Nga këndvështrimi i buxhetit, Ministria e Mbrojtjes ka qenë ndër ministritë me më shumë ndryshime në programet buxhetore për realizimin e misionit të saj. Pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve lidhet me ristrukturimin dhe reformën për shkak të anëtarësimit në NATO.

 

Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vitet 2004 dhe 2005, 80% e fondeve të ministrisë menaxhoheshin nga programi “Sigurimi i Mbrojtjes”, ndërkohë që programet e tjera si  “Arsimi Ushtarak” apo “ Mbështetje Shëndetësore” kishin një peshë fare të vogël.

Viti 2007 solli një ristrukturim thelbësor të programit buxhetor për këtë ministri. U shkrinë disa programe, midis tyre edhe “Sigurimi i Mbrojtjes” dhe u krijuan katër programe të reja.

“Forcat e Luftimit” dhe “Mbështetja e Luftimit” zunë peshën kryesore në buxhet. Ndërkohë, “Arsimi Ushtarak” dhe “Mbështetja Shëndetësore” u rritën përkatësisht me 60% dhe 150%.

Një tjetër program, i cili ka tërhequr gjithmonë e më shumë fonde, është “Mbështetja Sociale për Ushtarakët”. Shpenzimet e kaluara në formën e transfertave të brendshme, kanë ardhur përgjithësisht në rritje. Në vitin 2009 ato ishin 39% më të larta se sa në vitin 2008, ndërsa në 2011-n janë planifikuar 52% më të larta se sa në vitin 2010.

Të dhënat për vitet 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2011 i përkasin Buxhetit të Konsoliduar Fillestar
Të dhënat për vitet 2008, 2009, 2010, i përkasin Buxhetit të Konsoliduar pas Aktit Normativ