Organizata AIS / Open Data Albania ka hartuar Raportin e Monitorimit dhe Dokumentin e Evidencave “Prokurimi Publik në Vitet Zgjedhore: Evidencë Statistikore dhe Analizë Risku 2015–2025”. Studimi analizon sjelljen e prokurimit publik përgjatë një dekade dhe evidenton lidhjen midis proceseve zgjedhore dhe treguesve të vëllimit, konkurrencës, integritetit dhe riskut në tenderimin publik. Analiza bazohet në të dhëna zyrtare të Sistemit Elektronik të Prokurimit dhe në metodologjinë e vlerësimit të riskut të platformës Open Procurement Albania.
Gjetjet tregojnë se vitet zgjedhore dhe periudhat që i paraprijnë zgjedhjeve shoqërohen me rritje të ndjeshme të vlerës së prokurimeve publike, nivel më të lartë të procedurave me ofertues të vetëm, përqendrim më të madh të fondeve publike dhe shtim të tenderave të identifikuar me indikatorë risku (“red flag”). Raporti paraqet evidenca statistikore, analiza të integritetit dhe rekomandime për forcimin e monitorimit, transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik.

AIS është një organizatë me eksperiencë në monitorimin e prokurimit publik përmes instrumenteve dhe zgjidhjeve softuerike për transparencë dhe analizë të shpenzimeve publike, duke zhvilluar platforma të të dhënave të hapura dhe vlerësimit të riskut në tenderim.
Analiza është ndërtuar mbi metodologjinë e vlerësimit të indikatorëve të riskut dhe “red flags” të zhvilluar në kuadër të platformës Open Procurement Albania, një zgjidhje softuerike e krijuar nga ekspertë dhe vullnetarë të AIS / Open Data Albania. Platforma ofron të dhëna, dokumente dhe algoritme për analizimin e të gjithë tenderave të 61 bashkive (njësive të qeverisjes vendore) nga viti 2015 deri në vitin 2026 e në vijim. Donator i kësaj platforme në vite është National Endowment for Democracy (NED).

Ky Raport Monitorimi dhe pjesa e Evidence Paper janë realizuar nga Organizata AIS. Çdo konkluzion, rekomandim, opinion, formulim apo gjetje e paraqitur në këtë dokument përfaqëson qëndrimet dhe vlerësimet e autorëve dhe nuk i atribuohet subjektit që mbështet me donacion punën dhe projektin.
Të dhënat tabelare të përdorura në këtë raport mund t’i gjeni të afishuara në versionin Open Data të databazës sonë Data.al, duke përdorur fjalën e kërkimit #ProkurimPublikZgjedhje.
Konkluzione
Vëllimi i Prokurimit Publik sipas Kronologjisë Zgjedhore
- Në periudhën para zgjedhjeve, vlera e prokurimit publik rritet ndjeshëm, duke shënuar një mesatare prej rreth 142% më shumë krahasuar me vitin paraardhës (2024 vs 2023). Mesatarisht, gjatë dhjetë viteve të fundit, viti që i paraprin zgjedhjeve parlamentare (2024) ka rreth 1.7 herë më shumë aktivitet në prokurimet publike kundrejt vitit të mëparshëm.
- Si numri i tenderave ashtu edhe vlera mesatare për tender shfaqin rritje në mënyrë të qëndrueshme gjatë periudhës që i paraprin vitit zgjedhor. Në vigjilje të proceseve zgjedhore, autoritetet publike njoftojnë dhe iniciojnë një numër më të madh procedurash prokurimi, duke rritur ndjeshëm fondet e angazhuara për projekte publike në këtë periudhë.
- Viti në të cilin shpallet data e zgjedhjeve përkon shpesh me një nivel më të lartë të aktivitetit të prokurimeve publike në rang kombëtar (p.sh. 2016, 2018, 2020, 2022 dhe 2024). Ky vit karakterizohet nga rritje e ndjeshme e vlerës së fondeve limit të prokuruar.
- Në vitin 2024, i cili i paraprin zgjedhjeve parlamentare, vlera totale e fondeve limit të prokuruar arrin rreth 375 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 220 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2023, ose afërsisht 142% rritje vjetore në raport me vitin paraardhës. Gjithashtu, kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera e prokurimeve në vitin 2025, me një diferencë prej rreth 216 miliardë lekësh.
Konkurrenca, Përqendrimi dhe Eficienca Financiare. Përkeqësimi në vitet zgjedhore vite të ri-konfirmimit të forcës politike qeverisëse
- Rritet pesha e tenderave me një ofertues të vetëm. Vlera e fondit limit të prokuruar në procedura me vetëm një konkurent në garë, në vitet kur mbahen zgjedhjet, është më e lartë se në vitet jo-zgjedhore. Mungesa e konkurrencës dhe procedurat ku vetëm një ofertues merr pjesë në garë përbëjnë një element risku për Klientelizmi në tenderim.
- Në vitet zgjedhore, mesatarja e vlerës së fondit limit për tendera me një konkurrent të vetëm është rreth 15.2% e totalit, ndërsa në vitet e tjera ky indikator ka një mesatare më të ulët, rreth 14%.
- Në rastin e Shqipërisë për periudhën 2015–2025, viti zgjedhor është njëkohësisht edhe vit i ri-konfirmimit të mazhorancës në qeveri (Parlament dhe Qeverisje Lokale).
- Në vitin zgjedhor 2025 (vit i ri-konfirmimit të mazhorancës në pushtet), vlera e fondit limit për tendera me vetëm një ofertues në garë (me risk të shtuar për klientelizëm) shënoi 17.69% të totalit të fondit limit të tenderuar. Kjo është më e lartë se 12.76% në vitin paraardhës.
- Fondi limit për procedura me negocim në vitet zgjedhore (vitet e ri-konfirmimit të mazhorancës fituese) paraqitet më i lartë se në vitet jo-zgjedhore.
- Eficienca financiare e ulët në tenderim (diferenca midis fondit limit dhe vlerës së ofertës fituese) është më pak se 5%. Në vitet zgjedhore, eficienca financiare në tenderim paraqitet në nivel më të përkeqësuar. Fondi limit për procedura me eficiencë të ulët apo të munguar në tenderim në vitet zgjedhore është rreth 37.5% e fondit limit total. Në vitet e tjera kjo vlerë ka një mesatare rreth 31%.
- Viti 2017 (vit zgjedhor) paraqet nivelin më të përkeqësuar të eficiencës financiare të ulët dhe të munguar në tenderim, pasi 62% e vlerës së fondit limit të tenderuar nuk shoqërohet me eficiencë financiare në tenderim, dhe vlera e ofertës është shumë afër fondit limit, duke treguar konkurrencë të kufizuar ose më keq totalisht të munguar.
- Përqendrimi i vlerës së prokurimeve tek fituesit në 30 procedurat më të mëdha: dhe vitet zgjedhore, 12.3% e vlerës totale të fondit limit të tenderuar përqendrohet tek një numër i vogël fituesish për 30 procedurat me vlerë më të lartë. Kjo është mesatarisht 3.8% më shumë se në vitet jo-zgjedhore.
Algoritmi i Vlerësimit të Riskut në Tenderim sipas Metodologjisë së Open Procurement Albania. Evidenca për tendera të 61 Njësive të Qeverisjes Vendore (Bashki).
Prokurimi Publik ne Vite Zgjedhore – Metodologjia e analizës së indikatorëve të riskut “Red Flag” në Pushtetin Vendor
Në Shqipëri, një nga mekanizmat e monitorimit të riskut në prokurimin publik është platforma Open Procurement Albania (OPA), e zhvilluar nga organizata AIS / Open Data Albania. Platforma monitoron procedurat e prokurimit të publikuara në Sistemin Elektronik të Prokurimit (SPE) dhe Buletinet e Prokurimit Publik, duke identifikuar elementët potencialë të riskut. Vlerësimi i riskut bëhet automatik duke aplikuar një algoritëm të automatizuar me inteligjencë dhe qasje digjitale përmes mirë strukturimit të të dhënave në një platformë të programuar sipas standardit të publikimit Open Contracting.

Pas mirë strukturimit të informacionit për çdo procedurë prokurimi, algoritmi krijon një vlerësim të tenderave me risk për mungesë konkurrence dhe klientelizëm, duke evidentuar dhe shënuar procedurën me “red flag”.
Në metodologjinë e përdorur nga Open Procurement Albania, ndër indikatorët kryesorë të riskut përfshihen:
- mungesa e konkurrencës (procedurat me vetëm një ofertues);
- lloji i procedurës së përdorur (procedura me negocim);
- skualifikimi i ofertave më të favorshme dhe/ose i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit;
- pamundësitë kohore në përgatitjen e dokumentacionit për ofertë;
- anulime të shpeshta (dy ose më shumë herë).
Këta indikatorë janë në linjë edhe me praktikat e përdorura nga organizata ndërkombëtare si OECD, SIGMA dhe Open Contracting Partnership, ku procedura të caktuara konsiderohen me risk më të lartë për konkurrencën efektive dhe integritetin e prokurimit publik. Po ashtu, janë indicie për parregullsi gjatë procesit të prokurimit.
Në praktikë, këta indikatorë nuk nënkuptojnë automatikisht parregullsi apo shkelje ligjore, por identifikojnë procedura që paraqesin probabilitet më të lartë risku dhe që kërkojnë nivel më të shtuar monitorimi institucional dhe transparence. Kështu, platforma OPA markon me një flamur të kuq (“red flag”) çdo tender/procedurë prokurimi në rast të shfaqjes së një apo më shumë indikatorëve të mësipërm gjatë procesit të prokurimit.
- Në vitin 2025 (vit zgjedhor), 51% e fondit limit të prokuruar nga njësitë e qeverisjes vendore (bashki) përkon me tendera të shënuar me “red flag”. Një red flag vendoset kur gara ka vetëm një konkurrent, tenderi anulohet më shumë se dy herë, dhe s’kualifikohen të gjitha ofertat pjesëmarrëse me vlerë oferte ekonomike më të ulët se oferta e përzgjedhur fituese.
- Ky tregues është edhe më problematik dhe i përkeqësuar për Bashkitë apo Njësitë e Qeverisjes Vendore në vitet më të hershme zgjedhore.
- Konkretisht, në vitin 2023, vit kur u mbajtën Zgjedhjet për Qeverisje Lokale, rezulton se 54.3% e fondit limit të tenderuar përkon me tendera të shënuar nga algoritmi e Open Procurement Albania me të paktën 1 red flag.
- Në vitin 2019, vit po zgjedhor për pushtetin në njësitë e qeverisjes vendore (bashki), vlera e fondit limit për tendera me risk dhe shënim me red flag nga Open Procurement Albania përbente 40.9% të totalit të fondit limit të prokuruar nga bashkitë atë vit.
- Evidentohet në disa vite se, ndërkohë që procedurat me “red flag” përfaqësojnë rreth një të katërtën ose një të tretën e totalit të procedurave si numër, fondi limit i lidhur me to arrin të përbëjë mbi 45%–50% të fondit limit total. Kjo sugjeron një përqendrim relativisht më të lartë të riskut tek procedurat me vlerë financiare më të madhe.
Në dy proceset e fundit zgjedhore, 2023 (zgjedhjet vendore) dhe 2025 (zgjedhjet parlamentare), fondi limit i procedurave me “red flag” tenderuar nga Bashkitë arrin në mbi gjysmën e fondit limit total të prokuruar atë vit.
Open Procurement Albania është një platformë apo zgjidhje softuerike e krijuar nga ekspertë dhe vullnetarë të organizatës AIS, e njohur si Open Data Albania. Kjo platformë ka informacion të plotë, të dhëna, dokumente, algoritme dhe vlerësime risku për të gjithë tenderat e 61 Bashkive (njësive të qeverisjes vendore) nga viti 2015 deri në 2026 e në vijim. Open Procurement Albania është produkti më inovativ i vlerësimit të riskut në tenderim përmes inteligjencës digjitale dhe automatizimit të informacionit për tenderim. Donator i kësaj platforme në vite është National Endowment for Democracy (NED).
Organizata dëshiron të bashkëpunojë me organizma, njerëz dhe donatorë për më shumë digjitalizim dhe aplikim të inteligjencës artificiale për gjurmim dhe minimizim të riskut për korrupsion dhe keq menaxhim.

- #NEDemocracy
- #OpenProcurementAlbania
- #ProkurimPublikZgjedhje2025
- #Election2025
- #Election2027
- #OpenDataAlbania
- #OpenSpendingAlbania
