Të ardhurat totale të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burimet e ndryshme tatimore, jotatimore dhe ndihmat e dhëna nga qeveritë e shteteve të huaja dhe donatorëve, përveç të ardhurave nga privatizimi, të cilat trajtohen si financim për defiçitin.

Në grafikun e mësipërm jepet ecuria e të ardhurave totale të shtetit shqiptar për periudhën 2000-2011. Sic mund të shikohet, ka një rritje të vazhdueshme të tyre. Rritja më e lartë vihet re në periudhat 2000-2001 me 11.5%, 2005-2006 me 12.4% dhe 2007-2008 me 15.8%.

Në vitet 2001-2006 ka pasur një rritje progresive e normës së rritjes së të ardhurave, kryesisht prej zgjerimit dhe konsolidimit të bazës tatimore. Ndërkohë që në vitin 2007, edhe pse shënohet një rritje prej 9.6%, ajo është më e vogla e tre viteve të mëparshme. Këtu ka ndikuar rënia e të ardhurave nga pushteti lokal, nga taksat doganore (si pasojë e zbatimit të direktivave të qarkullimit të lirë të mallrave) dhe për herë të parë dhe si rrallë herë, një rënie e tatimit mbi fitimin.

Në vitin 2008 buxheti ka përjetuar një rritje të ndjeshme, cfarë flet për një administrim të mirë të sistemit për sigurimin e të ardhurave dhe për një ekonomi në rritje. Frytet e politikave fiskale të ndërmarra lidhur me zbatimin e taksës së sheshtë dhe riorganizimit të administratës tatimore për ulje të evazionit fiskal po jepnin rezultatet e tyre. Ndërkohë që pas këtij viti, kriza financiare në botë filloi të shfaqë shenjat e saj edhe në Shqipëri. Kjo coi në një rritje vetëm me 2.7% të të ardhurave totale në vitin 2009 kundrejt vitit 2008. Vëmendjen e tërheq periudha 2010-2011, në të cilën parashikohet një rritje prej 11.5%.

Duhet theksuar se të dhënat e vitit 2011 i referohen parashikimeve të Ministrisë së Financave, të cilat shpesh herë tëntojnë të jenë shumë optimiste në fillim të vitit, por që në mënyrë të vazhdueshme, pas realizimit faktit të 9-mujorit, shoqërohen me një Akt Normativ. Ky Akt Normativ shpie në rivlerësim të treguesve fiskal, duke e afruar buxhetin më pranë realititet. Në këtë mënyrë, është ende për t’u testuar mbajtja e ritmit rritës prej 11.5% të të ardhurave totale.


Vlerat ne grafike jane te shprehura ne milion leke ( million  lek)   

Kontribuoi: Blerta Zilja