që buxheti i shtetit përfshin fonde për rindërtimin, duke pasqyruar vazhdimësinë e angazhimeve për rikuperimin nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.

Krahasuar me vitin 2020, kur shpenzimet për rindërtimin arritën kulmin me 29.52 miliardë lekë ose 1.56% të PBB-së, fondi për 2025 reflekton një reduktim të ndjeshëm, duke treguar një fazë të re të përfundimit të projekteve kryesore të rindërtimit.

Megjithatë, një analizë e granteve individuale për programin e rindërtimit gjatë periudhës 2020 – maj 2023 tregon se alokimi i fondeve ka qenë i ndikuar ndjeshëm nga ciklet elektorale. Për shembull, në Durrës, shpenzimet mesatare mujore gjatë periudhave elektorale ishin 224.5 milionë lekë, krahasuar me 149.6 milionë lekë në periudhat jo-elektorale. Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe në Lezhë, ku diferenca mes periudhave elektorale dhe jo-elektorale ishte edhe më e theksuar. Këto të dhëna sugjerojnë se ciklet elektorale kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në shpërndarjen e fondeve për rindërtimin, duke theksuar nevojën për transparencë dhe planifikim afatgjatë në menaxhimin e këtyre burimeve.



Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Numri i punonjësve buxhetorë pritet të pësojë një rritje të konsiderueshme në vitin 2025, duke arritur në 86,314 nga 83,688 që ishin në vitin 2023.

Viti me rritjen më të lartë në raport me periudhën paraardhëse rezulton viti 2021, i cili është edhe vit zgjedhor. Konkretisht numri i punonjësve buxhetor në vitin 2021 ishte 31.4% më i lartë (apo 18,350 punonjës më shumë) se në vitin 2020.



Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërkohë, buxheti për 2025 parashikon gjithashtu shpërblime për pensionistët, duke reflektuar angazhimin për të mbështetur këtë kategori sociale. Në dhjetor 2024, është planifikuar një bonus prej 3,650 milionë lekësh, ndërsa në pranverë të vitit 2025, ky bonus do të rritet në 3,750 milionë lekë. Këto shpërblime synojnë të lehtësojnë barrën ekonomike për pensionistët dhe të mbështesin fuqinë e tyre blerëse në kushtet e inflacionit dhe rritjes së çmimeve të konsumit.

Por nga ana tjetër për herë të parë po aplikohet praktika e bonusit pranveror!



Burimi: Ministria e Financave
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhëna të detajuara mbi transfertat nga Thesari i Shtetit mund të gjenden në databazën Transaksione Thesari, e cila ofron transparencë të plotë mbi pagesat buxhetore dhe përdorimin e fondeve publike. Kjo platformë lejon akses në informacione të përditësuara mbi alokimin e fondeve, duke mundësuar analizë të thelluar të shpenzimeve publike dhe monitorim të efektivitetit të përdorimit të buxhetit shtetëror.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli