Kërkimi shkencor në vendin tonë po kalon një periudhë të vështirë. Kjo pasi pjesa e buxhetit që akordohet për këtë pjesë mjaft të rëndësishme të punës së universiteteve është fare e vogël. Pikërisht për këtë arsye, dekani i fakultetit të Gjeologji-Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës, Përpara Hoxha kërkon që të rritet pjesa e buxhetimit shkencor dhe jo që pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 90 për qind e tij të shkojë për pagat. Sipas tij, brenda një viti ata kanë realizuar 8 studime të rëndësishme, por pjesa më e madhe e tyre janë financuar nga organizata ndërkombëtare.

Kërkimi shkencor

Pas reformës, e cila i kaloi institucionet kërkimore në varësi të universiteteve, duket se gjendja e kërkimit shkencor në vendin tonë është përkeqësuar. Kjo pasi buxheti tashmë jepet për universitetin dhe ai rrallëherë e kanalizon fondin në drejtim të këtyre institucioneve. Ndërkohë që edhe buxheti që qeveria i jep Ministrisë së Arsimit nuk lë shumë hapësira për një investim në këtë drejtim. Ndërkohë që për vetë akademikët që merren me punën shkencore kjo bëhet më e vështirë, pasi jo vetëm mungojnë paratë për të mbështetur studime apo kërkime të ndryshme, por edhe ato që jepen nuk mjaftojnë as për të ngritur laboratorë dhe infrastrukturë mbështetëse. Sipas përparim Hoxhës, dekan i fakultetit të Gjeologji-Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës, qendrave kërkimore shkencore, prej kohësh pjesë e universiteteve, iu duhet më shumë buxhet dhe laboratorë, pasi vetëm kështu ato mund t’iu shërbejnë universiteteve.

 Ish-rektori i Politeknikut, Përparim Hoxha shpjegon më tej se pa fonde dhe pa infrastrukturë është e pamundur të zhvillohet kërkim shkencor. “Është e domosdoshme të forcohet baza laboratorike në Institutin e Gjeoshkencave, – ka deklaruar dekani Hoxha. – Nga ana tjetër, të rritet pjesa e buxhetimit shkencor dhe jo që kjo pjesë e buxhetit të shkojë më shumë se 85%-90% për pagat. Nuk mund të bëhet kërkim shkencor pa një kosto. Shkencë pa para nuk ka. Për momentin, pjesa e buxhetimit të kërkimit shkencor është në nivele jo të kënaqshme”, – ka përfunduar dekani Përparim Hoxha. Ai shprehet se kërkimi shkencor nuk ka munguar, megjithëse mungon mbështetja me fonde. Sipas tij, brenda një viti, kërkuesit shkencorë së bashku me stafin kanë realizuar rreth 8 studime, por shumica e tyre janë financuar nga organizata ndërkombëtare.

Fondet

Buxheti që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin 2011 është plot 42.994 miliardë lekë. Ndërkohë që fondi që del në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shkencën është 659.2 milionë lekë, rreth 6 milionë dollarë. Sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka mbrojtur këtë buxhet në komisionin e medias kohë më parë, “me këtë fond ne do të mbështesim kërkuesit e rinj, kërkimin bazë në universitete, do të mbështesim ose do të paguajmë detyrimin që qeveria jonë ka për programin kuadër 7 dhe detyrimet e tjera që ka në programet Tempus dhe Erasmus”.

 Ndërkohë që studimet në vite që i ka bërë Open data Albania peshës së buxhetit të arsimit kundrejt PBB-së, tregojnë se ai ka ardhur në rënie të vazhdueshme, nga 5% në vitin 1991, në 3.7% në 1995-n,e deri në 2.8% në vitin 2002, një periudhë gjatë së cilës domosdoshmëria për fonde ishte shumë e lartë për të mbështetur rritjen e cilësisë dhe riorganizimin e sistemit arsimor. Deri në vitin 2009, pesha ndaj PBB-së ishte mesatarisht 3.2% dhe vetëm në vitin 2010 ajo bie sërisht nën 3%, për tu ulur akoma më shumë në 2011-n në 2.8%.

 Sipas Open Data buxheti arsimit ndaj PBB-së ka qenë vazhdimisht më i ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së. Kështu, në vitin 2004, mesatarja e OECD-së shënonte 4.5%, ndërsa e Shqipërisë 3,4%. E njëjta situatë edhe në vitin 2007. Mesatarja e vendeve të OECD-së ishte 4.6%, ndërsa e Shqipërisë 3,2%