Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) në periudha të ndryshme kohore ka pasur përgjegjësi të caktuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në vend. Në varësi të këtyre funksioneve ka qenë edhe buxheti i administruar prej saj.

Meqënëse kontributet e mbledhura nëpërmjet sigurimit shëndetësor janë shumë të ulta krahasuar me shpenzimet e ISKSH-së, në mënyrë të vazhdueshme ky institucion është financuar nga Buxheti i Shtetit.

 

Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Karakteristikë e financimit të sistemit shëndetësor shqiptar ka qenë fragmentizimi shumë i lartë. Në të merrnin pjesë tre aktorë, Ministria e Shëndetësisë, ISKSH dhe Pushteti Vendor. Për këtë arysye, që prej vitit 2006 nisi zbatimi i reformës, që do i jepte ISKSH-së një rol shumë të rëndësishëm në sistem, duke e shndërruar në “paguesin e vetëm” të shërbimit shëndetësor.

Në vitin 2007 ISKSH filloi të financojë kujdesin shëndetësor parësor  dhe në vitin 2009 brenda skemës u përfshi edhe shërbimi spitalor. Këto nisma u shoqëruan me rritjen e fondeve të ISKSH-së nga Buxheti i Shtetit. Nga 2.68 miliardë lekë në 2006-n, në 4.64 miliardë lekë në 2007-n dhe 20.7 miliardë në 2011. Që do të thotë, përkatëisht, në 2007-n, mbështetja e Buxhetit për ISKSH-në u rrit me 73% krahasuar me vitin 2006 dhe në vitin 2011 ai ishte 7.7 herë më i lartë se sa në 2006-n.


 

Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Grafiku i strukturës së financimit të ISKSH-së e bën më të qartë rritjen e fondeve nga Buxheti i Shtetit, sidomos pas vitit 2009, vit nga i cili brenda skemës së sigurimeve është përfshirë shëndeti dytësor.

Aktualisht, ISKSH i përdor fondet në dispozicion për: rimburisimin e barnave që janë brenda listës së rimbursueshme, mbulimin e shpenzimeve të kujdesit parësor, kujdesit spitalor, ekzaminime terciare,  shpenzimet administrative, etj. Pra, po rritet roli i ISKSH-së si kontraktues i vetëm publik dhe Ministria e Shëndetësise po pozicionohet gradualisht si ligjvënës dhe rregulles. Për këtë arsye, ndryshimi i strukturës financuese, për sa kohë që kontributet do vazhdojnë të jenë të ulta, do të anojë nga Buxheti i Shtetit, si mënyra e vetme që ISKSH të përmbushi detyrimet e saj.