Edhe pse paqja është një ndër sfidat kryesore për shoqërinë e sotme, duket se shtetet po shpenzojnë shuma jo të papërfillshme monetare për ushtritë e tyre. Pjesë e kësaj tendence është edhe Shqipëria, e cila që prej vitit 1999 ka marrë gjithmonë e më shumë angazhime në fushën e mbrojtjes. Sigurisht që vendi ynë nuk u pranua si anëtare e NATO-s për shkak të fuqisë së saj të lartë ushtarake. Pranimi i Shqipërisë ishte më shumë një vendim politik (Raporti i Congressional Research Service: NATO enlargement, Albania, Croatia and future candidates, faqe 9), lidhur me faktin nëse Shqipëria mund të kontribuonte në sigurinë e vendeve anëtare apo jo. E megjithatë, një pjesë jo e vogël e buxhetit ka shkuar për  Ministrinë e Mbrojtjes.


       Burimi i të dhënave: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë
       Përpunimi dhe komentet: ODA

Mbrojtja është përgjithësisht funksioni i katërt në rang financimi nga Buxheti i Shtetit, pas Transportit, Arsimit dhe Shëndetësisë. Peshën më të madhe në Buxhet ajo e ka marrë në vitin 2007, vit shumë i rëndëshishëm në realizimin e reformave. Gjatë këtij viti, pothuajse gjysma e buxhetit të Ministrise se Mbrojtjes është përdorur për “Blerje mallrash e shërbimesh” dhe për “Investime Kapitale”.
Për vitet në vijim, Shpenzimet për Mbrojtjen janë luhatur në kufirin mbi 5.1%. Kjo do të thotë, se aktualisht, Shqipëria është duke shpenzuar më shumë për ushtrinë e mbrojtjen, që ka për funksion kryesor sigurinë kombëtare se sa për policinë, e cila siguron ruajtjen e qytetarëve brenda vendit.
Në vitin 2001, Mbrojtja ka marrë 2.7 herë më shumë fonde se Bujqësia, 6.3 herë më shumë fonde se sa Turizmi dhe Kultura, të dyja këto funksione të shpalluara si prioritet zhvillimi të vendit.


Burimi i të dhënave: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë
Përpunimi: ODA

Në fakt, duhet theksuar se përqindja e fondeve që i akordohet Mbrojtjes rrjedh edhe nga anëtarësimi në NATO. Kjo organizatë sugjeron një kufi rreth 2% të PBB-së të investuar në Mbrojtje. 2007-a dhe 2009-a janë vitet me përqindjen më të lartë ndaj PBB-së, përkatëisht 1.87% dhe 1.86%. Në vitin 2010, në Buxhetin Fillestar të Shtetit ishte parashikuar që 2% e PBB-së të shkonte për mbrojtjen, por me rishikimin e Buxhetit në muajin korrik, Ministrise se Mbrojtjes iu shkurtuan 5 miliardë lekë. Kjo coi në ulje të përqindjes së fondeve të mbrojtjes ndaj PBB-së nga 2 në 1.61%. Edhe në 2011-n, shuma e parashikuar e fondeve është 1.66% (më i vogël se pragu), që tregon se Shqipëria e ka të vështirë të përballojë shpenzime mbi 2% të PBB-së në Mbrojtje.