Sipas një studimi më të fundit të projektit “Open Data Albania”, Tirana rezulton si qyteti që preferohet më shumë për banim nga shqiptarët. Sipas studimit me titull me titull “Popullsia në Tiranë në vitet 2001 – 2009”, i cili i referohet shifrave nga bashkia e Tiranës, kryeqyteti shqiptar është një ndër qytetet më të synuara për banim nga shqiptarët. Ndër vite ajo ka qenë mikpritëse e shumë të ardhurve nga rrethet, por edhe shumë të tjerë janë larguar prej saj.
Gjithsesi, ritmet e numrit të banorëve në kryeqytet kanë gjithmonë rritëse. Sipas studimit, vitet 2003-2005 kanë shënuar rritjet më të larta, me 4.8%-6.1%. Vetëm në vitin 2004 popullsia e Tiranës u rrit me rreth 33.000 banorë dhe po aq gjatë 2005-s. Pas këtyre viteve, duket se ka pasur një normalizim të ardhjeve në Tiranë dhe rritja e popullsisë ishte mesatarisht 1.7% në vit.  Sipas tij, në një krahasim absolut, nga viti 2001 në vitin 2009, Tirana ka plot 148.000 banorë më shumë.
Kjo shifër është përafërsisht sa popullsia e një rrethi relativisht të madh, si për shembull Vlora apo Fieri. Në bazë të shifrave zyrtare, në vitin 2009, në Tiranë banon rreth 20% e gjithë popullsisë së Shqipërisë”. Studimi i banorëve të ardhur dhe atyre të larguar në Tiranë është shumë interesant. Periudha 2001-2005 ka shënuar shifrat më të larta të të ardhurve.
Për çdo vit ka pasur mbi 15.000 të ardhur më shumë se të larguar dhe në 2005-n kjo diferencë shënoi rekordin me 29.271 banorë. Në fakt, prirja për ardhjen drejt kryeqytetit është shumë natyrale. Por vëmendjen e tërheq fakti se në vitin 2005 numri i të larguarve ishte mbi 42.000 banorë, eksodi më i madh nga Tirana. Edhe viti 2006 shënoi shifra të larta të lëvizjes së popullsisë, por gjithsesi, që nga ky vit vihet re një stabilizim i popullsisë kryeqytetase, fakt që reflektohet edhe nga rritja në masën 1.6% e popullsisë në vitin 2009, krahasuar me një vit më parë.