Prokurimi Publik ne Vite Zgjedhore – Metodologjia e analizës së indikatorëve të riskut (“Red Flags”) në Pushtetin Vendor
Në Shqipëri, një nga mekanizmat e monitorimit të riskut në prokurimin publik është platforma Open Procurement Albania (OPA), e zhvilluar nga organizata AIS / Open Data Albania. Platforma monitoron procedurat e prokurimit të publikuara në Sistemin e Prokurimit Elektronik (SPE) dhe Buletinet e Prokurimit Publik, duke identifikuar elementët potencialë të riskut. Vlerësimi i riskut bëhet automatik duke aplikuar një algoritëm të automatizuar me inteligjencë dhe qasje digjitale përmes mirëstrukturimit të të dhënave në një platformë të programuar sipas standardit të publikimit Open Contracting.
Pas mirëstrukturimit të informacionit për çdo procedurë prokurimi, algoritmi krijon një vlerësim të tenderave me risk për mungesë konkurrence dhe klientelizëm, duke evidentuar dhe shënuar procedurën me “red flags”.

Në metodologjinë e përdorur nga Open Procurement Albania, ndër indikatorët kryesorë të riskut përfshihen:
- mungesa e konkurrencës (procedurat me vetëm një ofertues);
- lloji i procedurës së përdorur (procedura me negocim);
- skualifikimi i ofertave më të favorshme dhe/ose i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit;
- pamundësitë kohore në përgatitjen e dokumentacionit për ofertë;
- anulime të shpeshta (dy ose më shumë herë).
Këta indikatorë janë në linjë edhe me praktikat e përdorura nga organizata ndërkombëtare si OECD, SIGMA dhe Open Contracting Partnership, ku procedura të caktuara konsiderohen me risk më të lartë për konkurrencën efektive dhe integritetin e prokurimit publik. Po ashtu, janë indicie për parregullsi gjatë procesit të prokurimit.
Në praktikë, këta indikatorë nuk nënkuptojnë automatikisht parregullsi apo shkelje ligjore, por identifikojnë procedura që paraqesin probabilitet më të lartë risku dhe që kërkojnë nivel më të shtuar monitorimi institucional dhe transparence. Kështu, platforma OPA markon me një flamur të kuq (“red flag”) çdo tender/procedurë prokurimi në rast të shfaqjes së një apo më shumë indikatorëve të mësipërm gjatë procesit të prokurimit.
- Në vitin 2025 (vit zgjedhor), 51% e fondit limit të prokuruar nga njësitë e qeverisjes vendore (bashki) përkon me tendera të shënuar me “red flag”. Një red flag vendoset kur gara ka vetëm një konkurent, tenderi anulohet më shumë se dy herë, dhe skualifikohen të gjitha ofertat pjesëmarrëse me vlerë oferte ekonomike më të ulët se oferta e përzgjedhur fituese.
- Ky tregues është edhe më problematik, përkeqësues dhe pexhorativ për bashkitë apo njësitë e qeverisjes vendore në vitet më të hershme zgjedhore.
- Konkretisht, në vitin 2023, vit kur u mbajtën Zgjedhjet për Qeverisje Lokale, rezulton se 54.3% e fondit limit të tenderuar përkon me tendera të shënuar nga algoritmi e Open Procurement Albania me të paktën 1 red flag.
- Në vitin 2019, vit po zgjedhor për pushtetin në njësitë e qeverisjes vendore (bashki), vlera e fondit limit për tendera me risk dhe shënim me red flag nga Open Procurement Albania përbente 40.9% të totalit të fondit limit të prokuruar nga bashkitë atë vit.
- Evidentohet në disa vite se, ndërkohë që procedurat me “red flag” përfaqësojnë rreth një të katërtën ose një të tretën e totalit të procedurave si numër, fondi limit i lidhur me to arrin të përbëjë mbi 45%–50% të fondit limit total. Kjo sugjeron një përqendrim relativisht më të lartë të riskut tek procedurat me vlerë financiare më të madhe.
Në dy proceset e fundit zgjedhore, 2023 (zgjedhjet vendore) dhe 2025 (zgjedhjet parlamentare), fondi limit i procedurave me “red flag” tenderuar nga Bashkite arrin në mbi gjysmën e fondit limit total të prokuruar atë vit.
Open Procurement Albania është një platformë apo zgjidhje software e krijuar nga ekspertë dhe vullnetarë të organizatës AIS, e njohur si Open Data Albania. Kjo platformë ka informacion të plotë, të dhëna, dokumente, algoritme dhe vlerësime risku për të gjithë tenderat e 61 bashkive (njësive të qeverisjes vendore) nga viti 2015 deri në 2026 e në vijim. Open Procurement Albania është produkti më inovativ i vlerësimit të riskut në tenderim përmes inteligjencës digjitale dhe automatizimit të informacionit për tenderim. Donator i kësaj platforme në vite është National Endowment for Democracy (NED).

Ky Raport Monitorimi dhe pjesa e Evidence Paper jane realziuar nga Organizata AIS. Cdo Konkluzion, Rekomandim, Opinion, Formulim apo Gjetje e Parashtruar prezantojne qwndrime dhe formulime tw autorit dhe nuk i adresohen subjektit qw mbwshtet me donacion punwn dhe projektin.
Te dhenat tabelare mund ti gjeni te afishuara ne veriosnin OpenData ne databazen tone Data.al me fjale kerkimi #ProkurimPublikZgjedhje.
Organizata dëshiron të bashkëpunojë me organizma, njerëz dhe donatorë për më shumë digjitalizim dhe aplikim të inteligjencës artificiale për gjurmim dhe minimizim të riskut për korrupsion dhe keqmenaxhim.
- #NEDemocracy
- #OpenProcurementAlbania
- #ProkurimPublikZgjedhje2025
- #Election2025
- #Election2027
- #OpenDataAlbania
- #OpenSpendingAlbania
