Deklaratë e përbashkët mbi projektvendimin për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 13 Mars 2026

Një koalicion prej 31 organizatash të shoqërisë civile, përfshirë AIS / Open Data Albania, kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët duke ngritur shqetësime lidhur me Projektvendimin për Ndryshimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Deklarata fokusohet në dy çështje kryesore: procedurën e përshpejtuar për legjislacionin që lidhet me integrimin europian, si dhe mungesën e transparencës dhe garancisë së konsultimit publik brenda kësaj procedure.

Mbi Procedurën e Përshpejtuar – Projektvendimi parashikon një procedurë automatike të përshpejtuar për të gjithë legjislacionin që lidhet me integrimin në BE. Ndërsa një mekanizëm i tillë mund të justifikohet duke pasur parasysh volumin dhe ritmin e negociatave të anëtarësimit, koalicioni paralajmëron se modeli aktual anashkalon shqyrtimin parlamentar rast pas rasti dhe nuk përcakton një afat minimal për shqyrtimin e komisionit – duke krijuar një rrezik që përshpejtimi të kthehet në rregull dhe jo në përjashtim. 

Mbi Konsultimin me Shoqërinë Civile dhe Transparencën – Projektvendimi nuk përmban dispozita që garantojnë konsultimin me shoqërinë civile, përfshirjen e ekspertëve apo transparencën publike në kuadër të procedurës së përshpejtuar. Lënia e konsultimit vetëm në diskrecionin e komisioneve parlamentare mbetet larg një mekanizmi institucional të strukturuar dhe ul parashikueshmërinë e procesit legjislativ. 

Rekomandime – Koalicioni i bën thirrje Kuvendit që, përpara miratimit të projektvendimit, të përfshijë këto garanci:

  • Procedura e përshpejtuar duhet të kërkojë një vendim të arsyetuar parlamentar për çdo projektligj të veçantë dhe të mos zbatohet automatikisht.
  • Duhet të garantohet një periudhë minimale shqyrtimi në komisione prej të paktën dhjetë ditësh pune, edhe në rastet kur aplikohet procedura e përshpejtuar.
  • Duhet të parashikohet konsultim publik i strukturuar, përfshirë publikimin e projektakteve në platformën e-Parliament, si dhe mekanizma të posaçëm që të sigurojnë se përshpejtimi i procedurës nuk cenon cilësinë e konsultimit.
  • Duhet të sigurohet transparencë e plotë përmes publikimit të relacionit shpjegues dhe të tabelave të përputhshmërisë me acquis të BE-së.
  • Duhet të garantohet dhe të forcohet roli dhe kapaciteti i komisioneve parlamentare sektoriale në shqyrtimin e legjislacionit që lidhet me integrimin në Bashkimin Evropian.

LEXO DEKLARATËN


Organizatat Nënshkruese:

  1. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  2. Albanian Woman in Audiovisual (AWA)
  3. Partners Albania
  4. Akademia e Studimeve Politike (ASP)
  5. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
  6. Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC)
  7. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  8. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
  9. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
  10. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
  11. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
  12. BIRN Albania
  13. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH/AJA)
  14. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  15. Faktoje
  16. Rrjeti Erasmus Tirana (ESN Tirana)
  17. Fondacioni “Së Bashku”
  18. Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI)
  19. Instituti Shqiptar i Shkencës / Open Data Albania
  20. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
  21. Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  22. Qendra Për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare (QSKN)
  23. Qendra Amfora
  24. Qëndresa Qytetare
  25. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  26. Shoqata Together for Life (TFL)
  27. Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
  28. Rrjeti i Grave – Barazi në Vendimmarrje
  29. Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm – All Green Centre
  30. Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA)
  31. AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri