Organizata AIS, në kuadër të angazhimit të saj për promovimin e të dhënave të hapura dhe rritjen e transparencës në qeverisje, vijon organizimin e “Info Sessions” me gazetarë lokalë, me të paktën dy takime në muaj. Aktiviteti zhvillohet në kuadër të programeve “Open Contracting Albania” dhe “Youth Empowerment in Anticorruption” dhe synon rritjen e njohurive mbi procesin e prokurimit publik, si dhe forcimin e gazetarisë investigative dhe asaj të bazuar në fakte.
Gjatë muajve të fundit, dhjetëra gazetarë kanë marrë pjesë në këto sesione informuese dhe praktike, duke fituar njohuri mbi mënyrat e aksesimit, analizimit dhe interpretimit të të dhënave të prokurimit publik. Fokus i veçantë i është kushtuar identifikimit të elementëve që lidhen me konkurrueshmërinë, cilësinë dhe integritetin e tenderëve publikë.
Komunikimi me gazetarët zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme përmes email-it dhe grupeve të dedikuara në WhatsApp, ku ndahen udhëzime praktike, burime të hapura informacioni dhe asistencë për përdorimin e databazave publike. Gazetarët kanë shfaqur interes të veçantë për mënyrën e ndërlidhjes së të dhënave të tenderëve “Open Procurement Albania” me pagesat e realizuara nga Thesari i Shtetit përmes platformës “Spending Data Albania”, si dhe me informacionin mbi pronësinë dhe administrimin e kompanive përmes databazës “Open Corporates Albania”.
“Info Sessions” kanë kontribuar në rritjen e kapaciteteve të gazetarëve për të prodhuar raportime dhe histori mediatike të bazuara në të dhëna të hapura, analiza dhe verifikim faktesh. Këto bashkëpunime kanë sjellë publikimin e një sërë artikujsh dhe investigimesh mediatike mbi çështje të prokurimit publik dhe përdorimit të fondeve publike gjatë periudhës janar 2025 – prill 2026.
Ndër rastet e raportuara në media përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe analizës së tenderëve publikë përfshihen:
Telegrafi: Shkelje të kryebashkiakut të Tropojës. Si mori Ron Yeffet një tender për blerje kamioni ndërsa ishte në listën e zezë të Prokurimit Publik.
Dokumenti/ Si mori Ron Yeffet tenderin ndërkohë që ishte i përjashtuar nga prokurimet publike – shkeljet e kryebashkiakut dhe “kamioni me çmim special”

SYRI TV: Programi investigativ “Plug” raportoi se në bashkitë Dibër dhe Lezhë janë dhënë 400 milionë lekë për rrugë që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Shumë fakte të ballafaquara në terren bien ndesh me vlerat dhe dokumentet e tenderit.
Plug/ Dibër dhe Lezhë, 400 milionë euro për rrugë

Një tender me flamur të kuq dhe punime të munguara në terren. “Inside Story” në Top Channel verifikoi se ura në një aks kombëtar është në rrezik shembjeje dhe askush nuk po kryen punimet e tenderuara.

SYRI TV në një program televiziv raportoi se qeveria, në vend që të ulë korrupsionin, po ul volumin e tenderave të hapur duke kontraktuar jo përmes prokurimit dhe garës, por me kontrata të dhëna me ligje dhe akte nënligjore speciale. Konkretisht, në vitin 2025, që është edhe vit zgjedhor dhe vit i konfirmimit në mandatin e katërt qeverisës, autoritetet prokuruese anuluan në mes të vitit tendera me vlerë sa 18% e totalit të vlerës vjetore në tenderim. Kjo vlerë e tenderimeve të anuluara u kontraktua më pas drejtpërdrejt, pa procedurë prokuruese, përmes ndryshimeve ligjore dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke financuar disa kompani. Pas anulimeve për kontraktim me legjislacion special, vlera e prokurimit publik mbeti vetëm 4.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shënuar rekord historik të ulët si vlerë nominale dhe si peshë në raport me PBB.
VIDEO/ Brahaj: Shqipëria injekton vetëm 4.9% të PBB-së në Prokurim Publik

Në një analizë mbi prokurimet publike në një nga bashkitë kryesore në vend, ekipi i Faktoje verifikoi probleme të theksuara në tenderime ku evidentohej dëm ekonomik dhe probleme në procedurë.
Raporti i KLSH: Bashkia e Elbasanit, prokurime me shkelje dhe dëm ekonomik.

Gjatë periudhës 2025 – prill 2026, Organizata AIS zbatoi projektin me titull “Open Contracting Albania and Youth Empowerment in Anti-Corruption”. Ky projekt synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e tenderimeve në qeverisjen vendore. Me qëllim rritjen e njohurive të gazetarëve në sektorin e prokurimit publik, organizata ka takuar dhjetëra gazetarë, duke i asistuar në procesin e gjetjes dhe vlerësimit të të dhënave për prokurimet publike dhe shkrimin e historive mediatike.













