Raporti i Monitorimit mbi Prokurimin Publik në Vite Zgjedhore, Evidencë Statistikore dhe Analizë Risku 2015 – 2025 është hartuar nga Organizata AIS, e njohur si Open Data Albania. Dokumenti synon të evidentojë të gjitha faktet statistikore që kanë të bëjnë në terma sasiorë me Prokurimin Publik në Republikën e Shqipërisë.

Fokus i veçantë janë karakteristikat e Prokurimit Publik në vite dhe periudha që përkojnë me procese zgjedhore të mbajtura nga viti 2015 deri në vitin 2025. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur gjashtë procese zgjedhore për Qeverisjen Vendore dhe Zgjedhje të Përgjithshme Parlamentare.

Përmes analizës krahasimore të indikatorëve të integritetit dhe riskut, ky Raport Monitorimi nëpërmjet evidencës synon të zbardhë karakteristika që lidhen me vitin apo periudhën zgjedhore, për të evidentuar problematika të përdorimit të parave publike dhe kontraktimit publik për qëllime që lidhen me interesa elektorale.

Raporti bazohet dhe prezanton një seri të dhënash mbi vëllimin e tenderimeve publike që realizohen për institucionet qeverisëse dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki). Treguesit e prezantuar në pjesën Evidence Paper janë tregues të numrit dhe vlerës monetare të prokuruar në vite përmes Sistemit Kombëtar të Prokurimit Elektronik të centralizuar.

Grupi i punës ka evidentuar fakte sasiore duke përdorur të dhëna zyrtare të Sistemit Elektronik të Prokurimit (SPE), sistem që menaxhohet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Treguesit sasiorë janë agreguar në tregues të riskut, integritetit dhe performancës në prokurimin publik sipas metodologjisë së krijuar gjatë zbatimit të projektit dhe platformës Open Procurement Albania, platformë digjitale ku aplikohet mirëstrukturimi dhe automatizimi i të dhënave për transparencë dhe vlerësim të riskut.

Veç evidencës përmes të dhënave, ky Raport Monitorimi ka evidentuar edhe defekte të integritetit dhe riskut për keqpërdorim, bazuar në vlerësime krahasimore të ecurisë së disa indikatorëve. Konkluzionet synojnë të prezantojnë situatën dhe problematikat, si dhe në fund të adresojnë rekomandime për monitorim dhe ndërhyrje.

Organizata AIS është një nga organizatat me eksperiencë në monitorimin e prokurimit publik përmes instrumenteve dhe zgjidhjeve softuerike në prokurimin publik. AIS ka krijuar disa platforma të transparencës në prokurime dhe shpenzime publike.

Open Procurement Albania është një platformë apo zgjidhje softuerike e krijuar nga ekspertë dhe vullnetarë të organizatës AIS, e njohur si Open Data Albania. Kjo platformë ka informacion të plotë, të dhëna, dokumente, algoritme dhe vlerësime risku për të gjithë tenderat e 61 bashkive (njësive të qeverisjes vendore) nga viti 2015 deri në vitin 2026 e në vijim. Open Procurement Albania është produkti më inovativ i vlerësimit të riskut në tenderim përmes inteligjencës digjitale dhe automatizimit të informacionit për tenderim. Donator i kësaj platforme në vite është National Endowment for Democracy (NED).

Rekomandime

1. Monitorim i posaçëm i prokurimeve publike gjatë periudhës para zgjedhore dhe vitit zgjedhor 2027

Duke qenë se evidentohet një rritje e ndjeshme e vëllimit të prokurimeve publike në vitet që paraprijnë zgjedhjet, institucionet e auditimit, monitorimit dhe shoqëria civile duhet të aplikojnë mekanizma të posaçëm monitorimi për periudhën 2026–2027. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet procedurave me vlera të larta financiare dhe investimeve të shpallura në muajt që paraprijnë zgjedhjet vendore.

2. Mbikëqyrje e shtuar për tenderat me ofertues të vetëm dhe procedurat me negocim

Procedurat me një ofertues të vetëm dhe procedurat me negocim duhet të konsiderohen kategori me risk të lartë dhe t’i nënshtrohen verifikimeve shtesë administrative dhe publike. Çdo rritje e peshës së këtyre procedurave gjatë vitit zgjedhor duhet të publikohet dhe analizohet në mënyrë periodike.

3. Përdorimi institucional i sistemeve të vlerësimit të riskut dhe algoritmeve “Red Flag”

Institucionet publike, audituesit dhe organet mbikëqyrëse duhet të përdorin në mënyrë sistematike instrumente të inteligjencës digjitale dhe metodologji të tipit “Red Flag”, si ato të zhvilluara nga Open Procurement Albania, për identifikimin e hershëm të procedurave me risk për mungesë konkurrence, klientelizëm dhe keqmenaxhim.

4. Rritja e transparencës për procedurat me vlerë të lartë dhe fituesit e përsëritur

Duke qenë se analiza evidenton përqendrim më të lartë të fondeve tek një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë në vitet zgjedhore, rekomandohet publikimi periodik i listave të përfituesve më të mëdhenj të kontratave publike, si dhe analizimi i nivelit të përqendrimit të fondeve sipas autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë.

5. Raportim publik periodik për integritetin e prokurimit gjatë zgjedhjeve vendore 2027

Agjencia e Prokurimit Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njësitë e qeverisjes vendore dhe organizatat monitoruese duhet të publikojnë raporte periodike mbi:

  • vëllimin e prokurimeve;
  • procedurat me ofertues të vetëm;
  • procedurat me negocim;
  • nivelin e eficiencës financiare;
  • tenderat e shënuar me “Red Flag”.

Kjo do të mundësonte identifikimin në kohë reale të tendencave problematike dhe forcimin e besimit publik në administrimin e fondeve publike gjatë periudhës zgjedhore.

Rekomandim strategjik shtesë

6. Mbështetje për digjitalizimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në monitorimin e prokurimit publik

Donatorët ndërkombëtarë, institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të platformave analitike dhe zgjidhjeve softuerike për monitorimin automatik të prokurimit publik. Zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale, analizës së të dhënave dhe standardeve Open Contracting mund të kontribuojë në identifikimin më të hershëm të riskut për korrupsion, klientelizëm dhe keqmenaxhim, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore të vitit 2027.


Ky Raport Monitorimi dhe pjesa e Evidence Paper janë realizuar nga Organizata AIS. Çdo konkluzion, rekomandim, opinion, formulim apo gjetje e paraqitur në këtë dokument përfaqëson qëndrimet dhe vlerësimet e autorëve dhe nuk i atribuohet subjektit që mbështet me donacion punën dhe projektin.

Të dhënat tabelare të përdorura në këtë raport mund t’i gjeni të afishuara në versionin Open Data të databazës sonë Data.al, duke përdorur fjalën e kërkimit #ProkurimPublikZgjedhje.