Sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga Open Data Albania,
në Shqipëri dënohen mesatarisht 11 shtetas çdo vit me burgim të
përjetshëm. Referuar raportit, Gjykatat në Shqipëri, në harkun kohor
2004-2009, kanë dhënë 69 vendime penale të formës së prerë me burgim të
përjetshëm. Viti më me shumë të dënuar me burgim të përjetshëm është viti 2006, me 17 të dënuar ndërsa viti me më pak të dënuar me burgim të përjetshëm është viti 2007, me 5 të dënuar. Mesatarja vjetore është 11 të dënuar me burgim të përjetshëm çdo vit.

Vëllimin më të madh të krimeve të dënuara me burgim të përjetshëm e kanë veprat penale të vrasjes, pasuar nga vjedhje me pasoje vdekjen. Denimi me burgim të perjetshëm është dënimi maksimal për ligjin penal në Republikën e Shqipërisë dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojnë nga faljet, amnistite dhe kërkesat për ulje denimi pa kaluar 25 vite vuajtje dënimi.