Në këtë artikull po evidentohet vëllimit i prokurimeve publike të cilat anulohen pas fillimit të garës përmes njoftimit në Sistemin Elektronik të Prokurimeve (SEP). Procedurat e anuluara janë analizuar për vitin 2025, duke evidentuar ato në vlerë fondi limit; numër procedure të anuluar; peshën e vlerës së fondit limit për procedura të anuluara kundrejt totalit dhe listimin e institucioneve që shënojnë anulime të shumta. Po njësoj, të dhënave mbi anulimet e tenderëve u është bërë një vlerësim krahasimor në vite.

Integriteti dhe risku për klientelizëm – Anulimi i tenderit në mënyrë të përsëritur apo anulimet sistematike nga autoritete të caktuara kontraktorë përkojnë me një risk të shtuar të tendencës për të deformuar garën, duke synuar kontraktim final me një biznes apo klient të caktuar. Në rastin më të thjeshtë, anulimet shënojnë defekte të procedurës dhe konkurrencës, por në raste më kritike ato mund të na çojnë tek skema të deformimit të konkurrencës së lirë dhe tregjeve konkurruese.

Sa i përket vitit 2025, anulimet me të paktën një herë shënuan 2 027 (dy mijë e njëzet e shtatë) raste ose 21.4% të numrit total të tenderëve të njoftuar. Fondi limit i prokurimeve (tenderave) të anuluar është 28.84 miliardë Lekë apo 18.1% e fondit limit për të gjitha procedurat e njoftuara në vitin 2025. Kjo përkon me 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vitit apo 3.6% të shpenzimeve buxhetore të vitit 2025. Ndërkohë, kundrejt vlerës së konsoliduar të investimeve publike, fondi limit i anuluar në 2025 rezulton rreth 23.6%.


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Karakteristikë e listës së tenderimeve apo procedurave të prokurimit publik të anuluara gjatë vitit 2025 është fakti se spikasin tenderë, anulimi i të cilëve nuk është shoqëruar me rishpallje procedure. Këta tender janë anuluar duke i nxjerrë proceset e kontraktimit jashtë kuadrit të Prokurimit Publik, përmes shmangies së legjislacionit për Prokurimin Publik dhe Sistemit Elektronik të Prokurimit.

Tenderët me vlerat më të larta të anuluara gjatë vitit 2025 përkojnë me raste kur anulimi është shoqëruar me dhënien e të drejtës për realizimin e punimeve apo furnizimeve kompanive me zotërim të përzier publik–privat. Procedurat e anuluara me fond limit të lartë konstatohet se përkojnë në të njëjtën kohë me themelimin e kompanisë shtetërore Kayo dhe kompanive të tjera me zotërim të pjesshëm të saj. Kështu, shumë nga furnizimet e procedurave të anuluara rezultojnë të konsoliduara në transaksionet e Thesarit për kompani me zotërim të përzier shtet dhe privat.

Në këtë kuadër, disa furnizime logjistike, i janë dhënë kompanisë Guna Tactical, e cila është kompani me  51% kapital shtetëror zotëruar nga kompania Kayo dhe 49% kapital privat, të zotëruar nga subjekti MSSC Group.

Procedura me fondin limit më të lartë e anuluar gjatë vitit 2025 është “Blerje dhe shpërndarje uniformash dhe këpucësh për Policinë e Shtetit”, me një vlerë prej rreth 2.72 miliardë lekësh.

Data.AL: Dhjetë procedurat e anuluara me vlerën më të lartë gjatë vitit 2025


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nga procedurat e prokurimit të anuluara gjatë vitit 2025, 6 prej tyre lidhen me blerjen e artikujve të uniformave për Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Policinë e Burgjeve. Fondi limit i këtyre procedurave rezulton rreth 8.3 miliardë lekë, duke përfaqësuar 28.7% të fondit limit të anuluar në vitin 2025.


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), vlera e fondit limit të njoftuar për vitin 2025 rezulton rreth 6% e PBB-së. Ndërkohë, fondi limit i anuluar përbën rreth 1.1% të PBB-së. Karakteristikë për vitin 2025 është vlera e ulët e fondit në Prokurimin Publik dhe, po njësoj, e peshës që ky fond përbën kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse heqim vlerën e prokurimeve të anuluara, rezulton që në vitin 2025 u prokuruan apo tenderuan procedura me vlerë vetëm 4.9% të PBB-së. Kjo përbën një sasi të ulët të parasë publike të shpërndarë përmes garës, duke mbartur si riskun e më pak parave të injektuara në ekonomi, ashtu edhe riskun e injektimit apo kontraktimit me procedura që shmangin konkurrencën përmes tenderimit dhe garës. Kontribut në këtë pakësim kanë dhënë edhe anulimet përfundimtare, duke nxjerrë nga konkurrimi procedurat për uniforma dhe të ngjashme për efektivët ushtarakë dhe policorë.


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në numër, procedurat e anuluara për vitin 2025 paraqesin një situatë me shumë përqendrim në sektorin e shëndetësisë dhe spitalet publike. Ndërsa, në vlerë fondi limit, tenderat e anuluar sipas autoritetit prokurues duket se vlerat më të larta i përkasin Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Autoriteti me numrin më të lartë të procedurave të anuluara gjatë vitit 2025 rezulton Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me 168 procedura të anuluara. Në vend të dytë renditet Operatori i Blerjeve të Përqendruara me 147 procedura, ndërsa në vend të tretë Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, me 104 procedura të anuluara.


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Anulimi i prokurimeve publike qëndron në nivele të larta si në numër, ashtu edhe në vlerë tenderimi gjatë gjithë periudhës 2015–2025. Në mesatare, çdo vit kemi rreth 2550 tendera të anuluar të paktën një herë dhe kjo përbën rreth 27.7% të procedurave. Ndërkohë, mesatarja e fondit limit të anuluar kundrejt totalit të prokurimeve për periudhën 2015–2025 është 41.9 miliardë lekë çdo vit, ose 19.7% e totalit të vlerës për prokurime të shpallura për vitin.

Rekord në anulime mbajnë vitet 2017 dhe 2024, me përkatësisht 32.2% dhe 30.1% të vlerës së fondit limit të shpallur për prokurim. Viti 2024 karakterizohet nga dy anulime të tenderit më të madh të njoftuar ndonjëherë, që është tenderi për Portin e Ri në Porto Romano, Faza 1. Ky tender, me vlerë fondi limit 39.3 miliardë lekë, u anulua dy herë, duke shkaktuar edhe një nga mosrealizimet kryesore në investimet publike


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Open Procurement Albania, OpenTender.eu
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Niveli i lartë i anulimeve, me të paktën një nga katër tendera të anuluar, sikurse edhe vlera e spikatur e fondit limit që përkon me anulimet, përbën shqetësim për mënyrën e zhvillimit të garave dhe konkurrencës. Qoftë defektet në dokumentet e përgatitura, e qoftë arsye të tjera që lidhen me bizneset dhe ofertat pjesëmarrëse, përkojnë me indicie për risk të lartë të tendencës për ta çuar kontratën tek një klient apo grup klientësh të caktuar.

Deri tani, analiza institucionale e Prokurimit Publik nuk i është nënshtruar një skanimi që lidhet me incidencën e lartë të anulimeve. Ndërkohë, platforma Open Procurement Albania i konsideron me risk dhe i shënon me “red flag” të gjitha procedurat që anulohen dy apo më shumë herë.

Ky artikull u realizua si pjesë e monitorimit të procesit të tenderimeve në Vitin Zgjedhor 2025 dhe zbatohet në kuadër të projektit “Open Contracting Albania and Youth Empowerment in Anti-Corruption”. Monitorimi u shoqërua me analiza dhe raportime mbi rritjen e riskut për tenderime me risk dhe RedFlag, apo karakteristika të tjera që krijojnë indicie për situata të keqmenaxhimit të prokurimeve publike në vit zgjedhor.

Autorë të vlerësimit dhe analizës janë të rinj studentë në Shkenca Ekonomike, pjesë e fellowship-it “Youth Empowerment in Anti-Corruption”.

Shkarko excel: Anulimet në Prokurimin Publik 2025: Pesha në vlerë tenderimi dhe numër procedurash, krahasimi në vite
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: M. Sene, L. Hasa, E. Meci & E. Vukaj