Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi fitimin e sistemit bankar shqiptar. Raporti bazohet në të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe studimin “Një analizë e rrezikut dhe kthimit për sistemin bankar shqiptar”, me autore Irini Kalluci.

Sistemi bankar është një pjesë tepër e rëndësishme e ekonomisë dhe sistemit financiar, e për këtë arsye zhvillimi i tij paraqet interes të veçantë.

Sistemi bankar shqiptar filloi të zhvillohet me strukturën e ekonomisë së tregut në vitin 1992, kur u krijua edhe fillimisht sistemi me 2 nivele: Banka Qëndrore dhe bankat e nivelit të dytë. Në vitin 1992, ekzistonin tre banka me kapital shtetëror: Banka e Kursimeve, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Tregtare Agrare. Gjatë 20 viteve të fundit është shënuar një progres i dukshëm në këtë sistem, përmes zgjerimit të bankave të reja private, privatizimit dhe ristrukturimit të bankave shtetërore, shtrimit të rrjetit bankar, përmirësimit të legjislacionit dhe zhvillimit të teknologjisë.

Fitimi i sistemit mund të matet përmes disa treguesve. Dy treguesit kryesorë janë:

• Kthimi nga kapitali aksioner (në %), i cili mat raportin e fitimit neto vjetor kundrejt kapitalit aksioner të bankës;

• Kthimi nga aktivet mesatare (në %), i cili mat raportin midis fitimit neto vjetor kundrejt mesatares së aktiveve totale të bankës.

Marzhi neto i fitimit, është një indikator i rëndësishëm, i cili ndikon të dy treguesit e mësipërm. Ai matet si raport i fitimit neto kundrejt kthimit total të siguruar gjatë vitit.

Duke filluar nga viti 2001, kthimi nga kapitali aksioner dhe nga aktivet mesatare ka ndryshuar sipas grafikut:

 

Burimi: Banka e Shqipërisë, studimi “Një analizë e rrezikut dhe kthimit për sistemin bankar shqiptar”, autore I.Kalluci
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, fitimi i sistemit bankar shqiptar ka pësuar një rënie drastike gjatë viteve 2008 – 2009. Ndërkohë që gjatë periudhës 2001-2007 kthimi nga kapitali aksioner ka qënë brenda kufijve 19-24%, në vitet 2008, 2009 ky kthim ka rënë përkatësisht në 11.35% dhe 4.58%. I njëjti trend vihet re edhe për treguesin e kthimit nga aktivet mesatare.

Faktorët kryesorë të rënies së treguesit të kthimi nga kapitali aksioner dhe kthimit nga aktivet mesatare, janë ulja e marzhit neto dhe rritja e kapitalit aksionar (me qëllim rritjen e shkallës së kapitalizimit). Të dy këta faktorë kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e kthimit neto për sistemin bankar.

Grafikisht marzhi neto ka ndryshuar sipas grafikut:

 

Burimi: Banka e Shqipërisë, studimi “Një analizë e rrezikut dhe kthimit për sistemin bankar shqiptar”, autore I.Kalluci
Komentet dhe Analiza: ODA

Marzhi neto i fitimit është ulur gjatë viteve të fundit për disa arsye. Mund të përmendim si më kryesoret:

• Rritjen e konkurrencës midis bankave;
• Forcimin e bazës rregullative dhe rritjen e kapitalizimit;
• Ngadalësimin e zgjerimit territorial për shkak të arritjes afër kapacitetit të tregut;
• Krizën financiare globale, që u shoqërua me ngadalsim kreditimi dhe tërheqje depozitash.

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: R.E